Kur isha nëpunës finance-Ramadan M.Pasmaçi i


  Ramadan M. Pasmaciu

Atëherë unë isha nëpunës finance në komitetin ekzekutiv të rrethit. Sa herë që dilja nga puna, shkoja drejt e në shtëpi dhe mblidhesha me gruan e me fëmijët. Pasdite bëja ndonjë shëtitje të shkurtër, ose shkoja në bibliotekë. Pra, e kaloja kohën e lirë, ashtu siç e kalon njeriu i shtruar.
Gjithë jetën kam qenë i tillë. Edhe kur isha i vogël, me ç’mbaj mend, nuk jam grindur kurrë me ndonjë shok. Tërë mëhalla më mbante në gojë për fëmijë të urtë e të butë. Po, edhe kur vajta në shkollë, pothuaj s’ndihesha fare, as brenda në klasë e as jashtë në oborr. Kur pyetesha në mësim, thoshja ç’dija dhe s’e vrisja mendjen për notën. Bëja vetëm punën time. Rrija orë të tëra mbi librat. Nota ishte anë tjetër. Megjithatë, asnjëherë mësuesit s’mbeteshin të pakënaqur nga përgjigjet e sjelljet e mia… Me shokët përzihesha pak ose aspak. Në lojërat e tyre thuajse nuk merrja pjesë. Ndaj ndonjë më i rritur më quante tip të mbyllur. Disa nga moshatarët më thërrisnin “baballëk”, kurse ca të tjerë shfrytëzonin faktin që kisha trup të shëndoshë dhe shkonin më tej, më shanin “tule”.
Pra, edhe pas më tepër se 15 vjetëve, unë, nëpunësi i financave, vazhdoja të isha për disa “tip i mbyllur”, për disa “baballëk”, e për ndonjë, që ishte rritur vetëm nga shtati – “i përshtatshëm për t’u çuar në planin e grumbullimit të mishit”. Nga njëra anë, këta të fundit kishin njëfarë të drejte, po vetëm njëfarë, ama. Megjithëse isha i gjatë një metër e gjashtëdhjetë e pesë, peshoja nëntëdhjetë e ca kilogramë.
Por, s’thonë keq, se jeta është e mbarsur me plot të papritura, mistere e surpriza! Krejt pakujtuar u realizua në personin tim një kthesë e menjëhershme. Pas kësaj kthese, për asnjë unë s’mbeta “tip i mbyllur”, as “baballëk” e as “i përshtatshëm për t’u çuar në planin e grumbullimit të mishit”. Pra, korra një fitore jo fort të vogël, ndonëse desh më kushtoi shtrenjtë.
Një mëngjes, porsa hyra në zyrë, dëgjova zilen e telefonit. Shpejtova hapat, mora receptorin në dorë, u përgjigja:

