Kristo Çipa:Me heshtje më vrave


Kristo Çipa

E shoqëruar me këtë foto të mrekullueshme të Marubit shkodran po ju vjen kjo poezi e botuar në vëllimin tim “ Vesha mjegullën e hollë”

Me heshtje më vrave

Hiri i cigares përmbi fustan derdhur

Si tyl i dritares me tym je mbështjellur

Gotat e konjakut sa shpejt avullohen

Buzët e merakut, pijnë e nuk ngopen

Flokët e lëshuar, gjunjët “ arestojnë”

Vetullat hutuar, harkun e drejtojnë

Mos këput mbi gjire, sumbullat e zeza

Fol e fjalën nxirre se nuk thyhet veza!

Rrokullisi rrokjet të lidhen në fjalë

Rrumbullosi gjokset mos m’i nxirr me majë

Siç thellohet mali, rrëkeja të zbresë

Kasafortë halli mos u bëj syzezë!

Në vjeshtën e parë shkarkohet rrebeshi

Fol moj fjalë tharë se s’bëhet kiameti!

Si gur i qemerit nuk flet as me vete

Vetëm kamarierit i bën isharete

Falesh nën ikonë, po kryet përpjetë

Se heshtjet nuk thonë i ke top sekret

S’ti lexoj dot sytë, botën ma ke fshehur

Mos më mbyt në frikë moj buzë e paqeshur!

Ky lëngë i konjakut u bë dyllë brave

Pa këmbëzë çarku, me heshtje më vrave

Thembrën e Akilit, si moj nuk t’a gjeta

Brenda turbullimit zhytej e vërteta!

About Post Author