-Një fitore e jona ishte 8 USD, kurse Barcelona 15.000 USD.
-“Përse duhet të luajë në kombëtare djali i kulakut?”
-Gazetat austriake të asaj kohe shkruan me tituj thumbues:
“Erdhën shqiptarët me trastat në duar.”
Gezim Llojdia

1.
Në qytetin bregdetar të Vlorës, ku deti takon qiellin, një ekip futbolli nuk ishte thjesht lojë ishte krenari, sfidë dhe ëndërr e një brezi.
Ky është rrëfimi i Flamurtarit, i ndeshjeve, udhëtimeve dhe betejave, që shkuan përtej fushës.
2.
Në vitet ’80, Vlora ishte një qytet që jetonte me detin, por rrahjet e zemrës i kishte te futbolli.
…Në çdo rrugicë, në çdo kafene të mbushur me tym cigareje e zëra të ngazëllyer, përmendej vetëm një emër: “Flamurtari”.
Ishte koha kur ky ekip i vogël shqiptar sfidonte të mëdhenjtë e Europës dhe u jepte shkëlqim ëndrrave të një populli të izoluar.
Dy ishin shtyllat që mbajtën lart këtë emër.
… Suksesi i papritur në arenat ndërkombëtare, që e bëri Europën të kthejë sytë nga Vlora.
… Pabesia e regjimit, që me një ftohtësi ç’njerëzore goditi lojtarët , dhe duhej t’i dënonte për guximin e tyre.
3.
Vlora e asaj kohe është dëshmitare e heshtur. Rrugët e qytetit mbajnë ende kujtimin e brohorimave të mijëra tifozëve që ndjenin se përmes “Flamurtarit” ishin edhe ata pjesë e Europës. Dhe ende sot mbetet i paqartë qëllimi i dënimit të atyre djemve që sollën lavdi.
…Në horizontin e futbollit europian, Barcelona ka qenë gjithmonë një gjigant me yje të shndritshëm.Por atëherë, përballë saj u ngrit një ekip i panjohur nga një qytet i vogël bregdetar, që nuk kishte para, por kishte zemër.
Në stadiumin e Vlorës, përballë tribunave të mbushura, u shkrua një histori, që askush nuk e kishte imagjinuar.
40 vjet më vonë, protagonistët e atyre ndeshjeve mbeten faqe të gjalla të një libri kujtimesh. Kujtime të bukura, por të thyera nga dhimbja e kohës. Regjimi i ftohtë i asaj epoke, i ngjashëm me akullin e Antarktidës, u tregua i pamëshirshëm ndaj sportistëve që guxuan të sfidonin gjigantët. Ata ishin djem të thjeshtë, që mbanin mbi supe jo vetëm një fanellë, por edhe krenarinë e një kombi të tërë.
Kreshnik Çipi, një ndër figurat e shquara të atij brezi, më vonë do të rrëfente me dhimbje se si realiteti i asaj kohe i la të priste mes shpresash të thyera. Rreth viteve 2000, ai solli në dritë disa fakte tronditëse, që e bënin edhe më të dukshme kontrastin, mes një vlere sportive të pamatë dhe një harrese të padrejtë.
4.
Libër i hapur.Stoperi i “Flamurtarit” dhe i kombëtares shqiptare në vitet ’75-’80, Kreshnik Çipi, lindi më 15 shkurt 1958. Ai u rrit në lagjen e vjetër dhe me traditë të Vlorës, Muradije. Ishte një lagje ku futbolli nuk ishte thjesht lojë, por një pasion që dehte fëmijët dhe u ndizte sytë.
“Muradija u bë e njohur,” kujton Çipi, “sepse nga shtëpitë e saj të vogla dolën dhjetëra talente që kapën majat e sportit shqiptar.
” Prej andej e nisi rrugën e tij edhe Vasil Ruçi, aty mësoi të fshehtat e portës edhe portieri i njohur Perlat Musta.
5.
Lagjja e panjohur e sportistëve.Nëpër rrugicat e Muradijes, mbi biçikletën e tij të zakonshme, kalonte shpesh një njeri i madh i sportit: Feredun Bejkosala, mësues i edukimit fizik.
