Rakip Zhguni
Krijuesi Isa Muça, pas botimit të disa veprave të tjera, paraqitet këtë radhë para lexuesve me një roman social me titull “Dashuri me dy të panjohura”. Është një përpjekje serioze e autorit për të pasqyruar me vërtetësi realitetin e viteve të diktaturës, ku lufta e klasave ishte bërë një gangrenë e shoqërisë. Autori ia ka vënë këtë tilull, sepse si ata që derdhën gjakun për liri, si të tjerët ishin bashkëvuajtësit e luftës së tmerrshme të klasave.
Në qendër të romanit vendoset familja Dragoshi, me origjinë kosovare, e ardhur nga Turqia, për shkak se nuk hiqte veshjet popullore shqiptare. Familja vendoset diku në baltërat e Myzeqesë. Me shumë mundime arrijnë të ngrenë familjen. Në vitet e Luftës në familjen Dragoshi vjen komandanti i partizanëve të Myzeqesë e kësisoj Limon Dragoshi del partizan dhe bie heroikisht në fushën e betejës. Kjo traditë patriotike vijon me të birin, Demir Dragoshin, i cili bëhet ushtar hero në provokacionin monarko-fashist grek të gushtit 1949, madje edhe duke u dekoruar nga organet kompetente.
Kalojnë vite. Demiri punon ndershmërisht, ngre shtëpi të re, shtohen pjesëtarët e familjes dhe, kur mendohej që do të mëkëmbeshin disi ekonomikisht, ngrihet kooperativa. Si anëtar partie ai lufton për mirëqenien e banorëve të fshatit. Edhe në kooperativë ai punon me ndërgjegje.
Por dalngadalë tek ai fillon të ndryshojë qëndrimi ndaj kuadrove të partisë e të kooperativës, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë postet e tyre për përfitime vetjake, duke dëmtuar kështu përparimin ë ekonomisë. Kjo e pezmaton Demirin, por ai përpiqet të ruajë gjakfohtësinë, sepse e di që lufta e klasave është e tmerrshme dhe vazhdon si një mallkim.
Kthesa që do të përcaktojë fatin e personazheve bëhet martesa e të birit me një vajzë të internuar. Kjo lidhje nuk mund të mos ashpërsonte luftën e kuadrove të partisë e të tjerëve kundër këtij njeriu të ndershëm, punëtor, të drejtë e të përkushtuar për punën e familjen.
Por ngjarjet rrokullisen dhe vijnë vitet ’90, kur vullkani shpërtheu dhe këtu mbyllen ngarjet.
Nga ana e ndërtimit romani ndahet në kapituj. Ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën, në një hapësirë kohore të gjatë, që nga vitet e Luftës, deri në vitin kur u shemb diktatura në vitet ’90. Duhet theksuar që autori në disa përshkrime në roman ka punuar me kujdes, duke bërë të mundur zbulimin e vërtetë të personazheve të veprës, karakterizimin dhe portretizimin e tyre. Autori njeh mirë realitetin e atyre viteve dhe e ka jetuar vetë, duke shpalosu kështu përvojën e tij të gjatë. Ndonëse vende-vende ka zgjatime, romani është një arritje në krijimtarinë e Isa Muçës. Ai tregon se autori është përpjekur të japë një pjesë të realietit, duke vënë në dukje edhe degjenerimin moral të kuadrove të asaj periudhe . I takon lexuesit të bëjë vlerësimet e veta, pasi ta lexojë.
