Kur çuditet i forti, ça bȅn i ligshti?Nga Llesh Ndoj


OPINION

      Historia na ofron plot shembuj, ku ai që fizikisht paraqitet më vulnerabël e ka pak, ose aspak mjete shtesë në dispozicion, del triumfues me kundërshtarë (armiq) dukshëm më të fortë e me mjete logjistike, apo të pushtetit në dispozicion, të pa krahasueshme me palën në konflikt. A ka shembuj realë të tillë si këta? Sigurisht që po! Asgjë s’buron nga hiçi dhe asgjë nuk bëhet hiç në këtë jetën tonë!

Pse e si ndodh kështu?

Ata që mbështesin dhe e përkrahin këtë ide, besojnë fort në fuqinë e të drejtës. Ajo tejkalon çdo parashikim, këput çdo hallkë e përmbys çdo pengesë, sado e fuqishme qoftë ajo, ndaj edhe paraqitet triumfuese. Vjen kjo edhe në logjikën e gjërave. Luftëra të mëdha globale e lokale janë fituar nga më të vegjëlit e të keqpajisurit me mjete logjistike, sepse me ta ka qëndruar e drejta. E drejta e jetës, e drejta e lirisë, e drejta për të sunduar veten e për të mos qenë i sunduar. Ndoshta askush nuk kishte parashikuar se shteti i Ukrainës do t’i rezistonte të ashtuquajturës supërfuqi e dikurshme Rusisë, qoftë edhe për pak ditë, por kjo luftë i kaloi dy vite e fatet e saj akoma nuk e njohin fituesin. Kush ka mundur të lëvizë maleve, është e pamundur mos të ketë parë bimë të pishës së egër, plotësisht mbi shkëmb, rrënjët e së cilës e kanë shkallmuar atë… dhe kanë mbijetuar.

        Kështu, mund të konkludojmë se e drejta është fuqi e brendshme, se i dobëti apo i ligështi, nuk ka se çfarë të humbë, ndaj lufton me të gjitha fuqitë e shpirtit, ndërsa i pasuri, i pushtetshmi e jetërehatshmi humbet shumë, ndaj i shterojnë shpejt fuqitë e brendshme. Teoria marksiste thoshte: “Proletari në revolucion s’ka ç’humbet, veç prangave”, kurse më vonë është thënë se “…punëtori që kërkon të drejtat e tij, s’ka ç’humbet përballë pushtetarit”, se ai s’ka gjë tjetër veç kazmës, e ajo s’hyn në kategorinë e gjërave të lakmueshme prej pushtetarëve! Edhe unë, besoj si shumica e opinioneve sunduese, pra isha i mendimit se në SHBA nuk mund të fitonte Trump – i, përballë pushtetit të demokratëve, pasi ai ishte një ish – president me rekorde negative në pushtet, i akuzuar si përsëritës në thyerjen e ligjeve, mendohej se ishte figure e konsumuar, madje edhe i dënuar, e sa të duash arësye të tjera që e “çimentonin” modelin Biden të qeverisjes, por… Fitorja e Trump ishte jo vetëm e pa parashikueshme, por edhe spektakolare.

Pse?

Sepse ai “preku telat” e “të dobtëve”, apo të ligështëve me politikat e tij, qofshin ato edhe spekulative. Njerëzit ishin ndjerë të lodhur nga përgjumja e administratës Biden, nga rënia ekonomike, nga rendja pas konflikteve globale etj, këtu ndikoi dhe harresa, në njëfarë mënyre, e interesave e nevojave të tyre. Ata u hakmorën dhe e vërtetuan profecinë e shprehjes: Çuditet i forti, ça bën i ligshti!

       Jemi dëshmitarë të plot rasteve, disa fatkeqësisht ekstreme, kur njerëz që bullizohen nga shoqëria e organizmat shtetërore, veprojnë ekstremisht, duke sjellë rezultate të pa imagjinuara, apo kur njerëz politikisht të fuqishëm humbasin përballë ndonjërit që as emrin s’ia njeh kush, në se përballja është e ndershme, sepse njerëzit janë të lindur për të qenë të lirë, për të dhënë e marrë vëmendje e përkujdesje, e kur këto nuk ndodhin, t’a çarmatosin fuqinë, sado i forte dhe potencial të kesh.. Sidomos në nivel politik, “hakmarrja” e më të ligshtit ndaj më të fortit, është fenomeni më evident, sapo atij i krijohen mundësitë e shprehjes së lirë, e të njohjes së fuqive të vetvetes.

