“KUJA E LAURESHËS” nga Feraset Pezaku Vladi


“KUJA E LAURESHËS” nga

Feraset Pezaku Vladi ( Seti Pezaku Vladi )

💥BOTIM I 2019📚

📕Vëllimi poetik me 101 poezi është botimi më i ri i hedhur në treg nga Shtëpia Botuese prestigjioze “Dudaj”.

👉Miq dhe lexues të rregullt të librit!

Shtëpia Botuese “Dudaj” nxorri nga shtypi dhe vuri në qarkullim botimin më të ri “Kuja e Laureshës” të autores Feraset Pezaku Vladi.

Libri gjendet në libraritë kryesore të Tiranës:

Librari Albania

Libri Universitar

Librari Adrion

Aniola Qëndra Kristal

Adela TEG

Adela QTU

Gjendet gjithashu dhe në librarinë qëndrore “Dyrrah” në Durrës të shpërndara dhe në tri degët e saj, gjithashtu edhe në një nga dy

libraritë e qytetit të Kavajës.

🔻️Falenderime dhe mirënjohje të veçanta shkojnë për Z. Agron Shele, shkrimtar dhe poet elitar i poezisë moderne të kohës, i cili bëri ekstraktin, hyrjen e librit!

Falenderime dhe mirënjohje shkojnë gjithashtu dhe për stafin që kanë qenë pjesë e punës në funksion të përgatitjes dhe finalizimit të librit për botim!

HYRJE

Seti Pezaku Vladi është nga ato autore e cila prek me frymë poetike, me ndjesi estetike që depërton në tejskajshmëri, endet përmes atij kufiri që përthyen horizontet jetë, vizion ky që shpreh një botë të madhe shpirtërore dhe ngjyrim fjale, si shprehishmëri dhe botkuptim i një modaliteti të ri krijues. Natyrshmëria e ndërthurjeve poetike, herë përmes vargjeve të kuadruara, herë vargut të lirë, apo dhe formave “Tanka”, të shtrira këto në kohë dhe hapësirë, tregojnë jo vetëm njohjen e mirë të teknikave të shkrimit por dhe konsolidim artistik, konstatim ky që viher re tek fuqia shprehëse, figuracioni i përdorur por dhe eliptika e kuptimeve si apriori dhe formë ndergjegjje. Përjetimi emocional diku përngjan me valëzimin det, trazimin dhe furtunën e tij, por dhe paqen e gjendur në çdo valë të bardhë që kërkon prehje në një breg, diku tjetër me ngjyrën e stinës, çel farfurima ngjyrash, por le peng dhe gjurmëgjethet në lotët e vjeshtës, diku tjetër sytë ngrihen përmbi fanar, për të fshehur atë mall që udhëton në krahë të mëdhenj shtegëtimi, por dhe për të treguar përjetësinë e atdheut. Si kompleksitet dhe shqisë e mprehtë për të depërtuar deri në detaj, përvijohen refleksione të cilat ndjekin memorien kohë dhe për më tepër rikthehen në shëmbëlltyrë e projeksionit të një tjetër të nesërme. Në poezinë e kësaj autoreje preken gama dhe larmi tematikash, por ajo që ndjek gjithë boshtin krijues është dinamika, sugjestioni, perceptimi dhe ndjesia për të lënë shenjat e saj si një rreze drite që do ndriçojë përherë në kulme qiellore.

Agron Shele, shkrimtar, poet

PARATHËNIE

Vëllimi poetik “Kuja e Laureshës” e autores Feraset Pezaku Vladi, vjen tek lexuesi si një pasqyrë e realitetit të kohës dhe shpalos madhërishëm ndjenjat e saj, kumton mesazhe të rëndësishme duke u bërë jehonë problemeve shqetësuese të kohës

që po kalon vendi ynë.

Me guximin, origjinalitetin, forcën dhe thellësinë e mendimit, poetja merr me vete zemrën e lexuesit.

Larmia e temave dhe përdorimi i stileve të ndryshme poetike e bën poezinë e saj dinamike dhe rrëmbyese.

Poezia e saj vishet me penelata ngjyrash të larmishme.

Poetja nuk fle, nuk pushon, por udhëton…,

ngjitet majamalesh, ulet kullave të bardha me Dora D’Istria-Elena Gjikën, hap portat e kalave e kuvendon me Rozafën, Vrana Kontin, Sfetigradin, gjendet mes betejave e lidh brezit jehonën e shpatave dhe pushon rreth zjarreve të fitores së Torviollit.

Poeten e shoqëron syri i natyrës, merr me vete fijen e barit, lulen, blerimin, flokët e borës, gjethen e artë të vjeshtës, rërën e nxehtë të verës në bregun e sirenave. Ajo flutuon me pulëbardhat, me zgalemin, me zogjtë shtegtarë që vijnë e shkojnë në mërgim.

Bota e saj poetike është e madhe, e gërshetuar me një gamë tematikash dinamike e mbreslënëse.

Në poezinë e autores së talentuar gjen

fusha të pagjumëta, të rrudhosura, gurgullima lumenjsh.

Vargu i saj është ylber me mijëra ngjyra.

Ajo trajton dhe evokon temën e lavdishme historike që nga thellësia e shekujve me heronj promotorë siç është mbretëresha Teuta te poezia “Bija e Ilirisë”:

Shikon betejat ku munde Epirin,

Korkyrës flotën në flakë ia dogje,

Me neveri shikon Dhimitër faqenxirin,

Shiti Ilirinë me tradhëti të pashqe.