Ai kishte një sy të mprehtë për talentet. Sa herë kthehej nga punët, nuk harronte të ndalonte e të vështronte lojën e djemve të lagjes.
“Një ditë, pasi pushuan shirat e stinës, Bejkosala ndaloi biçikletën dhe më tha: Do vish në futboll,” – rrëfen Çipi.
“Në atë çast zemra më ngriu. Ishte oferta e parë që dëgjova ndonjëherë. Ai e përsëriti edhe të nesërmen, i vendosur. Më tha se futbolli është një art më vete. Nuk është vetëm të vraposh nga njëri cep i fushës në tjetrin. Ka bukurinë, shëmtinë, madhështinë dhe rënien e tij. Kështu, unë pranova, duke u dorëzuar ëmbëlsisht ndaj kësaj magjie.”
Hapat e parë i bëri në një spartakiadë mes qyteteve të vendit.
“Me shpirtin të lodhur atëherë arritëm të mundnim Dinamon, Korçën, Fierin. Në fund fituam vetëm një kupë qelqi e thjeshtë, pa asgjë për t’u pasur zili. Por ajo për ne vlente më shumë se çdo trofe tjetër.”
Dhe aty, mes entuziazmit të parë, lindi edhe refreni i një kënge që i udhëhoqi gjatë:
“Ne jemi më të fortë, ne do të fitojmë.” frazë e thjeshtë, e futur nga Skënder Ibrahimi, por që për ta tingëllonte si një betim.
6.
Pema e familjes Çipi.
…Askush nuk do ta kishte menduar se familja Çipi do të krijonte një traditë kaq të fortë në sportin vlonjat. Dy dajat e mi, Xhevat Llupa dhe Luan Llupa ky i fundit, edhe i dënuar politik lanë emër në sport. Vëllai i madh, Vilson Çipi, matematicien i zoti, ishte gjithashtu pjesë e skuadrës së volejbollit të Vlorës.Bashkëshortja , Natasha Çipi, u bë një nga sportistet më të spikatura të qytetit dhe një nga volejbollistet e kombëtares shqiptare.
Në vitin 1992, kur isha 32 vjeç, ia dorëzova fanellën time nipit, djalit të Vilsonit, Geri Çipit. Ai do të bënte karrierë në Belgjikë me “Gent”-in dhe më pas në Gjermani me disa ekipe të njohura, duke u kthyer në një nga mbrojtësit më të fortë të kombëtares shqiptare. Geri ishte mbrojtësi rebel, që në Bayer-Arena të Leverkusenit “bllokoi” Oliver Bierhoff-in, sulmuesin e frikshëm të Gjermanisë.
Arnold Çipi, nipi tjetër, djali më i vogël i Vilsonit, ndoqi gjithashtu rrugën e futbollit. Kështu, pema e familjes sonë u kthye në një trung të fortë sportistësh, nga ku shpërthyen degë të shumta. Një ëndërr ,që zbriste nga qerpikët në fushën e gjelbër.
7.
Vitet e para.Ishte koha kur Feredun Bejkosala dhe S. Elmazi kërkonin një mbrojtës të majtë për ekipin e të rinjve të “Flamurtarit”. Edhe pse isha vetëm 15 vjeç, nuk munda t’i mbaj lotët kur më dhanë atë shans. Një sezon e gjysmë qëndrova aty, duke fituar përvojë e besim.Në janarin e ftohtë të vitit 1975 kalova në ekipin e madh të “Flamurtarit”.
Atëherë mbrojtja e skuadrës ishte një mur i lartë shtatlartësh. Unë zura vendin tim të ëndërruar, atë që nuk do të ma ndante jeta për 15 vjet. Shpejt e kuptova se çdo ndeshje ishte si një betejë, ku mbrojtja jonë kthehej në një kordon të hekurt.
