Kristo Çipa-Ajkunat e dheut tim


KRISTO ÇIPA

Në shekuj duke udhëtuar me tragjeditë mbi shpinë, gratë e fshatit tim i kanë tretur gjëmat me vajtimet mitike dhe kanë shërbyer këto vaje si kapituj të rëndë të trilogjisë njerëzore
Një strofë ligjërimi i një gruaje pilurjote u bë shkas për të shkruar një logatje të gjatë

AJKUNAT E DHEUT TIM
( Kushtuar vajtimtareve të fshatit)
Ju dete e stere
Dhëmbjen ma duroni
Djemt e mi sorqeth
Vallë mi shikoni?
Njërin Mal i zi
Tjetrin Anadolli
Ju male me borë
Kurrë mos jeshilofshi!
( Vajtimtarja)

Çdo mëngjez e darkë,n’ato maja vëndi
Dhëmbja pret si shpatë, nga loti shkrin shkëmbi
Ca Ajkuna bregu ngrijnë unazë trishtimi
S’vret me plumb dyfeku sa godet vajtimi

Kjo vendlindja ime, brengë e tragjedive
Dhe kur ka gëzime, s’pushon shiu i syve
Vaji del nga gjoksi është më kulm se kënga
Kataraktë bën loti kur humnerë është zemra

Kur dalin divanit një rënkim merr toka
Zë e zgjidhet xhani, s’rrotullohet bota
Llavë e boshtit brenda kur dëgjon del jashtë
Ato grykëzëna në mëngjez e darkë

Vallë dridhet tërmeti si buza e Nënës?
Çkoqet darameti si rëra e hënës
Rënkim oqeani, jo nuk ka si motra
Kur i gulçon xhani se i mbyllet porta

Si përcëllim korbi, vresht që s’ka të vjela
Qan humbjen e shortit, shpirt kënet e veja
Bëhet thagmë vajtimi, ngrin më këmbë i gjalli
Eshtrat mbledh qefini, zë lëviz tek varri

Në syrin e lotit gratë e fshatit tim
Veç një stinë ka moti, dimër e trishtim
Oh sa pak pranverë! Nuk është as një hënë
Gratë leshra prerë, Nënat grykëzënë

Kur çlodhen beharet, Mesdheu përgjumet
Dalin vajtimtaret, logatin dhe lulet
Ligjërimi i lotit merr dete dhe male
Sirenat e Jonit humbin s’duken fare

Ajkunat e borës, sirenat e jetës
Fshijnë lotët e kohës me dredhë të gërshetës
Kur i derdhin vajet rënkon rëndë moti
Atje tek sarajet, ndëron vendimet Zoti

Në ato divane kur e kthej unë synë
Dëgjoj një logatje, vjen një psherëtimë
S’ka Ajkunë në gjallje, kanë thënë lamtumirë
Piluri me vaje ka ngrirë historinë

Kopertina e librit tim është marrë nga pikturat e piktorit vlonjat Petrit Cena në ilustrim të librit” Milosao”

About Post Author