Kujtim Hajdari:Në muzgun e mbrëmjes


Kujtim Hajdari

Në muzgun e mbrëmjes ike, nxituar,

Një fjalë të ndalja as unë nuk ta thashë,

Nuk ngacmoja dot një mendje të trazuar,

Në qetësinë e natës, të freskohej, e lashë.

Të lashë të shikoje se yjet ndriçojnë,

Si dhe hëna e bukur ashtu si më parë,

Dhe kur rè të zeza shikimin mbulojnë,

E si barrë na rrinë në shpirtin e vrarë.

Dielli mbi malet do të dali prapë bukur,

Dhe pse në syrin tënd agimi është shuar,

E ndoshta një këngë zogu mes lulesh strukur,

Do të kthejë të shikosh pranverën e çmuar.

Unë prapë të ruaj në një kopësht kujtimesh,

“Ah” bëja habitur kur shkelje ndonjë lule,

Stuhisë që trazonte lloj-lloj mendimesh,

Në krenarinë tënde kurrë nuk ju përkule.

Ike ashtu vetëm, menduar e ngadalë,

Duke humbur si imazh në natën me rè,

Dhe heshtjen e rëndë na lë pas si gjyqtarë,

Si retë plot me shi të rëndonte mbi ne.

About Post Author