Kujtim Hajdari:E vranë një zog


Kujtim Hajdari

E vranë një zog në fluturim,

Se deshi qiellin, deshi retë,

Zogjtë e tjerë në hidhërim,

U mbytën poshtë në degë e fletë.

Sa i vrau në shpirt ajo këngë,

N’qiell të hapur e prerë në mes,

Dhimbjen hanin nëpër dhëmbë,

Për shokun që plumbi po e vdes.

Pika gjaku skuqin qiellin,

Puplat vrarë shndrrohen në rè,

Zogu prapë i buzëqesh diellit,

Duke rënë pa frymë përdhè.

Mbi gjahtarin si një kolerë,

Prej qiellit binin pupla e pendë,

Mallkoi dorën njëmijë herë,

Dhe u tremb nga hija e rëndë.

Natyra heshti e gjithë përreth,

Heshtja mbuloi si në zi,

Me pushkë në dorë u rrënqeth,

E mbuloi djersa dhe u mpi.

Thonë se nuk doli më për gjah,

Dhe çiftja mbeti atje,varë,

U betua në Krisht e Allah,

Një tjetër zog s’kish për të vrarë.

About Post Author