Ku janë shqiponjat?!…Vaso Papaj


Poet, ku janë tashmë, ku janë shqiponjat?!…

Ato, që mbi male fluturonin lart, dikur?

Ato që gjer mbi retë renditnin shkronjat:

PARTI-ENVER, në shpate malesh, në çdo mur.

Ku janë pra, ku, poet? I mori vallë tufani?

Rrugëve të botës, me vrullin e lirisë?…

Se s’ndjej tani asgjë, as përmallime xhani.

Asnjë puhizë s’më vjen nga koha e vetmisë.

Ndaj pyes: Ku janë shqiponjat e vërteta?!…

Se ato të rremet, ti i fluturove lart…

Ato, t’u pinin gjak shushunjat, moçaleve i gjeta,

Të tretur galerive, rrotull piritin – baltë.

Më thuaj të vërtetën! S’e di se ku i shpure.

Të paktën kockat t’ua gjeja, diku-diku.

Ca pak lopata dhé, mbuluar qoft me shkurre

Ti sillja në mes njerëzve, t’u binin dhe në gju.

Po vërej dhe sot: nga ajo kohë kanë mbetur.

Ca “veteranë” fitorjesh; fitorje në kërkim,

Që si dikur njëlloj sup më sup mbështetur,

Më kot në fluturim, dhe pse me tjetër grim.