  • Urdhëroni!
  • Jeni ju, shoku Kasëm? – më pyeste një zë i panjohur.
  • Dora vetë, po ju?
  • Jam shoku Ferit, kryetar i komitetit të fizkulturës në rreth. Dua t’ju jap një lajm të gëzuar.
  • Ashtu! Ma thoni!
  • Alo, alo! Jo në telefon, jo! Mund të më rezervoni tani ndonja pesë minuta?
  • Ku?
  • Aty në zyrën tuaj. Jam gati të vij menjëherë.
  • Po mirë, ejani!
    Rashë në mendime. Jepja e merrja me vete, të gjeja se ç’lajm të gëzuar mund të kishte për mua kryetari i komitetit të fizkulturës në rreth. Fundi i fundit, ç’na lidhte ne të dy!? Unë me të s’kisha as muhabet, as…
    Ndjeva në derë të trokiturën, e pas saj pashë shokun Ferit, tek hyri duke buzëqeshur.
  • Mirëmëngjesi! – më tha. – Si jeni, si shkoni?
    Pa pritur t’i përgjigjesha, ma rrëmbeu dorën e djathtë, ma shtrëngoi në mes dy duarve të veta dhe vazhdoi:
  • Ja, si është puna! Ne, duke studiuar në mënyrë të pavarur aftësitë tuaja fizike, dhe duke i marrë me mend edhe prirjet që kini në këtë drejtim, vendosëm njëzëri t’ju pranojmë anëtar të ekipit të mundjes, i cili së shpejti do të konkurojë në garat kombëtare, që do të zhvillohen në Shkodër. Ju do të jeni përfaqësues i peshës së rëndë.
    E toku me mua përsëri dhe më pëshpëriti:
  • Urime, shoku Kasëm!
    Se si m’u bë! U habita, a u revoltova, nuk e di. Padashur e ndërpreva me zë më të lartë se zakonisht:
  • Unë në ekipin e mundjes! Unë i peshës së rëndë! Po unë s’di t’ju kem bërë ndonjë lutje! – Dhe krahët m’u shtrinë anash vetiu si në gjimnastikë!
  • Nuk ka gjë, nuk ka gjë! Ne pranojmë edhe pa lutje, në raste të jashtëzakonshme, sidomos kur kemi të bëjmë me njerëz tepër adaptë sikurse jeni ju, prandaj mos u merakosni!
    Me këto fjalë më detyroi ta humbja respektin për të.
  • Çfarë flet, more! – ia ktheva me “ti”. – Paske gjetur kë të zgjedhësh për t’u rrokur! Unë jam baba me pesë fëmijë!
  • S’prish punë, s’prish punë; ju me trupin që keni…
  • Ç’trup më zë në gojë, aman! Unë i kam këmbët me rrathë. S’kam fije muskulature. S’jam marrë kurrë me sport. Ti thua…
  • Edhe kjo e ka ilaçin e saj.
  • Si!?
  • Do t’ju stërvisim, shoku Kasëm, do t’ju stërvisim! Këtej e tutje do të punoni me orar të reduktuar, por edhe do të keni njëfarë pagese shtojcë. Është ligj, nuk luan dot njeri me ligjin!
  • Po punën këtu kush do ta bëjë, Marika?
  • Do t’ju sigurohet ndihmë e menjëhershme, i dashur Kasëm. Fizkultura dhe sportet kanë rëndësi të veçantë. Ndaj edhe për një kohë do të ushqeheni gratis. Por, kryesore është që ju të kuptoni se duke marrë pjesë në ekipin e mundjes, jepni kontribut patriotik. Tani, besoj, jeni dakord?
  • S’di si t’ju them…
  • Ç’të më thoni! Unë jua theksova. Mos harroni! Ky është kontribut patriotik!
  • Që t’i japim fund, – i thashë, – në qoftë se s’do të ketë kundërshtim as gruaja…
  • Sukses, shoku Kasëm, sukses! Në sytë tuaj unë lexoj një të ardhme të ndritur sportive…

I tregova sime shoqeje një për një ç’më kishte ndodhur. Si më erdhi shoku Ferit, si më tha e si i thashë. Në fillim ajo s’bëri zë.

