Konstandinos Kavafis
Përktheu nga origjinali: Iliaz Bobaj

…………………………………………………………………………………..
KONSTANDINOS KAVAFIS
(1863- 1933)
MURET
Pa mendim, pa dhimbje, pa turp,
rreth meje ndërtuan mure të mëdhenj, të lartë.
Dhe rri tani e robtohem këtu,
nuk mendoj tjetër, trurin ma bluan imi fat.
Meqë jashtë kisha për të bërë shumë gjëra,
kur ndërtuan muret, si nuk i pashë.
Po nuk dëgjova as zhurmë ndërtuesish, as zëra,
pa më përfillur, nga bota më lanë jashtë.
NJË PLAK
Në kafenenë e zhurmshme, tej në thellësi,
përkulur mbi tryezë, një plak i vjetër rri,
me një gazetë para, i vetëm fillikat.
Përbuzjen i ndjen së mjerës pleqëri,
mendon: sa pak gëzoi në rini,
kur kish forcë, fjalë, bukuri pa cak.
E di, u plak shumë, e shikon, e ndjen,

kohë e rinisë i duket e afërt si dje,
sa kohë e shkurtër, shkurtaqe kohë.
Mendon si e mashtronte dinakja Urtësi
dhe gjithnjë e besonte:- Eh, ç’marrëzi!
Gënjeshtarja i thosh:- Nesër ke shumë kohë.
Vrrullet e hershme mendimit i zënë vend,
sa gëzim flijoi, sa njohje të pamend,
çdo rast të humbur tani e tall, përqesh.
Nga mendimet e gjatë, kujtimet e pafund,
plaku u trallis, u lëshua në gjumë,
aty në kafene, mbështetur mbi tryezë.
ODET DHE ELEGJIA E RRUGËVE
Hapat e kalimtarit të parë,
të të parit shitës, të gjallat kërcitje,
të hapjes së dritareve të para,
të portës së parë- janë odet lirike,
që kanë rrugët në agim.
Hapat e kalimtarit të fundit,
të të fundit shitës, e fundit zhurmërimë,
e mbylljes së portave dhe dritareve,
janë ofshama e elegjisë,
që kanë rrugët në mbrëmje.
NË SHTËPINË E SHPIRTIT
Në shtëpinë e Shpirtit vërtiten pasionet,
gratë e bukura veshur me mëndafsh
dhe gurë zafiri deri në majë të flokëve.
Që nga porta e shtëpisë gjer tej në thellësi
i përdorin të gjitha sallat. Në më të madhen,
mbrëmjeve, gjakndezur zjarr e valë,
flokëlëshuar, kërcejnë dhe pinë me afsh.
Jashtë sallave të zbehta, të veshura
me modën e një kohe në harrim,
enden virtytet dhe me dhimbje dëgjojnë
festën që bëjnë njerëzit e dehur.
Në xhamat e dritareve afrojnë fytyrat
dhe shohin të heshtur, të menduar,
xhevahiret, dritat, vallen në harbim.
I përktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