Kujtim Hajdari:Gëzuar flamurin!


Kujtim Hajdari

Ti valëvitesh në faqet e historisë,

Ngjyrat e ndezura horizontet pushtojnë,

Ti zgjon e ndez zemrat e shqiptarisë,

Në gjithë botën shpërndarë, kudo që ata rrojnë.

Në këtë ditë të shënuar na sjell prapë lavdinë,

Të shkruar me tytën e pushkës e me gjak,

Na kujton se shqiptari gjithmonë për Shqipërinë,

I është gjetur si bir ushtar përherë në prak.

Ti mallit i jep krahë sa na ngre nga vendi,

Dhe malet të marrim fluturim si një zog,

Ismail Qemali thërret akoma nga kuvendi,

“Mblidhuni vëllezër, mblidhuni të gjithë tok!”

Ta bëjmë e ta shohim Shqipërinë si një zonjë,

Ne që kemi tretur plumbat e kemi ngrënë gurin,

T’i qeshi shtati e t’i ndrijë syri shqiponjë,

E me plot gojën të themi: GËZUAR FLAMURIN!

About Post Author