  • Po ta studiosh hollë – hollë, – vazhdova unë, – të ushqehesh gratis dhe në mënyrë speciale, qoftë edhe për një kohë, apo të punosh me orar të reduktuar, nuk është edhe aq keq. Veç kësaj, siç thonë, sporti të shton jetën!
  • Në qoftë se ta ha syri se mund të bëhesh vërtet mundës, mirë. Por, po nuk e ndjeve veten të aftë, mos ia hyr fare kësaj valleje, se gjen belanë!
  • Po do të stërvitem, moj grua. A nuk të thashë që do të stërvitem?
    … Dhe stërvitja filloi.
  • Ky dysheku e ka emrin tapet! – më tha traineri. – Mbi të zhvillohet mundja. Tani, me që jemi në fillim, mua më intereson të zbuloj se në cilat detaje duhet ta përqëndroj ndihmën time gjatë ushtrimit tuaj në sportin e mundjes. Për këtë, sipas programit të sotëm të stërvitjes, do të bëni disa mundje. Merreni pa shqetësim, pasi kundërshtarët që keni këtu janë me peshë më të vogël!
  • Mirë.
  • Eja, Kolë! – i thirri traineri një mundësi.
    Kola erdhi e qëndroi përballë meje. Shikoi me sy të keq trupin tim rrumbullak, barkun e kërcyer dhe s’e mbajti dot të qeshurit. Vetëm atë çast unë mora vesh se sa sedër të zhvilluar paskësha pasur. Tëmthat nisën të më rrihnin. E ndjeva veten të fyer sa s’thuhet. Ai po më nënvleftësonte! Ai po qeshte me barkun tim! Kjo ishte skandaloze. Mos ma kishte ushqyer vetë? Veç kësaj, ç’mendonte Kola, se më kishin thirrur aty për t’u torolisur të tjerët me mua? Harronte ai se unë do të isha i vetmi përfaqësues i peshës së rëndë në ekipin e rrethit? Dhe aftësitë fizike m’i kishin studiuar. Kështu më kishte thënë Feriti. Ndërsa ky piskuriqi Kolë po guxonte të ngërdheshej!… Iu derdha. E përfshiva nga beli. E ngrita përpjetë. Por, kur matesha ta pëllcisja në tokë, sa nuk bërtita. Ndjeva kokën të më mbërthehej në krahët e Kolës si nga një morsetë metalike. “Jo, more! Dashke të më marrësh shpirtin! – thashë me vete. – E po, qeni qepën të hajë, dy duar për një kokë janë!…” Dhe ia ngula dhëmbët fort në llërë. Të mos kishte klithur e të mos kishte hequr dorë nga ai shtrëngim i tmerrshëm, ku ta dish, mbase edhe mund ta kishte lënë ndonjë copë mishi! Po, ç’ta zgjas!
    Erdhi dita që trainimi mori fund. Unë, sipas mendimit të trainerit, isha bërë i pathyeshëm. Të them të drejtën, më kënaqej zemra, kur më mburrte ai, veç edhe se si më vinte! Një si xhumbë më mblidhej m’u në lukth, më merrej fryma dhe më rrënqethej trupi. Por, më e çuditshmja ishte se nuk e gjeja dot arsyen përse ndodhte ashtu me mua

Rrugës, kur udhëtonim për në Shkodër, shoku Ferit, kryetari i komitetit të fizkulturës në rreth, rrinte pa folur, me sytë gjysmë të mbyllur, mbërthyer diku në horizont, jashtë dritares së makinës, që ecte me shpejtësi.
Me të mbërritur, ai më ra lehtë supeve dhe më tha:

  • A e vure re se si rrija i heshtur gjatë udhëtimit? Diçka mjaft interesante bluaja nëpër mend. A do ta dish se çë, hë?
  • Mirë, thuama!
  • Kryesore për fitoren në çdo lloj sporti është që të përpiqesh për të ndikuar negativisht në psikologjinë e kundërshtarit. Domethënë, të arrish që atij t’i lindë e t’i stërzmadhohet në ndërgjegje fryma e mosbesimit në forcat e veta, kupton?
  • Jo!
  • Dëgjo, dëgjo! Ty s’të quajnë Kasëm Vishnja, por Uk Çakalli. Dhe ti e di, “uk” në malësitë e Veriut i thonë ujkut, apo jo? Kurse çakalli thirret gjitthandej “çakall”.
  • Qysh, qysh!?
  • Mos më ndërprit, të lutem!… Kur të dëgjojnë emrin tënd të tmerrshëm, kushedi sa do të rrënqethen e struken me sy të shqyer, pa lëre pastaj kundërshtarët!… Besomë, do t’u dridhet tërë trupi si me korrent dhe do t’u kërcasin dhëmbët në gojë si kokrra misri, që derdhen në tepsi të bakërt. Kupton?
  • Hiç, për nderin e familjes!
  • Më plase, për besë! Si, more, s’më kuptoke!? Të ta ndryshojmë emrin që të ka vënë yt atë, se tingëllon shumë i butë. As pulat nuk tremben, po t’u thuash “po vjen Kasëmi!”, e jo më ata alamet mundësash. Tani më more vesh, besoj. Hape gojën, pra! Fol! A nuk është kjo një ide gjeniale?
  • Po se mos na pjell ndonjë belá, or ti. Se, si çorbë e thartë më duket.
  • Pse!?
  • Si pse!? Po në më kërkofshin korçanen e kokës?
  • Sa për atë, as që mos e lodh mendjen! S’e vret njeri trurin t’i gjejë syrin pleshtit!
    Qeshëm të dy. I shtrënguam dorën njëri – tjetrit. Me të vërtetë ideja e tij të habiste.

