Si qenkan kujtimet, nuk duan kohë,
as kafe përpara në një tavolinë,
kujtimet janë si ajri, si fllad fluturues,
të pakufizuara. Kur duan venë dhe vijnë.
Ja, ashtu befasisht vijnë edhe tek unë,
mysafire të paftuara, derëhapjen e bëjnë vetë,
nga supet më shkundin pluhurin e rutinês,
më marrin prej dore për një udhëtim në jetë.
Më çojnë në brigje ku dallgët sa herë,
shkëmbinjve përplasnin dëshirat e mia
dhe unë duke rendur të kapja një shpresë,
kish raste që shpirtin tim peng e lija.
Pastaj në një lëndinë margaritash më çojnë,
zërat e fëmijëve, cicërima zogjsh dëgjoj,
në rrugicën e fshehtë ku më more për dore ,
shkëndijën që lëshonin sytë e tu shikoj.
( Shkëputur nga libri im “Labirint”, poezi, SH.B. MUZGU, Tirane 2023)