       Vitin e ardhshëm (2025) në vendin tone do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme politike, nga të cilat do të përcaktohet ecuria e vendit edhe për katër vite të tjera, me gjasë vendimtare, sidomos në aspektin e proceseve integruese në BE, gjë që përbën edhe “nordin” e politikës tridhjetëvjeçare postkomuniste. Qeveritarët actualë pretendojnë se, me bazat që kanë hedhur në këto tri mandatet e para, e kanë legjitime kërkesën edhe për një mandat të katërt, në finish të të cilit ata shikojnë e pretendojnë “ankorimin” e vendit në “portet” e BE – së. Opozita nga ana tjetër pretendon se vendi është në “kurs” të gabuar dhe se me këtë qeverisje, jo vetëm nuk do të mund të integrohemi aty ku pretendojmë, por rrezikojmë të përfundojmë politikisht si Rusia apo Korea e Veriut. Nuk do të hy në analizë se kush ka të drejtë e kush jo në këto pretendime paraelektorale, edhe se nuk e gjejë veten kompetent sa e si duhet, edhe “se nuk e ka larg nusja t’pamit” thotë një shprehje popullore, por edhe se tjetër analizë më intereson në këto rradhë modeste në formën e një opinioni. Zgjedhjet janë “fjala e të ligshtit”, e se ka gjasa që prej saj të çuditen “të fortit” e politikës sonë. Mazhoranca aktuale dukshëm ka krijuar hendeqe të mëdha e të thella me shtresat e popullsisë që përbëjnë edhe bazën e votës e të pushtetit të tyre. Shtresat ekonomikisht vulnerabël e kanë njohur pak e të zbehtë, për të mos thënë nuk e kanë ndjerë fare, dorën përkujdesëse të pushtetit të socialistëve. Kështu, pagat në sektorin privat edhe pse janë rritur, mbeten në kufijtë e minimales, pensionet mbeten qesharake, ndihma sociale është në formën e një lëmoshe, tatimi i punës është shumë i lartë e deri diskriminues, që nxit edhe informalitet masiv, klasa e mesme që duhet të ishte pika referuese e politikave të tyre e promotore e zhvillimit, nuk e ka ndjerë dorën e përkrahjen e saj përmes politikave të mirëstudjuara e afatgjata, qëndrueshmëria fiskale as që është mbajtur në konsideratë, ashtu si edhe siguria ligjore le shumë për të dëshiruar.

        As politikisht socialistët “e ligsht” nuk janë gjendur të përfaqësuar në pushtetin e “të fortëve” rilindas të votuar prej tyre. Përkundër tyre e në kundërshtim me politikën tipike majtiste, “Rilindja” ka krijuar përmes praktikave korruptive si koncesionet, PPP – t, formave të tenderimit që dukshëm paracaktojnë fituesit etj, një klasë të re pasunarësh, krahas përkrahjes, hapur e fshehur, të disa pasunarëve të ngritur me të njëjtat metoda nga paraardhësit e tyre politikë. Në vijim: pagat e sektorëve të lartë të administrimit të punëve të shtetit janë rritur disproporcionalisht me të ardhurat e popullsisë, që i mban ata me anë të tatimeve që paguhen prej tyre, dhe vetë administrata është rritur disproporcionalisht jo vetëm me përgjegjësitë e saj, por edhe me trendin e zhvillimit të popullatës. Politikisht, Rilindja ka afruar rreth vetes “edhe dreqin, edhe të birin”, sipas parimit makiavelist: “Qëllimi justifikon mjetin”!

      Po nga kampi “i princërve” apo “kandidatët e mbretërve” të fronit të pushtetit, si qëndron situata në këto raportet i forte – i ligësht? Përveçse akoma njerëzit i kanë të freskëta plagët e qeverisjes së tyre neodiktatoriale apo neokomuniste dhe faktit se ata janë shpërndarë si kakërdhiat e dhive të egra në shpella, politikat apo premtim – politikat e tyre, mbeten njëllojë në panatyrshmëri. Një e djathtë që në çdo tri fjalë ligjërimesh politike, “lufton” ata që i quan oligarkë (nënkupto të pasurit), pretendon masa populiste e barazitiste tipike neokomuniste, pretendon ulje çmimesh e taksash pa shpjeguar se si do arrihet, premton rritje të mëdha pagash e pensionesh, pa asnjë politikë të shpallur se si do të bëhen, thënë më thjeshtë rikthen “Suden” e “Xhaferrin”, gjendet dukshëm jashtë binarëve të natyrshmërisë politike të asaj që pretendojnë se përfaqësojnë, shtresave të djathta, duke nisur nga biznesi i mesëm e deri tek ai i madhi e korporatat.

      Në të dyja rastet, “i ligshti” është masa e votuesit, që pranverën e ardhshme do të ftohen të thonë fjalën e tyre përmes votës, (shpresoj të lire e nga njerëz të “zgjuar” nga jermia e mosbesimit në forcën e brendshme që kanë!) ndërsa “të fortët” janë Rama e Berisha (të plakur nga koha e gjatë në pushtet, të lodhur nga pesha e pushteteve pa kufi që mbajnë apo kanë mbajtur, e të deformuar rrënjësisht në diferencat mes ligjërimit politik – priftëror e veprimeve djallëzore në praktikë!). Që njëri nga “të fortët” do të çuditet nga forca e “të ligshtit” nuk është diçka e re, por a mund të ndodh që “të ligshtit” t’i çudisin “en block” të fortë e dobët të politikës shqiptare?! Të presim e të shohim…

Koha po troket me forcë e me shpejtësi në ndërgjegjen e secilit, që të vlerësojë e votojë politikanët pa maska e politikat pa makiazh.

————————–