Kthesa pozitive e 4 shkurtit në luftën gjeopolitike për Malin e Zi, interes shtetëror dhe strategjik për Shqipërinë e Kosovën


Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Rrëzimi i kryeministrit malazez Zdravko Krivokapiç në 4 shkurt me mocion mosbesimi në Parlament mund të konsiderohet një sinjal pozitiv, që vjen nga lufta e ashpër gjeopolitike në zhvillim e sipër në shtetin fqinj të Malit të Zi. Në gjithë mediat rajonale, europiane dhe ndërkombëtare titulli dominues i artikujve për këtë ngjarje ishte: “qeveria proserbe dhe proruse në Malin e Zi shkarkohet”.

Kemi një zhvillim pozitiv, që shkon përtej kufijve të shtetit më të vogël ballkanik, sepse ai shtet, megjithëse u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017 dhe është shtet kandidat në BE, mori në gushtin e vitit 2020 një rrjedhë negative me ndryshim të ekuilibrit të forcave politike në favor të formacioneve politiko-fetare proserbe dhe proruse.

Nisma që mori në 17 janar 2022 zëvendëskryeministri dhe kryetar i partisë“URA”, Dritan Abazoviç, për të paraqitur mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Krivokapiçit ishte një hap i drejtë, që reflektonte nevojën jo vetëm të kundërshtimit të vijës qeveritare proserbe, por edhe të ndryshimit të kursit proserb dbe prorus të qeverisë nëpërmjet rrëzimit të saj dhe formimit të një qeveri të re, qoftë edhe të pakicës. 

Një nga kriteret, që u deklarua për formimin e qeverisë së re të pakicës është që në të të mos jenë pjesëmarrës përfaqësuesit e ”Frontit Demokratik” ultratraserb.

Fakti që mocionin e mosbesimit e votuan 43 deputetë në një kohë që kur u votua krijimi i qeverisë së Krivokapiçit në 4 dhjetor 2020 ai mori në parlament 41 vota, vetëm një votë diferencë nga opozita, tregon se ajo qeveri e kishte mbushur kupën e devijimit politik antishtetëror dhe antimalazez.

Forcat politike properëndimore vepruan me shpejtësi dhe në 7 shkurt shkarkuan nga posti i kryetarit të parlamentit edhe politikanin filoserb Aleksa Beçiç, që ka qenë ndër kryesorët në protestat antiqeveritare të organizuara nga kisha ortodokse serbe në Mal të Zi në vitet 2019-2020 si dhe kundërshtar i njohjes së Kosovës nga Mali i Zi.

Dy ishin çështjet kryesore, që çuan në krizën politike dhe në rrëzimin e qeverisë se Krivokapiçit.

E para, siç shkruante në 6 shkurt “sprotiv. info”, partnerët e koalicionit qeveritar vazhdimisht janë grindur midis tyre veçanërisht për ndikimin e Serbisë dhe të kishës ortodokse serbe në punët e brendshme të Malit të Zi.

E dyta, siç shkruante gazeta ruse “Komersant” në 6 shkurt, nisma për rrëzimin e qeverisë u kërkua, sepse me këtë qeveri kishte ngrirë ecja e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE dhe Mali i Zi në vjeshtën e vitit 2021 mori nga Komisioni Europian progres-raportin me vlerësimet  më të këqia që nga marrja e statusit të shtetit kandidat në vitin 2010.

Janë dy çështje strategjike dhe jetike kombëtare për Malin e Zi, të cilat e komprometuan shumë shpejt qeverinë e Krivokapiçit si antiperëndimore dhe çuan në rrëzimin e saj vetëm 14 muaj pas ardhjes në fuqi.