5.

Më hipën në kandar.

  • S’është i peshës së rëndë! – thirri peshuesi.
    Shokët dhe traineri shqyen sytë. Unë mbeta gojëhapur. Edhe sheqer në shi të kisha qenë, s’do të isha tretur aq lehtë e aq shpejt. Ku më kishin shkuar 4 kilogramë e ca mish?! Një muaj të tërë vetëm duke lozur kisha ndenjur; në vend që të kisha shtuar, paskësha bërë tatëpjetë! Domosdo nga frika, s’do mend. Për herë të parë do të provoja forcat me turlisoj tipash të panjohur. Dhe, për më tepër, në një sport ca si të sëkëlldisur.
    Në çast u lehtësova disi. Trainerit se përse i ndriti fytyra dhe buza i qeshi paksa. Më shkeli një herë syrin e më dha shenjë t’i vija pas… U futëm te një barakë. Ai qafir i kishte marrë masat. Më tregoi një goxha sharqi, që kisha ndër këmbë.
  • Kasëm vëllai, – më tha, – ky vjen tamam pesë kile. Përvishu e haje! Do të arrish menjëherë peshën e rëndë.
    Ç’të bëja? Pri thela e ha! Pri e ha!… Or, po më pëllciste barku!
  • S’mundem më! – ia ktheva trainerit, që më vështronte sa në gojë e sa në sy.
  • Aman, se na fike! – thirri ai me duart në kokë. – Vetëm tri të prera të kanë mbetur. Jepi edhe ca, se ujë është e del!
    Dhashë e dhashë, i shtyta edhe ato, vetë e di si.
  • Shpejt, – bërtiti traineri, – shpejt në kandar!
  • Do edhe gjysmë kile! – tha peshuesi dhe se përse u ngërdhesh! Sa antipatik m’u duk! I hodhi sytë përsëri mbi mua e përsëri u ngërdhesh! Kushedi se si isha bërë prej zorit që ndieja!… Traineri u skuq dhe mërmëriti:
  • Po si është e mundur!? – Pastaj u hodh përpjetë si ai që kujtohet për çadrën e harruar në markato:
  • E kam fajin unë, or burrë i dheut! – Më tërhoqi mënjanë dhe shtoi: – Kasëm, or xhan, a e di se nga rrodhi tërë kjo?
  • Jo!
  • Harrova të zbrisja peshën e lëkurave të sharqirit nga pesha jote bruto, dreqi e hëngërt! Pashë dy sytë e ballit, hajde të hashë edhe ca!
  • Po, s’ha dot, bre!
  • Hajde, hajde! Tregohu i logjikshëm!
    Vajta. Hëngra një të prerë. Ngeca.
  • Jepi forca! Shtyje edhe këtë tjetrën!
  • Vetëm që të nxjerr zorrët! – ia prita. – Edhe fryma më rëndon!
  • Mos na merr më qafë ekipin, Kasëm!
    Me njërën dorë shtyja të kafshuarat e sharqirit në gojë, e me dorën tjetër shtypja sytë, se më bëhej sikur po më dilnin si kokrra arre.
  • Çohu tani!
  • S’çohem dot, për nder të familjes! Më ço ti!
  • Qyyysh!?
  • Dua të shtrihem.
  • Thirri mendjes, shoku Kasëm! Tani fillon gara!
  • Dua të shtrihem, – thashë. – S’lëviz dot hiç. Më vjen gjumë.
  • Mos paça njeri, ju s’jeni në vete!
  • Mor po, se si më vjen!
  • Çohu, çohu! Bëj ujët e hollë!
  • Po nuk më bëhet!
    Ç’të doni thoni, pisk e pashë veten atë çast.

Mundësit e ekipeve të tjera bënin ç’bënin dhe vinin rrotull meje. Më shikonin sikur të isha përbindësh e jo njeri. Me sa dukej, Feriti bridhte dhe kukuriste për mua ç’i vinte për goje. Nga ta dija! Mbase më kishte shpallur edhe si njeri që, kur më shkrepej, e haja mishin të pazier. Gjithçka mund të prisje nga ai. Ishte prej atyre që shkojnë me fantazi dhe e kalojnë lejen e zakonshme në hënë.

