Kongruencë sysh-Valbona Kolaveri


Valbona Kolaveri

Furfulisem dhembjesh,

Brinjë më brinjë,

Si peshku buzë zallit

Pa ujë,

Në frymëmarrje të mpira

Mushkërish,

Ditësh,

Të tjerruna me akrelik

Krekosjesh,

Vetëdijet

Avullojnë mjegullës,

Po ashtu

Dëshirat

Mendimet,

Ngricat e mospajtimit

Katrama

Kërcasin shpirtit,

Kongruencë e syve

Shprishet,

Tek shohin të pamundurën,

Unë,

Hijëzuar mbetem fjalëve

Krahëthyer,

Si një zog dimri

Harruar poezisë,

Tek këndoj nën zë

Nga një varg

Çdo ditë,

E buzësh shkumëzoj

T’më gjejnë aty,

Por,jam e humbur

Kotësish,

Duartrokitjesh meskine

Ku uni po pëlcet

Krekosjesh

Dhe,

Prapë se prapë

Kërkoj,

Të vërtetat

Njerëzve

Njëtrajtësisht,

Fytyrave t’u shkëlqejnë

Pa bujë.