KRISTO ÇIPA
Në këngët e bregut si ajo e Marikës, Katinës, Dafinës, Lenit, Vitos etj gjen tipe dhe karaktere të skalitura artistikisht në lirikën bregase himarjote. Këtë aradhë këngësh lirike e shtojmë me këngën pilurjote
SOFIA. VETULL STUHIA
Mos më shko si shën Mëria
Kur ka hënën dashuria
Me syrin që shkrep shkëndia
Se merr flakë dashuria
Sofia vetull stuhia
Ç’ke moj ç’ke?
Dëshpëron zjarret e mia
Në shteg të verbër më dole
Këmbëlehtë si flokë bore
Si hëna yllin më lodhe
Netët fshehe, ditët vodhe
Sofia vetull kalore
Pse moj pse?
Pse fjalën ma rrotullove
Pse tundesh si marrëzia
Si lumi nga xhelozia
Kur vetëtin djalëria
Dhe malet lëviz për tya
Sofia vetull stuhia
Ç’ke moj ç’ke?
Dëshpëron zjarret e mia
Moj era trëndafilore
Si uji në hënë më dole
Kur me gërshet më qëllove
Guximin në det ma hodhe
Sofia vetullkalore
Pse moj pse?
Pse fjalën ma rrotullove
Bregu im , jo s’ka si tya
Seç të hypën bukuria
Kur mbi valë çfaqet Sofia
Lidhet në ishuj stuhia
Sofi e bregut të bukur
Të do shpirti një të puthur