  • Uk Çakalli! – thirrën nga juria. Dola. Mblodha vetullat dhe shikova në të katër anët, sikur të kisha hipur mbi një kalë përrallash. Se si m’u dha, u ktheva nga publiku dhe bërtita:
  • Kush është ai sokol mali, që e gënjen mendja se mund të rroket me mua!? Bujrum, le të urdhërojë! Ja, tek më ka!
    Shkeli në tapet një mundës me muskuj të kërcyer. I ngula një vështrim të egër dhe ndjeva një ndrydhje në kraharor. Zemra m’u drodh. “Ky, – thashë me vete, – ka për të m’i bluajtur kockat. Div me halle qenka! Qyqi ti, Kasëm! Ç’t’u desh dasma në Karbunarë!”
    Ndërkohë gjyqtari na bëri shenjë të afroheshim e t’i jepnim dorën njëri – tjetrit. Tek e takova kundërshtarin, ia mbërtheva sytë në bebëza dhe i pëshpërita:
  • Mundja është sport i bukur, hë? Sot do ta ndiesh gjallë këtë, mor bukurosh!
    Sakaq ai bëri një hap prapa. “Po merr fuqi, – mendova, – e paska zakon të vërvitet si tigër!” – dhe sa s’m’u prenë gjunjët. Kur, ç’e papritur e ëmbël! Ai ngriti krahun lart. E deklaronte veten të mundur! Në çast shpërtheu një breshëri duartrokitjesh të vetëtimta.
  • Uk Çakalli! Uk Çakalli! – brohoritën shokët e ekipit tim. Ktheva kokën nga Feriti, që rrinte ulur në një stol karshi meje. Qe ngritur në këmbë dhe ishte fryrë si gjel deti.
    “Buç- ko, buç – ko!” – më thirri me zë të lartë, duke i mëshuar rrokjes së parë me një zë të veçantë. Kushedi sa i kënaqur ndihej! Dhe kishte të drejtë, si jo! Ai më paskej zbuluar, ai vetë dora! Dhe ja, parashikimet e tij po vërtetoheshin…
    Nga kapitullimi pa kushte i kundërshtarit të parë, mora një fije zemër. Drejtova trupin, hapa këmbët paksa, vura duart në ije, zgjata nja katër gishta përpara vetëm kokën time të madhe dhe prita me një farë krenarie ç’do të ndodhte më tej.
    Juria, me sa u duk, deshi të sodiste aftësitë e mia sa më parë. Duke transmetuar zërin e saj, gjyqtari ftoi të paraqitej një mundës të dëgjuar, i cili u ngrit në këmbë dhe e tundi peshqirin në mënyrë të çuditshme. Kishte ca sy të thelluar e të errët, lëkurë të reshkët e të zezë, vetulla të trasha strehë dhe dhëmbë të dalë e të mëdhenj.
    “Po tani? – pyeta veten me frikë. – Do të të rrjedhë bërxolla nga hundët, or lumëzi!” Dhe u kolla fort. Por, duket, kundërshtarit iu bë kolla ime si ungurimë.
  • Jo, or byrazer! – i tha gjyqtarit. – S’kam ardhur këtu të lë ndonjë kockë! Nuk u ndesh me të Taqka, e jo të ndeshem unë! S’janë për mua ato kërnacka, bre! Le t’i hajë ndonjë tjetër! Ja, tek e ngrita krahun! Jam i mundur!
    Prapë shokët brohoritën. Prapë Feriti u fry si gjel deti.
    Tani në sytë e publikut unë isha bërë një figurë tepër simpatike… Por, më tepër simpatik u bëra kur nuk pranoi të maste forcat me mua as edhe mundësi i tretë. “Dreqo punë! – belbëzova. – Mbase u dukem si dem!” Dhe as sot nuk jam në gjendje të përcaktoj se gjer ku do të rrëshqiste fantazia ime, në qoftë se befas nuk do të kundërvihej përballë meje në tapet një tjetër përfaqësues i peshës së rëndë. Përplasa buzët dhe e shikova me mospërfillje. M’u duk krejt si kaposh. “Fakiri, – mërmërita, – qenka i ri! I riu – si veriu! Rrëmbehet…”
