KTHIMI I EMIGRANTIT
Rruga jote me fillesë nën një qiell të huaj
nis ashtu me një kryq në ballë
herë ujore me dallgë të ngritura nga malli
herë e ajërt me re që udhëtojnë me ty drejt atdheut
pastaj mbaron nën një qiell tjetër me yje natën
që ndriçojnë mbi pragun e shtëpisë së nxirë me njerëz të vetmuar
me njerëz të harruar në pritje.
Ata janë babai dhe nëna
dyfish të plakur
dhjetëfish të zbrazur shpirti nga mungesa e gjatë e bijve
bijve të mërguar dhjetra male tutje
dhe dhjetra lumenj, detra larg, larg…
Ata janë prindërit e kërrusur nga pesha e dhimbjes
me sytë mpikur udhëve që nisin nga një portë
dhe pastaj zgjaten e zgjaten
shteteve, kontinenteve të tjera
udhëve të flladitura me lutje dhe psallme
dherave të zbrujtur me shi lotësh…
Kthimi yt i ngjan sheshherë kthimit në Itakë
pritja e gjatë e prindërve i ngjan Penelopës
Por ti gjithsesi do të kthehesh, do të vish
me pendesën e rëndë që të vret
se ti nuk je një bir rrënjëdalë
dhe s’ka si të jesh, s’ka si të jesh
gjaku të thërret…
Kthimi yt është atdheu që derdh lot për ty
është fëmija motak që kërkon gjyshërit përherë
dhe kur ata të mos jenë në pragje
kur gjallë të mos jenë
i vështron hëna vajtuese mbi varre..