Edhe te poemthi “Udhëtar me varfërinë”, ajo e përshkruan fuqishëm dhe dhimbshëm çastin e humbjes së udhëheqësit legjendar Skënderbeut:

Harku i qiellit përkulet mbi atdhe,

Kokën ul shqipja,

Lamtumirë Anté!

Në vargun e saj lexuesi ndien gurgullimën e ujëvarave, cicërimat e zogjve, dëgjon vetë Laureshën:

Në hijeshinë e gjelbërimit e të yjeve

Dikur…,

Këndonte si një ëndërr argjendore…

…Sot, pyje nuk ka,

As simfoni këngësh e melodishë…

Laureshës së maleve

Ia prenë këngën mbi bisqe lisash,

Foleja i mbeti e varur diku

Mbi një shtëllungë reje me shi

Poshtë një qielli të nxirë,

Mbi pellgje psherëtimash

Me dritë hëne të ngrirë.

Fluturoi kuja e laureshës

Mbi vetulla malesh…

Në përmbledhjen me poezi është era, shiu, suferina, dielli, hëna, yjet; aty është vetë poetesha, e talentuara Seti. Ajo kuvendon me hënën fshehur pas një reje si një vajzë lozonjare. Metafora me hire poetike që përshkon poezitë e autores është sa e brishtë aq e fortë dhe vargut i jep dritë, jetë, përmbajtje, zjarr e magji. Autorja loz me vargun, e vendos atë në telat e harpës që kumbojnë në gishtat e “Bukuroshes së Durrësit”. Mendimi i saj poetik të çon larg në shekuj, në qiejt pakufi, tek Kulla e Babilonit. Sa forcë ka vargu në poezinë “Thellësi shekujsh”!:

Në këtë vend diellor

Ngrohur me rreze,

Larë me valë deti…

Mjekra e bardhë

Zgjatej e zgjatet këtu

Si rreshtat e thinjura të valëve të detit…

Ne këtë vëllim, poezia i ka të gjitha stinët e jetës, freskinë e mendimit dhe thellësinë e logjikës.

E paisur me vetëdije shoqërore, autorja bëhet zë i fuqishëm i dhembjes në temën sociale. Atë e mundon dhe e bren si pika në shkëmb varfëria e bashkatdhetarëve të saj, papunësia, lumi i vazhdueshëm i emigracionit, korupsioni i përhapur në çdo qelizë, dukuria mesjetare e gjakmarrjes.

Këto tema zënë pjesën më të madhe të përmbledhjes poetike.

Në poezinë “Statujat e kohës”, poetja duket sikur shfryn tërë dufin:

Si degë lisash

Përkulur nga era

Kërrusen mbi bishta lopatash…

…Zotat u ndezin semaforët e mërgimit…

Edhe te poezia “Portreti” vazhdojnë vargjet e ndiera:

Zbriti duke tërhequr këpucët e rënda…

Gjurmët e tij

Grisnin mjegullën e natës…

Qielli ndizte fener vetëtimash.

Mu gërvisht gjumi sonte!

Sa me forcë e dënon autorja gjakmarrjen në poezinë “Baladë loti”:

…Ku vete, korb i zi?!

Mesjetë qorre!

Gryka e pushkës tënde

Pikon oi, oi!

Qyqja lisave vajton.

Poeten e mundon dhe e trishton papunësia që e detyron rininë shqiptare të largohet me dhembje nga toka mëmë.

Në poezinë “Mes erërash”, autorja e godet me guxim këtë dukuri që është bërë plagë e madhe shoqërore:

Mes erërash rritemi

Plasaritemi,

Vozisim mjegullave në arrati…

Andej…

Ku del një tym,

Ku ndizet një zjarr,

Ku leh një qen,

Medet!

Edhe në poezinë “Refugjati”, ajo shprehet me dhembje:

Me nofkën e dhembjes refugjat ngarkuar,

Ecën dhe ecën rrugëve të gjata,

Me mallin që djeg rërë e përvëluar,

Me një thes enigmash të errta si nata.

Poetja i bën vend të dukshëm edhe poezisë lirike.

Në vargun “nata qan përmes qerpikësh”,

lirika e kësaj autoreje është ninullë që të përkund në dallgët e detit, të nanurit në djepin e lumturisë. Duke lexuar librin “Kuja e Laureshës” lexuesi e gjen veten në sofrën e madhe të kupës qiellore, midis dallgëve të detit, në ajrin e natës të të dashurit atdhe.

Në vargjet e saj, lexuesi shëtit:

Mbi një shkëmb,

Mbi një breg,

Mbi një shpat…

Në këtë vëllim poetik, vargu të rrëmben magjishëm e të çon në një lëndinë marramendëse, rrethuar me kreshpa malesh, ku matanë gjëmojnë dallgët e detit. Duke lexuar këtë poete, has në aspiratat dhe ëndrrat e popullit tonë për realizimin e tyre. Poezitë e kësaj autoreje janë një buqetë ngjyrash me 101 lule, të dhuruara për lexuezin në librin “Kuja e Laureshës”.

-REDAKSIA-

Shiko statistikat

Mbulimi i postimit: 180

13Ildije Xhemali, Thodhori V Baba dhe 11 të tjerë

7 komente

Pëlqej

Komento

Ndaj

About Post Author