Skuadra e atyre viteve kishte emra që sot mbeten legjenda për qytetin:
V. Radhima, B. Nelaj, K. Shakaj, N. Saraçi, A. Ahmeti, G. Troqe, M. Zeqiri. Sulmi ishte një “baterí” e vërtetë: Mexhit Haxhiu, Sh. Zilja, S. Curri. Unë hyra në ekip së bashku me P. Ruçin.
“Flamurtari” i viteve ’70 qëndronte zakonisht në vendet 5-6 të tabelës. Tifozët e zjarrtë, nga tribuna “C”, thërrisnin me humor e inat:
“Bëje fole atje ku je, se të erdhi ujku!”Me “ujk” ata nënkuptonin Tiranën apo Dinamon, gjigantët që përherë u ngjiteshin në qafë skuadrave të tjera.
Ndeshja ime e parë me Dinamon ndodhi më 2 ose 3 tetor 1975, një ditë vjeshte. Dinamo ishte një ekip i fortë, me një sulm të pamëshirshëm: Panajot Pano tashmë ishte lënë pas, por ishin aty Pernaska, Zëri, Ballgjini… Ky i fundit ishte “preja” ime. Dhe aty filloi libri im i jetës sportive.
8.
Përballë Shusterit, Butragenjos, Bonjekut.Aty nga vitet ’80, futbolli shqiptar ndeshej me emra që sot janë bërë legjenda. Me fanellën e “Dinamos” ose të kombëtares, unë u gjenda shpesh përballë tyre.
9.
Holanda dhe magjia e Ajaksit.Kur “Dinamo” kishte nevojë për një mbrojtje të fortë kundër “Ajaksit”, përballë kishim sulmuesit e shpejtë e të fortë: Tahamata, Andersen, Lerby. Në stadiumin e Amsterdamit, mes dritave dhe zhurmës së tifozëve, pamë të madhin Johan Cruyff. Ai, edhe pse i tërhequr nga loja, drejtonte me mjeshtëri një brez të artë: Van Basten, Bosman, Rijkaard. Ishte si të ishe në një skenë të madhe, ku çdo lëvizje e tyre ishte art i pastër.
10.
Austri, përballë Prohaskës.Me kombëtaren, në Austri, përballë kisha Herbert Prohaskën. Ishte i gjatë, mospërfillës në sjellje, një futbollist që e gjente shpejt gjuhën e përbashkët me shokët e tij: Krankl, Pezzey, Konsilja, Obermayer. Shumë herë më kanë pyetur: “Si e mbajte?” dhe unë përgjigjem: me mundim, me djersë, duke i qëndruar gjithnjë pranë.
11.
Italia dhe “hipnoza” e Boniekut.Në vitin 1986, përballë kisha Zbignieë Boniekun, sulmuesin e madh të Juventusit. E kam thënë gjithmonë: ishte si “hipnozë” ta ruaje. Ishte i paparashikueshëm, energjik, çorientues, një lojtar që e mbështeste lojën e tij mbi pabesinë e befasisë. Ishte frikë, por edhe privilegj, të kishe përballë një yll të tillë.
12.
Spanja dhe “magjistari” Butragenjo.Në vitin 1992, në Spanjë, përballë doli Emilio Butragueño, “El Buitre” i famshëm i Real Madridit. Me Michellin, Sanchísin, Guardiolën përkrah, ai dukej sikur fluturonte mbi fushë. Ishte dinak, i brishtë në pamje, por i pabesueshëm në shpejtësi. Tiparet e tij dukeshin të buta, por fshehnin një hije grabitqari. Shpesh mbrojtësit i linte pas, shumë metra larg, sikur loja të ishte një vallëzim i tij personal.
13.
Barcelona, Shusteri dhe të pamundurit.Kurse Barcelona… ajo ishte ndryshe. Aty ndesheshim si të barabartë, edhe pse përballë kishim një “ushtri” yjesh.
Linekeri i kombëtares angleze, Hughesi nga ishulli, ishin sulmues që nuk të linin të merrje frymë. Por mbi të gjithë, në vitin 1986, spikaste Bernd Schuster “i tmerrshmi”. Kishte një goditje që rrëzonte çdo portier të Europës. Ai ishte ora e qartësisë: aty ku kuptoje se futbolli nuk është vetëm lojë, por edhe guxim për të qëndruar përballë madhështisë.
