Artisti dhe këngëtari i mirënjohur Zija Saraçi, një mik i vjetër, që jeton dhe ka pasur një karrierë të suksesëshme artistike në Itali, më dërgoi një kujtim të bukur letrar personal, me dy foto të programit të Festivalit të 6 të Këngës në Durrës, zhvilluar në janar të vitit 1973. I kishte gjetur në arkivin e tij të pasur këto dokumenta, që dëshmonin pjesëmarrjen time në atë festival me një tekst kënge kushtuar qytetit tim të lindjes dhe të titulluar “Durrës, Durrës”, muzika Pjetër Gaci dhe kënduar nga këngëtari i mirënjohur Qemal Kërtusha. Zijai nuk e kishte gjetur tekstin e këngës, por i referohej vetëm një vargu: “Vetëm në Durrës eci pa drojtje”.
Të them të drejtën ishte një zbulim i befasishëm i bukur për mua, që e kisha harruar fare si tekstin e shkruar 50 vjet më parë, ashtu edhe pjesëmarrjen time në atë Festival. Unë në rini kam bashkëpunuar me tekste për këngët me shumicën e kompozitorëve shqiptarë dhe kam marrë pjesë në shumë festivale kombëtare të këngës në Radiotelevizion, por nuk kam mbajtur arkivë tekstesh dhe ai tekst më ishte fshirë nga kujtesa. Ishin një dhuratë e bukur si kujtim për rininë time letrare lajmi dhe fotot, që më dërgoi artisti i mirënjohur Zija Saraçi dhe i jam mirënjohës.

