Të nderuar miq dhe ndjekës të mi në faqen e fb- ut duke ju uruar të diel të këndshme po ju postoj një poemë të re që merr shkas nga lashtësia për popullatën e krahinën e Kaonisë
KAONËT
Poshtë deti, sipër yje
Dhe pak kreshta Kaonie
Mbi shkëmbenj e pllaja lindën
Ulën detin, yjet ngritën
Ju, o kaonët e mi!
Vetëm ju ishit aty
Dhe popull dhe perëndi
Lindët a dolët nga zjarri?!
Nuk e di kush qe i pari
-Ishte njeri-perëndi
Brenda frymës kish stuhi
Dhe në gjoks e supe, shpatull e gjymtyrë
Në ballin fodullçe, mollëzat në fytyrë
Vuri re dhe gurë, zjarr brenda mbërthyer
Syrin e pagjumë, thellë në det ka ngjyer
Kur qeshjen e hapi i dha detit rërë
Gurin nga inati, preu me gërshërë
Honet kaonike janë si rrathë ferri
Vjedhin fije drite i bëjnë hark ylberi
Midis tre lumenjve dhe gjoks thellit Joni
Ron edhe i vdekur, shpirt shlodhet kaoni
Se shpirtrat kaonë, s’venë në qiell fare
Herë kthehen shqiponjë, herë në lapidare
Duan të jenë bashkë të vdekur, të gjallë
Kur merr mali rrashtë dhe deti ngre dallgë
Plagët edhe hallet natës ja tregojnë
Trimëri tufanet, ditët vetëtojnë
Dhimbjet i kanë ndukur kur të ligën ndiejnë
Miqsi dhe me ujkun, armikun ta thyejnë
Si Akil s’të vret as plumbi ,as shpata
Ty zemrën ta prek vetëm magji fjala
Në konak të kohës s’ka hyrë dot i ligu
Nderimet e odës, Zotit edhe Mikut
Mesin si kalore aq sa shpendët haje
Veç pak lavdi doje, me të frymën mbaje
Gjoksin e mermertë shpesh e ke qëlluar
Brenda gurut t’sertë, kohën ke nxituar
Halli i kombësisë, kaon të ka tretur
Bukën e lirisë brenda shpirtit pjekur
Se për veten tënde kurrë s’ke menduar
Me një qeshje hëne, ngopur e tepruar
Botës i ke dhuruar mbretër, gjeneralë
Dheu i pa mjekuar sa një planet, famë
Gjaku që ke derdhur, rjedhin tre lumenjtë
Eshtrat bashkë mbledhur, malet kulm përpjetë
Dallgët e Jonit t’bukur, luftrat e lirisë
Koha ta ka puthur dorën e trimërisë
Çamërit e Sulit, himarjotë e labër
Në zemër vunë gurin dhe mbi krye shkabën
Një herë e një hënë, në fletët e kohës
Kaonët kanë qenë kërthiza e botës
Piro perandorin vallë kush mund ta lindëte
Dëshirë e kaonit që të vetëtinte
Histori thinjuar, diamant i zjarrtë
Ç’ke që trazon mua, tre lumenjtë s’janë bashkë!
Poshtë deti, sipër yje
Jam kaonë, eshtër lavdie