14.
Një fitore e Katanecit ishte 8.000 USD, kurse Barcelona 15.000.
Muzgu kishte rënë mbi stadiumin e Beogradit. Në fushë, një lojtar i madh i asaj kohe, Srečko Katanec më vonë trajner i Sllovenisë u pa me sy të përlotur. Ne menduam se qante për humbjen, por përkthyesi na e shpjegoi:
“Është i dëshpëruar, sepse humbi 8.000 USD.”
Për ne, kjo shumë dukej e pabesueshme, pothuaj fantashkencë.
Më vonë, në Barcelonë, dëgjuam një tjetër histori që të linte pa fjalë.
“Ju luftoni për një mëngjes,” na tha dikush me një buzëqeshje ironike.
Dhe kishte të drejtë: shpërblimi ynë për një fitore ishte vetëm 8 USD. Ndërsa futbollistët e Barcelonës merrnin plot 15.000 USD për çdo ndeshje. Ishte një tjetër botë.
Qyteti i Barcelonës ndriçohej si në përrallë.
Nga aeroporti, teksa ktheheshim drejt hotelit, dritat e mëdha na mahnisnin. Rrapo Taho, me humorin e tij të zakonshëm, ia hodhi një batutë komisarit që na shoqëronte:
“Ku i gjejnë gjithë këto drita, o shoku komisar?
Ai, serioz, iu përgjigj:
“Janë reklama, Rrapo, reklama.”
Tahoja nuk u përmbajt: “E, o shoku komisar, reklama janë… por fshati që duket nuk ka nevojë për kallauz.”
Komisarët e partisë që na shoqëronin jashtë shtetit kishin gjithmonë “porosi të rrepta”: Mos merrni këtë, mos prekni atë, mos sillni gjëra. Por kur vinte puna tek vetja, nuk harronin të fusnin në xhep edhe lugët apo pirunët e avionit.
Kështu ishte udhëtimi ynë nëpër botë: nga varfëria e fjalës së dhënë në atdhe, drejt viseve me fjorde të magjishëm e qytete që na shfaqnin një tjetër realitet. Një realitet që ne e prekëm vetëm për pak orë, por që do të na mbetej gjatë në kujtesë.
15.
Në Finlandë me këpucë të grisura.Finlanda, vendi i fjordeve të magjishëm, për ne shqiptarët të ardhur nga një vend i varfër, dukej si një parajsë e largët.
Çdo gjë atje ishte e rregullt, e pastër, e qetë. Por për ne, lojtarët e kombëtares, shpesh ndeshjet nuk fillonin në fushë fillonin me turpin që na rëndonte mbi supe.
Në Helsink, kujtoj një episod të hidhur:përfaqësuesi i kombëtares sonë kishte veshur këpucë të grisura.
Për të mos e dalluar arbitri apo kundërshtarët, u vonova në dhomat e zhveshjes, duke shpresuar që askush të mos e vërente atë gjendje mjerane. Ishte një ndjenjë e trishtë, sepse përballë kishim lojtarë që vinin nga botë tjetër të pajisur me gjithçka, ndërsa ne mbroheshim vetëm me krenari dhe sakrifica.
Në vitin 1980, përballë austriakëve, ndodhi diçka tjetër.
Ata nuk e fshihnin dot përbuzjen për regjimin tonë dhe dallonin menjëherë varfërinë që na shoqëronte.
Gazetat austriake të asaj kohe shkruan me tituj thumbues:
“Erdhën shqiptarët me trastat në duar.”
Ishte një mëngjes fundvjeshte, i ftohtë, i zymtë. Dhe ndërsa ne ngroheshim me frymën e njëri-tjetrit dhe me pasionin për lojën, bota jashtë na shihte si të ardhur nga një epokë tjetër.
16.
