Kristo Çipa:Malet janë aty me borë ngarkuar apo me gjelbërim mbuluar…


Kristo Çipa
Mjeshtër i Madh

Malet janë aty me borë ngarkuar apo me gjelbërim mbuluar. Ne jemi kalimtarët, por ripërtëritja e brezave në vëndin tim e humbi ekuilibrin. Para disa vitesh kam thurur këtë poezi që po ju’a postoj miqtë e mi.

TË PLAKEMI?!- S’ MUNDEMI

Të plakemi punon koha
Ora na largon
Lisat në brinjë i godet lloha
Dimri i zhvesh e i mundon
Pranvera i zbukuron

Ne brenda teshave firohemi
Në rrudha depozitojmë bukurinë
Ngjyrën e vendit vjedh fytyra
Në grindje si retë ankohemi
Si dhelpra, rushin aguridhe
E quajml rininë

Të plakemi punon koha
Ora na largon
Por humnera e brezave
Që goditi vendin tim
Na vendqëndron

Pas nesh!
Fije brezash
Por brez nuk ka
U shkërmoqën
Drejt të panjohurës së adhuruar
As u sosën, as u kthyen
Gjer në palcë u gënjyen

S’mund të plakeni!- thotë koha
Rrini aty! Ju kam ngrirë
Si yjet në errësirë
Të rinohemi, s’mundemi
Si lisat tundemi
Gjysëm zhveshur , gjysëm zbukuruar
Të shkëmbtë e të hutuar
Rrudhën e shekullit tendosim