Faqja e parë DITA, 10 shkurt 2022

Kemi tërhequr vëmendjen qysh në fillim se zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 në Mal të Zi, që sollën një fitore të ngushtë elektorale të forcave ultraserbe dhe proruse në Podgoricë, ishin një ixhinjering elektoral, politik dhe subversiv i shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, që vunë në veprimtari politike dhe eletorale kishën ortodokse serbe në Mal të Zi për të bllokuar orientimin e  integrimit euroatlantik të vendit.

Serbia kishte interesin gjeopolitik të ndalimit të politikës independentiste të shtetit të Malit të Zi. Rusia kishte interesin gjeopolitik të neutralizimit të anëtarësimit atlantik të Malit të Zi.

Produkt i kësaj gjeopolitike antiatlantike serbo-ruse ishte qeveria e kryeministrit Krivokapiç, që erdhi në pushtet në Podgoricë, dhe e cila eci me shpejtësi në shinat serbo-ruse. Serbia dhe Rusia  ndërmorën në gushtin e 2020 një “regime change”në Podgoricë për të zhvendosur orientimin e Malit të Zi nga kursi euroatlantik në kursin dhe aleancën e ngushtë me Serbinë dhe me Rusinë.

Kryeministri Krivokapiç nisi menjëherë t’i verë gurë nën rrota politikës paraardhëse të forcimit të pavarësisë përballë influencë dhe ndërhyrjes serbe. Tregues sinjifikativ ishte ndryshimi që qeveria e tij i bëri ligjit për liritë fetare të miratuar në 2019 nga qeveria dhe parlamenti i mëparshëm dhe që sanksiononte pavarësinë dhe të drejtat historike të shtetit malazez të grabitura nga Serbia dhe kisha ortodokse serbe.

Ligji kërkonte që kisha ortodokse serbe të dokumentonte pronësinë e saj mbi kishat, manastiret, tokat dhe pronat e shumta në Mal të Zi me dokumente para vitit 1918, pra para pushtimit serb dhe aneksimit të dhunshëm të Malit të Zi nga Serbia.

Kisha ortodokse serbe nuk i ka dhe nuk mund t’i kishte ato dokumente, sepse ajo i uzurpoi pronat e kishës autoqefale ortodokse malazeze dhe të shtetit malazez pas pushtimit serb.

Natyrisht as Serbisë dhe as kishës ortodokse serbe nuk mund t’i pëlqente ai ligj i drejtë i qeverisë së Podgoricës dhe ata organizuan një fushatë dyvjeçare protestash fetaro-politike kundër ligjit, e cila kulmoi me ndërhyrjen direkte në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 për të sjellë në pushtet në Podgoricë forcat politike proserbe.

Qeveria e ardhur e Krivokapiçit menjëherë e ndryshoi ligjin për liritë fetare ashtu siç e kërkonte kisha ortodokse serbe, me të cilën ai është i lidhur ngushtë.

Qeveria proserbe dhe proruse e Krivokapiçit bllokoi reformat demokratike në të gjitha fushat dhe nuk ndërmori asnjë hap në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ishte një strategji e qëllimshme për të bllokuar integrimin europian të vendit, në një kohë që Mali i ZI ishte më përpara se gjitha shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor në ecurinë e integrimit dhe planifikohej të ishte shteti i parë nga ky mikrorajon për pranim në BE.

Por qeveria e Krivokapiçit e stopoi kursin e integrimit europian, në përputhje me interesin e Serbisë dhe të Rusisë. Serbia ishte e interesuar që Mali i Zi të integrohej në Serbi dhe jo në BE. Rusia ishte interesuar që të paralizonte anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe në NATO.

Një nga masat e para proserbo-ruse të qeverisë së Krivokapiçit ishte amnistimi i organizatorëve serbë dhe rusë të grushtit të dështuar të shtetit të tetorit 2016, që u ndërmor për të ndaluar hyrjen e vendit në NATO. Pjesëmarrësit grushtit të shtetit, të dënuar nga gjykatat malazeze, morën pafajësinë nga qeveria e tij, madje u promovuan në poste qeveritare dhe parlamentare.