Më ndihmoi djali i Kadri Hazbiut, Agroni.Unë dhe motra ime mbyllëm gjimnazin me dhjeta. Por, për arsye biografike, nuk na u dha e drejta e shkollës së lartë. Shkaku ishte gjyshi, Nusreti, dhe dy dajat e mi, të dënuar politikisht. Ky ishte një mallkim që më ndiqte në çdo hap.
Në atë kohë isha 18 vjeç, lojtar i kombëtares, dhe megjithatë ndihesha i dëshpëruar.
Çdo vit bëja lutje për të vazhduar shkollën, ndërkohë që çdo javë fitoja anketat e gazetarëve dhe trajnerëve.
Ndihesha sikur jetoja në një rrugë pa kthim: nga njëra anë dëshira e thellë për të ecur përpara, nga ana tjetër muret e padukshme të luftës së klasave.
Shpëtimi më erdhi nga një shok, Agron Dauti, futbollist i “Dinamos”, edhe ai vlonjat.
Ai u kujdes që të më rregullonte dokumentet, në mënyrë që të shkoja fillimisht tek “Dinamo” dhe më pas të bëhesha pjesë e kombëtares.
Por dhimbja nuk mbaroi aty. Në vitin 1976 nuk u thirra asnjëherë në ekipin e “Shpresave”, edhe pse isha fitues i anketave çdo javë. Në vitin 1982 më larguan nga kombëtarja, pa asnjë shpjegim të qartë.
Shkolla, gjithashtu, mbeti një derë e mbyllur. Një ditë shkova tek kryetari i degës, Llambi Peçini, për ta pyetur hapur:
“Cilat janë arsyet që më përplasin herë këtu, herë atje?
Pse nuk më jepet e drejta e shkollës?”
Ai më shikoi drejt e më tha me fjalë të rënda:
“Ti nuk e di kush je. Dajat e tu janë armiq të partisë.”
Fjalë që më mbetën si një goditje e rëndë, më shumë se çdo dyluftim në fushë.
17.
Letrat anonime.Psherëtinin buzë Vlorës, fjalë të helmuara që nuk shuheshin kurrë
Vajtjet dhe largimet e mia nga kombëtarja përshkruan gjithnjë një amplitudë absurde:kur dobësohej lufta e klasave, më thërrisnin, kur ashpërsohej, më largonin.
Një ritëm që nuk ndryshoi kurrë, sepse ajo luftë nuk u shua asnjëherë për mua.
Mbaj mend një pranverë kur sapo isha grumbulluar me kombëtaren.
Nga Vlora drejt Komitetit Qendror kishin vërshuar qindra letra anonime:
“Përse duhet të luajë në kombëtare djali i kulakut?”
Kisha vetëm 22 vjeç kur më vendosën shiritin e kapitenit. Një nder i madh, por që për mua shpesh kthehej në barrë. Sa herë thirreshin shokët e mi në kombëtare, unë ndihesha në vështirësi, gjithmonë nën rrezik.
Rreziku u bë i prekshëm pas një ndeshjeje në Poloni.
Sapo u kthyem në Tiranë, mbi ne u derdh një vrer i papërmbajtshëm. Agjentët e Sigurimit kishin pikasur disa orë të padeklaruara dhe vendimi ishte brutal: përjashtuan nga ekipi gati gjysmën e skuadrës V. Ruçin, R. Tahon, P. Ruçin, V. Daulljan, A. Ziajn…
Ishte një thyerje e tmerrshme, një vijëzim i egër në altarin e shpirtërave tanë. Futbolli, për ne, nuk ishte më thjesht sport: ishte një betejë e përditshme për të mbijetuar në mes të dy botëve, asaj të pasionit dhe asaj të përndjekjes.
18.
Na thirrën në komitet për të na “dhënë mësim”, sepse kishim humbur disa ndeshje.Me seriozitet të plotë, na thanë:
“Merrni shembull nga Novosela dhe Kuçi, që rritën rendimentin e grurit dhe të misrit dhjetë herë!”
Pyetja ishte e thjeshtë: ç’punë kishim ne me grurin dhe misrin? Nuk merrej vesh. Ata rritësit e rendimentit jetonin me bukë misri dhjetë muaj rresht, ndërsa ne duhet të përgatisnim skuadrën për ndeshje ndërkombëtare.