  • Ti, ti do të më mundësh mua, mor karafil i lalës!? – e pyeta.
  • Po! – ma ktheu i vendosur dhe shtrëngoi nofullat. – Do ta shohësh!
    Qesha. I shkreti ai! Do ta bëja që, kur të kujtonte tapetin, t’i vinte qylafi vërdallë. Po, për nderin e familjes!
    Me t’u dhënë shenja, iu derdha duke shfryrë. Mua të më shiste mend! Nga inati që më përfshiu, i harrova të gjitha taktikat e manovrimet, që më kishte mësuar traineri, si edhe porositë e veçanta, që më pati dhënë Feriti. E përfshiva kundërshtarin e ri nga mesi, e shkëputa nga toka dhe e ngrita mbi kokë. Pastaj, duke mos dashur t’i lija kohë që të ma punonte siç ma kishte punuar Kola në stërvitje, e shemba në dyshek dhe i hipa përsipër. Në këtë çast më shpoi veshin fërshëllima e bilbilit të gjyqtarit.
  • Faull! – bërtiti ai. – Çohuni! – Dhe pasi u çuam, m’u drejtua mua:
  • Ti do të rrish i shtrirë përmbys dhe ky do të të hipë mbi shpinë.
    U çudita sa s’thuhet. Ç’kuptim kishte kjo! Unë… unë të shtrihesha!? Unë Uk Çakalli!? S’e besoni sa thartë e sa hidhur më erdhi!
  • S’po të marr vesh! – ia prita vëngër gjyqtarit… U afrua me vrap shoku Ferit. Si më shkeli syrin me marifet, më tha duke më treguar mundësin që kisha përballë:
  • Me kujdes, i dashur! Ky është vëllai ynë dhe me moshë të re, ti e shikon! Gjynah!
    E thitha. Donte t’i kallte atij frikën.
  • Mirë, mirë! – iu përgjigja vrazhdë dhe i hodha kundërshtarit një vështrim të shpejtë. Hiç, qerratait, s’po ia bënte syri tër!… U shtriva. Papandehur ndjeva qafën të më shtrembërohej. Interesant! Po më bëhej sikur po m’i tërhiqnin gjithë damarët e trupit dhe po m’i shtrydhnin në mes të qafës! Qysh disa vjet më parë kisha deklaruar se nuk e besoja më perëndinë, por në atë çast “O Zot, më shpëto!” – pëshpërita. Se si i kishte ngatërruar duart e bërrylat ai shejtan mundës dhe po ma përdridhte qafën! Sytë po më dilnin si vezë pate. Krejt gjaku po më grumbullohej në kokë, e sa s’po më plaste si currila! S’më kishte mbetur më pikë fuqie.
  • Lëshomë, or të keqen! – i thashë me zë të mekur. – Lëshomë, se kthehem vetë!
    Por, për çudi, kundërshtari sikur s’i dëgjoi fare fjalët e mia! Në ndonja tridhjetë a dyzet sekonda ndjeva frymën e tij të nxehtë të më përvëlonte faqet.
  • Aman, bre, – vazhdova, – se jam baba me pesë çiliminj!
  • Kujt kërkon t’ia hedhësh?! – ma ktheu i nxehur dhe mori hov të ri. “Kërtap!” se ç’ia bëri në qafën time. Unë pashë vetëm se si m’u suall bota dhe më s’mora vesh se ç’ndodhi…
    Kur hapa sytë, siç më tregoi ai qerrata Ferit, që më krodhi në tërë ato telashe, kishin kaluar tri orë e ca. Shokët jepnin e merrnin mbi mua. Dulja më fërkonte në qafë me vaj ulliri. Doktori më mbante pulsin. Pra, kuptohet, s’isha përmendur si duhet.
  • Ku është Xhusti? – pyeta instiktivisht për çunin tim të vogël, i cili në ato çaste, siç mora vesh më vonë, rrinte i qetë pranë së ëmës, (që më kishte dalë me kohë nga borxhi) dhe nuk e merrte dot me mend në ç’hall të madh ishte kredhur i gjori baba