Kristo Çipa :Dhe në yje varën djepë


 Kristo Çipa :Dhe. në. yje varën. djepë

Nga KRISTO ÇIPA “Mjeshtër i Madh”

Në vazhdim të baladave të marra nga realitetet tona trsgjike po ju postoj një baladë që bën fjalë për prishjen e katundit Pilur në vitin 1750 me ferman sulltanor. Autori.

DHE. NË. YJE VARËN. DJEPË

(Baladë)

Ç’është kjo psherëtimë jetime

E ftohtë si thikë shpine

Moj bijo.o.o.o?

Vjen gjëma me kryeqyqe

Grykës lumit hingëllinte

Moj Mëmo.o.o.o

Në kubet hark jatagani

Tespijet këput sulltani

Pilurjotë baltë do hani

Nga Palermua tek Kalbaqi

Katundi në buzë përroi

Emrin e tij do haroi

Ose besën do ndëroi

Ose dheun do kafshoi

Stamboll u bëfsh gurë-gurë

Nise fermanin në udhë

Pilurin t’a vërë në gjumë

Katundin me rrënjë ta çkulë

Këndon qyqja në dy male

Me përrenj dërgon sinjale

Nga veriu tre koshadhe

Shën Thanasi del në varre

Jatagani turk me presë

Bërë në kudhrën e hilesë

Vjen nga Ura e Qabesë

Dhe ajrin kërkon ta vdes

U nis gjaku e shoi zjarrin

Flaka e dogji të gjallin

Shpirti trupit s’ja gjen varrin

Dhe mitrës foshnjës ja marrin

Gjaku i priftit skuqi mjekrën

Si vjeshta që ç’ngjyros fletën

Kokëprerë e vazhdon meshën

Ulin sytë shenjtorët heshtën

Atje poshtë te kroi i zonjës

Një fëmijë i flet shqiponjës

Më dërgo krahët dhe thonjët

Të marr babën dhe mëmëzonjën

Një grua katalanua

Shkon si reja mbi përrua

Burrin sakat ka ngarkuar

Në ishuj për ta shpëtuar

Pa dëgjo o Zoti ynë

Ngreja qiellit çatinë

Të shohësh gjëmë llahtarinë

Dhe zogjtë kanë ngelur jetimë

Në Krakur pëllet një ka

Të zotin të prerë e pa

Me brirët heshta që ka

U sul e u derdh mbi ta

Osmanllinjtë qiellin rjepin

Hëngrën fushën, vollën detin

Nëpër gjak e mbytën demin

Që të vrisnin amanetin

Dyqind trupa pa firomë

Qe masakra që s’ka gojë

Pleqtë dhe fëmijtë e njomë

S’ka profet që ta gjykojë

Hiri katundin mbuloi

Ikja maleve kaptoi

Dhe një grusht shpirt që shpëtoi

Brenda amanetit roi

Më shumë se plagët dhemb toka

E ndanë si byrek në copa

Fermanët ferra dhe llohra

Vranë njerëz u vra dhe koha

Plagët mbuluan ne sherqe

Dhe në yje varën djepe

Në vetëtima për vete

Atje hodhën rrënjë jete.

About Post Author