Absurditeti i situatës ishte i papërshkrueshëm, por ne qeshnim në heshtje, duke e kuptuar mirë që kjo ishte mënyra e tyre për të kontrolluar gjithçka.
Kohë e çuditshme: kur shkuam në Barcelonë, P. Ruçi u pozicionua tek shkallët e autobuzit dhe filloi të bëjë formacionin e ekipit duke thenen emrat e nyrose politike .Një futbollist beratas që na vëzhgonte tha me humor të zymtë:
“Siç flisni ju, do t’ju fusin në burg.”
Ishte një botë ku sporti dhe politika ishin të përzier në mënyrë absurde, ku çdo lëvizje në fushë duhej të ishte jo vetëm e saktë, por edhe ideologjikisht e pranueshme. Dhe megjithatë, ne luanim, përpiqeshim dhe ndonjëherë fitonim, duke mbajtur mbi supe krenarinë tonë personale dhe ëndrrat e një vendi të tërë.
19.
Shifrat nga ndeshjet e “Flamurtarit”
1980 Kupa Ballkanike me AEK, Athinë: fitore 3:2 dhe 2:1, me gola të Sh. Zilës dhe S. Currit. Një moment krenarie që vulosi emrin e Flamurtarit në skenën ndërkombëtare.
1982 Nënkampion i Republikës.
1985 Fitues i Kupës së Republikës në Elbasan.
1986 Finalist i Kupës, nënkampion.
1987 Fitues i Kupës, 2:1 ndaj Partizanit në Shkodër. Një kujtim i hidhur: Federata (atëherë Komiteti i Futbollit) ruante një parim të qartë: “Kupa të mos dilte nga Tirana”.
• Në takimet me Tiranën, ndeshja luhej në kryeqytet, ndërsa ekipi i Ministrisë së Brendshme udhëtonte në Gjirokastër.
• Kupa shpesh dërgohej në qytet që në mëngjes pa e ditur rezultatin e ndeshjeve.
• Një rast i hapur i pabesisë: në Shkodër fituam 5:3 ndaj Vllaznisë, dhe pyetëm federatën: kur do të zhvillohej finalja me Partizanin? Na thanë të niseshim në qytetin tonë dhe mbërritëm rreth orës 4 të mëngjesit të hënës. Mëngjesin tjetër, federata na telefonoi: duhet të ktheheshim në Shkodër. U nisëm prapë me një autobuz që bëri 10 orë rrugë. Të mërkurën ishte finalja dhe fituam.
Megjithatë, kupa ngeci: federata kishte përgatitur diplomat me emrat e futbollistëve të Partizanit dhe ne nuk morëm kurrë diplomat e kësaj fitoreje.
1988-1989 Finalistë të Kupës.
Gjatë këtyre viteve, shpesh kemi dalë nënkampionë.
1990-1991
Era e ndryshimeve bëri federatën të paqëndrueshme. Në fund, Flamurtari u shpall kampion dhe emri i ekipit u siglon si fitues për herë të parë pa pengesa.
Suksesi ndërkombëtar
1985 – Kupa e Kupave: humbëm me Helsinkin.
1986 – Kupa UEFA me Barcelonën: 1–1 dhe 0-0.
1987 -Eleminuam Partizanin e Beogradit 2-0 dhe 2-1; fituam ndaj Vismut Aue; u eleminuam nga Barcelona në takimin e katërt.
1988 – Me Lots: humbja shënoi “fshirjen e brengosjes”, pasi humbëm, sopata preu gjysmën e ekipit.
Flamurtari ishte ekipi i parë shqiptar që doli nga qerthulli i skuadrave vendase, duke sfiduar fuqitë europiane dhe duke rikthyer nderin e futbollit shqiptar jashtë vendit.
Flamurtari nuk ishte vetëm një ekip; ishte simbol i guximit, i pasionit dhe i këmbënguljes së një qyteti që nuk u dorëzua kurrë, edhe kur bota dhe rregullat e padrejta ishin kundër tij.