Kryeministri Krivokapiç u afishua shumë shpejt si një qeveri, që përqafoi kursin antiatlantik. Pak muaj pas ardhjes në pushtet, në 24 mars 2021 kryeministri Krivokapiçi një shteti anëtar të NATO-s publikoi një deklaratë zyrtare në faqen zyrtare të qeverisë malazeze, ku sulmoi ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999 “kundër njerëzve të racës sime” dhe krahason sulmet e NATO-s me bombardimet naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Pak ditë më pas tij ministri i tij ultraserb i drejtësisë sulmoi në parlament Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pse e ka përcaktuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid.

Një qëndrim i hapur antimalazez është përpjekja e kryeministrit Krivokapiç për të ndryshuar hartën demografike të vendit dhe për të rritur artificialisht numrin e minoritetit serb në Mal të Zi. Kaq flagrant është proserbizmi i tij, sa që arriti në një veprim skandaloz që, në 4 shkurt 2022 kur parlamenti po diskutonte shkarkimin e tij, Krivokapiç organizoi tinëz një mbledhje të papritur dhe të paplanifikuar qeverie online për të miratuar disa ndryshime proserbe në ligjin për shtetësinë.

Në këtë mbledhje qeverie ai nuk thirri për të marrë pjesë as ministrin e brendshëm dhe as përfaqësues të ministrisë së brendshme, që janë dikasteri kushtetues për zbatimit e ligjit dhe akteve nënligjore për shtetësinë.

Ndryshimet proserbe, që bëri në 4 shkurt kryeministri në mbledhjen e tij ilegale, hoqën kufizimet ligjore lidhur me dhënien e shtetësisë, që e përcaktonin më parë të drejtën e marrjes së shtetësisë vetëm pas dhjetë vjet qëndrimi të pandërprerë dhe leje të përhershme qëndrimi në Mal të Zi. Tani ndryshimi i bërë e përcakton detyrimin e shtetësisë vetëm për pesë vjet leje të përhershme dhe pesë vjet leje të përkohshme  qëndrimi.

Gazeta e njohur ruse “Komersant” zbulonte në 6 shkurt se kush përfiton  nga ky ndryshim i ri dhe shkruante se ndryshimi i marrë nga Krivokapiçi në ligjin për shtetësinë “lejon marrjen e pasaportave malazeze nga 40 mijë serbë, gjë që në fakt e rrit në 10 përqind numrin e votuesve për qeverinë që po ikën”.

Pra ish-kryeministri i bëri shërbim deri në momentin e fundit Serbisë për inxhinjeringun e saj demografik dhe elektoral në Mal të Zi në favor të forcave politike serbe, duke ia rritur artificialisht numrin e votuesve proserbë, me qëllim që të krijojë hapësirë më të gjerë për mundësinë e forcave proserbe në zgjedhjet e ardhshme të mundshme.

Kjo që po ndodh qysh prej dhjetorit 2020 në Mal të Zi është skena e një përplasje gjeopolitike midis Perëndimit dhe aleancës Serbi-Rusi, midis forcave euroatlantike dhe forcave serbo-ruse. Nëse me zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 aleanca serbo-ruse arriti një fitore gjeopolitike, tani me rrëzimin e kryeministrit proserb Krivokapiç kjo aleancë pësoi një dështim gjeopolitik.

Dhe ka shumë rëndësi në këtë plan që qeveria e re e pakicës të mos përfshijë në radhët e saj parti politike proserbe. Nuk është rastësi që forcat politike dhe fetare serbe nën nxitjen direkte të Beogradit po nisin të organizohen për protesta të reja fetaro-politike me qëllim që të pengojnë formimin e një qeverie të re proeuropiane dhe proatlantike.

Kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po organizohet të vihet prapë në krye të një trazire të re politike për destabilizimin e vendit. Kisha ortodokse serbe në mënyrë skandaloze ndërhyn në politikë dhe me rastin e mocionit të mosbesimit për kryeministrin e saj proserb bëri thirrje që “të ruhet rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2020”.

