Kornizë e vjetër-Ligor Stafa


KORNIZË E VJETËR

Ja, takohem me këtë send të shumëkohëbraktisur,
rrethuar nga pikëpyetjet:

Jam edhe unë një send i ngulur në harrimskutë?
A mund ta dëboj të keqen e fshehur?

Përpiqem të shoh aty duart e dikurmiqve të mi,
të shoh Unin e hedhur shuk prej tyre,
falë harresës dhe pështjellimikjes sime.

Në atëmbetje qëndron kjo kornizë e vjetër.
E shoh, ndihet bosh pa portretin tim,
veprën e përkryer që e çapëlyen horrjatët.

Duket, më dëshiron të tërin kjo drugdhendje.
Më bën shenjë me ca trigrame të futem brenda saj,
Për të zbutur dyshimshfrenimet e mia.

Duke skicuar ca njolla jete,
afrohem të brendashkruhem te ky sykatërkëndësh
dhe prek ca hije që turren drejt ikjeçeljederës.

Hëm! Po rrinin pezull në botën e zërave mineralë?
Siç duket ishin peshkuar nga zbrazëtia.
U shfaqën për pak kohë
dhe po rihidhen sërish në zbrazëti.

Do t’më duhet të inkuadrohem gjatë në këtë zgavër?
Në një histori që s’mund ta harroj?

Eh, gjërat mund të nisin nga e para.

Jo, jo.
Dua të dal nga kjo harrimskutë.

Të nxitoj për kah kurrëmëja e kthimit?

E lë atë send
aty,
të kërrusur në përmasat e veta,
në pluhurmallin e tij.