..nga Libri :
‘ Kthim me Diellin ‘ s.h.
KONSIDEROJ
Unë e konsideroj çdo formë të jetës,
si dëbora,
si zog i bardhë
në shtegtim shekullor,
si akullnaja
që ngrin e shkrin oqeanit pa mbarim.
E shikoj,
si yjet qe ndriçojnë lart në qiell,
si pafundësi galaktikash
ku udhëtimet futen në të frikshmet mistere.
E konsideroj si përplasje planetesh
ku çdo perandori bie
e një tjetër më e bukur ringrihet!
E konsideroj,
si një vakt ngrënie në mëngjez
shfletim fletash menyje,
ku të tërë kënaqemi një moment
e pëherë dalim të uritur.
E konsideroj
si një vlerë që do rrëfejë të nesërmen
përjetimit çast
kujtim i pleksur në rebuse enigmash
e shtjellimesh
të fijeve të këputura.
E konsideroj
një fëshfërimë ardhur nga pyjet ,
që gërvish lehtë e praron flokët,
por dhe furtunë që shkul pemët,
dhe poshtë gjymtyrëve të këputura
fsheh rrënjët.
E konsideroj,
si një kod mitik që duhet deshifruar
shkronja të pakuptueshme
mbetur në gjurma guri
dhe statuja të fsheura
epokës së njeriut.
E konsideroj
si një udhëtim të largët,
ku çdo gjë venitet para syve
dhe horizontit tutje mbetur trajtë hije
e atij kapërcimi,
që asnjëherë nuk dihet;
E konsideroj jetën,
paciente që helmatiset çdo ditë
me trishtimin e mbledhur
skutave labirint
dhe e ndjerë fajtore
mirëpret çdo ndërshkim.
E konsideroj
dhe si të vetmin mëshirim
nën harqet ku kryqëzohet Zoti
e falur pa pushim
për të shpëtuar veten
mëkatit që lind !
▪︎▪︎▪︎
Njeriu
Njeriu është si ditënata në tokë,
ku pasqyrat e shpirtit le gjurmë aty
fletë të pëlqyera mëngjezit të brishtë
ose mbetur enigmave mbrëmjes së trishtë.
Njeriu është një ngjyrë më tepër,
që shenjat e njohjes vendos mbi fasada
shkëlqime marramendëse verbojnë sytë e tij
e përherë shpirti i mbetur jetim.
Njeriu është si fryma e erës
mbjellur trazimit të fatve të tij,
diku, refleks i paqes së shenjtë
e diku një dallgë thinjur përmbi det.
▪︎▪︎▪︎
Vitet
Vitet, si ngjyrat,
e pikturës varur në kornizë
ndriçuar pasionit më të bukur
shkëlqyer dëshirave të heshtura
në të kuqen e zjarrtë
gjak nga gjaku që lëvrin dejeve
shkrirë një kryqit të tokës,
në të kaltrën e kthjellët
të syve qiellorë,
që pikojnë detet e shpirtit
e prekin dhimbshëm stinët,
në të bardhën e borës
dlirësisë pa kufij
ardhur me krahë engjëllorë
e zbritur gjer tek ti,
në të fundit ngjyrë të mbërëmjes
shquar përherë perëndimesh,
atje ku vdes një rreze,
atje ku lind një yll !
●●●
..nga Libri :
‘ Shpirti im nè Blu ‘
SYTË E JETËS
Unë të pashë në sy, jetë,
ashtu sikur erdhe,
lëndinave pa fund plot lule,
por dhe stuhive më të tmerrshme.
Të pashë në sy,
e ti fshihje lotët mjegullimë,
brishtësisë së maleve që duheshin kapërcyer
e enigmave të mia pa fund.
…dhe kur mi ngule sytë e tu vetmimtarë..!?
Më drithërove vetëm në një çast.
Të lexova gjithë rrudhat e kohës,
inatin shtrënguar në dhëmbë të fildishtë
forcën e shpirtit ngritur,
si më i madhërishmi feniks .
▪︎▪︎▪︎
FTOHTË
Më i acartë, i ftohti në zemrër
akull shpirti i saj
krahë të thyera drejtuar qiellit
nudo kurmi saj!
Ngjasonte si lakuriqësia e natës
nën hije të vezullimit yje
nën vellon e ngrirë të bardhësisë
brymë e një të nesërme dimri.
Dashuri e saj hyjnore
humbiste në të thellat kujtime
e sot mbi këmbë të drunjta
oh, sa psherëtinte.
Sa më shumë hijëzonte rrugës
e si imazh tretej tutje
një gjurmë e kohës së saj
përthyhej larg vijëzimeve.
..ndoshta endet vetmitare
dashuruar me veten, s’ di,
ndoshta urren dhe vetë jetën
e fsheh të bukurit sy,
ndoshta harruar qytetit
nën të frikshmet fasada gri .
▪︎▪︎▪︎
PUTHJE ME ERËN
Unë, që ju pres njëqind vjet e më shumë
ulur në një kopsht të lulëzuar qershish
Shtrëngoj në duar një shami të bardhë
ku puthjet kanë lënë gjurmë.
Ti endesh në detin e trazuar
ku jeta çdo kujtim dallge fshin
Ti ecën zhveshur nudo,
në të magjepsurat mbrëmje me yje
e me zemër të bërë thërrime.
Unë e sfidoj kohën
e dehur nga dashuria e zjarrtë.
Unë i shpërfill kufijtë
Galaktikës më të lartë
Zambakut çelur mbi ujërat kristal.
Ti ecën mbi rrugë të përvëluara
shkrumb e hi
djegur vetëtimave të shkrepura
në natën plot shi
dhe unë me vështrim nga ditarja
shikoj si shëmbëllen ti.
Pas njëqind, e më shumë vitesh
pa ju parë e takuar
i dhuroj puthjet erës .
♤♤♤
(Ma tu chi sei che avanzando nel buio della notte inciampi nei miei più segreti pensieri ? -William Shakespeare -) .