Me të drejtë Dritan Abazoviç, kryetari i partisë“URA” dhe nismëtar i mocionit të mosbesimit ndaj ish-kryeministrit, ka kërkuar që në qeverinë e re të mos marrëpjesë“Fronti Demokratik” ultraserb, i cili zgjodhi Krivokapiçin kryeministër.

Një nga politikanët kryesorë ekstremistë serbë në Mal të z.Milan Knjezeviç, i cili ka qenë i implikuar edhe në grushtin e shtetit me shërbimet sekrete serbe dhe ruse, kritikoi në 7 shkurt në mediat serbe Dritan Abazoviçin se ”nuk lejon përfaqësuesit politikë me origjinë serbe të jenë në qeverinë ere, sepse ai beson që ne serbët e Malit të Zi do të shkatërrojmë integritetin dhe sovranitetin e Malit të Zi”. 

Në fakt kjo është e vërteta e situatës dhe e objektivit gjeopolitik të Serbisë për të shkatërruar pavarësinë dhe shtetin e Malit të Zi.

Rrëzimi i qeverisë proserbe të Krivokapiçit dhe formimi i një qeverie të re indipendentiste dhe proatlantike duhet parë në kuadrin e betejës gjeopolitike në vazhdim e sipër midis forcave politike, që janë për shtetin e pavarur anëtar të NATO-s dhe të BE, dhe forcave politike proserbe dhe antimalazeze, që janë për zhbërjen e pavarësisë dhe të shtetit të Malit të Zi dhe aneksimin etij nga Serbia.

Ambasada amerikane në Podgoricë në 6 shkurt në një deklaratë të saj theksonte se “SHBA do të bashkëpunojnë me çdo qeveri demokratike që siguron avancimin e Malit të Zi në rrugën euoroatlantike, përfshirë anëtarësimin e shpejtë në BE dhe forcimin e anëtarësisë në NATO”.

Në gjendjen e tanishme të brishtë politike dhe gjeopolitike në Mal të Zi merr shumë rëndësi  bashkimi i forcave politike, që janë për pavarësinë dhe për atlantizmin e shtetit të Malit të Zi, pavarësisht nga dallimet programore, politike dhe etnike midis tyre. Duhet konsideruar i drejtë fakti që Partia Demokratike e Socialistëve e Malit të Zi deklaroi se do ta mbështesë qeverinë e pakicës, duke mos marrë pjesë në të.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç deklaroi në 7 shkurt se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi nëse koalicioni qeverisës do të bëhet kaq shumë i varur nga nacionalizmi i Serbisë së Madhe. Nëse nacionalizmi i Serbisë së Madhe arrin fitoren e favoritëve të tij, i hap derën një aneksimi të ri të Malit të Zi, këtë radhë nëpërmjet projektit të botës serbe”.

Një betejë e madhe gjeopolitike po zhvillohet  në shtetin fqinj. Rrëzimi i kryeministrit filoserb Krivokapiç është një kthesë pozitive në dinamikën e kësaj beteje. Është pozitive edhe për Shqipërinë si shtet fqinj dhe anëtare e NATO-s, që duhet të jetë tepër e ndjeshme për zhvillimet dhe për dinamikën e kësaj beteje gjeopolitike në Mal të Zi.

Shteti i pavarur i Malit të Zi përbën një interes shtetëror dhe strategjik për Shqipërinë dhe për Kosovën. Shqipëria duhet të tregohet aktive në mbrojtjen dhe në ndihmën ndaj forcave politike proatlantike dhe indipendentiste në Mal të Zi, qofshin shqiptare apo malazeze, sepse fitorja e kursit proatlantik dhe antiserbo-rus përputhet me interesat jetike të shtetit dhe të kombit tonë.

About Post Author