Kristo Çipa:Prometeu i Vranishtit


Prometeu i Vranishtit

Dy fjalë për Muhamet Tartarin

Nga Kristo Çipa

Atje mbi zall të Lumit të bardhë, përkarshi fronit të Zeusit në Pogonicë i lartë dhe i bukur sa guri me qiell, Muhamet Tartari mbledh fillin e jetës së tij i “ dënuar” nga zemërimi i perëndive si Prometeu. Nëse miti i Prometeut ishte vetëm i zjarrtë, ky i Muhamet Tartarit është i tingullt, i këmbtë dhe i zjarrtë. Nëse Prometeun u lidh dhe shqiponja i shkonte çdo ditë e i hante mëlçinë, Muhametit “ dënimi” i dhënë nuk e lë të jetë i drejtë si qeparisët e amanetit, si Çipini përballë por e ka kërusur për të mos parë madhështinë e tij në vallen që i dha historisë dhe kulturës tonë kombëtare së bashku me një grusht kapedanësh vranishnjotë që i zbritën yjet nën këmbët e tyre dhe si kashtën e kumtrit në qiell, ngritën fustanellën e bardhë

Muhamet Tartari një ndër të pavdekshmit e gjallë në Labëri është i fundit në brezin e tij që brenda një harku kohor 20-25 vjet bën epokën e të përjetshmes, duke kapur piedestalin botëror në festivalet ndërkombëtare dhe vunë në lëvizje selinë e UNESKO-s për të parë mrekullitë shqiptare. I shkolluar me arsimin përkatës ai nuk kërkoi as post e as karierë( gjë që mund t’a bënte kollaj në atë periudhl) por u kthye në Vranisht se kish punë me legjendat dhe perënditë pagane. Askush nuk mund të harojë këngët që vinin nga rëza e Vranishtit nëpërmjet timbrit metalik e tingullit magjik të Leonora Shkurtit në këngën e pavdekshme si zgjim mëngjesi” Tre vëllezër ideali” kushtuar familjes Frashëri. Këto ishin sinjalet e para që u zgjuan nëpër guvat mijëra vjeçare dhe ishin të lara me ujë bore pse në ato guva, bora nuk shkrin kurrë. Nuk mund të rinte pa e ndjerë vorbullën e shtrëngatës të një valleje të jashtëzakonshme që si xhinde honi vinte vërdallë nëpër shekuj midis Çikës, Çipinit dhe Pogonicës. Brezat e burrave dhe djemve të Vranishtit ishin skaljone- skaljone. Shoferi mustaqelli i rëndë si vet mali, i dashur si vet Labëria i talentuar si lumi i bardhë, do të ishte prijësi i kësaj valleje, ku rrathët e saj, as më pak e as më shumë shtilleshin si rathë cikloni dhe labërit e Vranishtit i dhanë kësaj furtune frymë njerëzore duke e çliruar nga mitet dhe ja prunë si bekim dhe premtim popullit të tyre dhe krejt botës si një majë e pahijezuar. Mitologjia thotë se atje lart tej Pogonicë në fushën e bukur Vale perënditë pagane e hidhnin këtë valle kur mali dhe deti ishin të trazuar dhe me këtë valle i qetsonin. Pas valles dilte ylberi si një hark dekorimi. Këtë valle Muhamet Tartari dhe të dymbëdhjetë kapedanët vranishnjotë e çuan në Gjirokastër në vitin 1978 dhe çuditlrisht atë ditë ra shi atje por kur hoqën vallen “ O trima vallen mba mbani”, koha u hap dhe midis Malit të gjërë dhe Çajupit të bukur një hark ylberi doli dhe vallja shpërblimin e morri. Dymbldhjetë vranishnjotë dhe mbi ta Muhamet Tartari u futën në pavdekësinë e historisë. Populli u gëzua dhe u lumturua. Perënditë u mlrzitën edhe pse i kishim ndjekur nga selitë e tyre por jo nga qielli e ndoqën vallen dhe shënjuan Muhametin. Prometeu i Vranishtit zjarrin e valles e zbriti në popull. Çka do të vinte të mirse urdhëronte!

Atje tej tek Lumi i bardhë, Prometeu i sëmurë e ngre kokën rrallë për të parë malet. Nuk i bëjnë më përshtypje se malet e këngës dhe valles i kanë ikur në shumicë. Disa vazhdojnë historinë

PROMETEU I VRANISHTIT

Ç’ka një mjegull Lumi i bardhë

Dhe në dimër dhe në verë

Tani ecën dalëngadalë

I rrëmbyeshëm qe një herë

Kishte dallgë e dufe djali

Quhej Muhamet Tartari

Ç’ka një borë në majl mali

Që nuk shkrin as verë ,as dimër

Tani thinjur, rrudha balli

Të përjetshmen duke pritur

Në legjendë është fut i gjalli

Mali Muhanet Tartari

Ç’ka një mallë në ato vënde

Që kthehet në vesë nate

Është meraku në atë mëndje

Për të gjithë shokët që pate

Muhamet mos shih nga Çika

S’vjen më miku Lefter Çipa

Ç’ka një zjarr mbi brigje lumi

Është prush e nuk ka flakë

Nga tlë gjithë shokët i fundit

Jep bekim për të gjithë bashkë

Lum Nëna që të dha sisë

Prometeu i Labërisë

 

 

About Post Author