Në secilin vend
ku mblidhet kuvendi
merr ndonjë këshillë
Në secilin katund
siguro një konak,
kështu më porositi
gjyshi im plak.
Kudo që të shkosh
gjej miq e shokë,
se s’jetohet vetëm
në të rrejshmen botë.
Fol fjalë të ëmbla
dhe mendo pak,
mos i hidhëro njerëzit,
mos u hyj në hak.
Kurrë mos shit mend
se secili ka pak tru,
ruaju nga fjala jote
sa s’more një dru.
Mos nënçmo askend
fol me mençuri,
se edhe strinca e vogël
sa për vete di.
Jeto me nder
dhe lë ndonjë vepër,
mos llomotit shumë
por lë diçka n’letër.
Ik nga pakujdesia
se keq e pëson
e then qafën diku
atëherë kur s’mendon.
