Kur dashuron poeti-Dea Toçi


Dea Toçi

Do të bësh një poet të dashurohet pas teje?

Mos ia bëj kurrë të lehtë,

rrugën për tek ti bëja përpjetëz

të kacavirret drejt teje

pa u kapur në asnjë degëz.

Jepi dramë, sfida, dhimbje,

vështirësitë muzën i ushqejnë

dhe pa muzë ai e di mirë,

ka mbaruar, asgjë nuk ndjen.

Dështak i keq në rrethana lumturie poeti.

Duhen dhe ca lot gëzimi

nuk them mos ia jep,

por ahh çfarë drame…

Në gëzim me lot muza mbeti.

Poetin bëje të ketë frikë, ankth, dyshime,

do shpërthejë muza si kurrë më parë

dhe do shkruajë,

do i shkruajë shumë frikës

për mos të të humbur, për të të parë.

Vetëm kujdes!

Në çdo varg që ai shkruan e godet ndjenjën në qelizë,

ëmbël e vret në qetësi.

Në çdo varg që ti do e lexosh

do ta duash më shumë për të dy.

Edhe do çmendesh ti në fund

se me poetin ke rënë në dashuri,

por ai tashmë ka ikur larg,

drejt një muze të re në kërkim.