Kristaq Moçka:Vetmi


Vetmi

Nga Kristaq Moçka

*** Sot u zgjova me ndjesin për të parë e takuar sa më shumë miq e të njohur. Nuk e mora makinën. Vendosa të ecja në këmbë përgjatë aksit kryesor të qytetit. Shikoja njerëz që ecnin me ritme të ndryshme, shpejtë, ngadalë e deri me qesëndi. Në larminë e fytyrave të tyre, shihja preokupacionin, gëzimin si dhe brengosjen. Kishte dhe nga ata që nuk mundesha ti lexoja. Shihja sy e fytyra që shprehnin sa mospërqëndrim dhe indiferentizëm. Vazhdoja të ecja pa njohur njeri akoma, por dhe pa më përshëndetur kërkush. Përshkova me shumë kënaqësi shëtitoren e bukur detare, që K/Ministri me një emër të huaj e pagëzoi. Çdo gjë kishte ndryshuar, rrugë e mjedis, por njerëzit edhe më shumë.

Për të pirë kafen, u ula diku në një kafene, nga ku shihja gati gjithë gjirin e mrekullushëm të qytetit, kornizuar aq bukur nga Karaburuni, Sazani dhe Triporti. Lokali ku hyra, se çmbante një emër, që vetëm shqip nuk ishte. Me mjaftë edukatë dhe etikë, një vajzë mjaftë simpatike më shërbeu këndshëm duke më uruar ngrohtësisht, “ju bëftë mirë kafja, zotëri”. E piva atë qetësisht, nën tingujt e një melodie që i shkonte përshtatë atij mëngjezi aq të bukur e të freskët. Pa e pritur kamarieren, që i jepte aq lezet atij lokali, lash mbi tavolinë, pranë filxhanit të kafes, disa qindarka më shumë se ç’lexohej në faturë.

Dola.

Mora rrugën për nga erdha. Mbas çdo hapi që hidhja, fillova të ndiejë një shqetsim e zbrazësi. Nuk po ndeshesha jo vetëm me asnjë mik, por edhe me asnjë të njohur. Në fytyrën time, si të ishte pasqyrë e shpirtit, lexohej lehtë mërzitja e trishtimi. Me siguri që kalimtarët më lexonin lehtë se ç’ndjeja. Si ka mundësi, pyesja veten, të mos njoh asnjë nga gjithë këta kalimtar? Më dukej sikur ecja në një qytet të huaj.

Shpirti mu trazua dhe po ashtu mendimet, deri në një përhumbje. Nuk e di për sa kohë, por besoj jo shumë, e gjeta veten në monolog.

Pyesja e pyesja veten, se ç’mallkim na kishte zënë. Ngrohtësinë e vatrës pse me kaq këmbëngulje vazhdohet të na i heqin? Pse filizat e rinjë të trashëgimisë e gjakut tonë, po na rrënjosen në troje të huaja??

Një mendim, ende i ngulitur në kokë, më thoshte, – asgjë nuk ndodh pa arsye, ashtu vetvetiu. Asgjë nuk derdhet pa i shkatëruar enën e vet.

Por si për më saktë, më goditën në kokë, fjalët e Jean Paul Sartre:

“KUR SYTË NUK I PËRDOR PËR TË PARË, NESËR DO I PËRDORËSH PËR TË QARË”.

Ndër kohë kisha mbritur pranë shtëpisë. Hapa derën. Si në përhumbje, po shkoja në dhomën time të preferuar. U drejtova për nga kolltuku, në të cilin u fundosa në një vetmi sfilitëse.

About Post Author