Kur sfidën e fatit e transformon në leksion  intelektual-Dr. Eduard A. Skufi


KUR SFIDEN E FATIT E TRANSFORMON NE LEKSION INTELEKTUAL

                           
          

Nuk e di nëse jam bërë më tepër sensibël , mbase bashkohen ndjenjat emocionale njerëzore me empatinë e mjekut , apo ndryshon konstitucioni i këndvështrimit të mendimit… Lë mënjanë preokupacionet , kur rastësisht mbas dekadash mungese mëson se një shok , një mik kalon ditë dimri në trup dhe në shpirt . Nuk mund të mbetesh indiferent , figurant i një drame , mbase dhe si një mënyrë apologjizmi . Një mik i nderuar ,intelektual plot kulturë , një shpirt artisti në kërkim të së bukurës , më një buzëqeshje politese , me të cilin na bashkonin jo vetëm lidhjet familjare por dhe preferencat me insistencën për kulturë , më inspiroi në këtë reflektim, ky është Lame Fandi . Dhe ky njeri lakmohet nga Coviti , lufton me atë dramë, mbijeton duke trashëguar si handikap privimin e dëgjimit dhe një shkallë dizabiliteti. Kujtoj atë karakterin e tij energjik ku në cdo gjë vendoste penelin artistik . Diskutonim për mjekësinë, artin ,kulturën , dhe ndonje film me mbresa estetike , apo program nga RAI , që me kujdes e komentonim…

Por vitet na ndanë , ai në Bari unë në Athinë , vec mbetëm në kujtimet tona … Ai po tregon me kontributin e tij se, ai farmacisti i talentuar , ilacin nuk e gjeti në arsenalin farmaceutik por në shpirtin human artistik, të cilin nuk ja morri peng asnjë lloj dizabiliteti. Lamja dërgon mesazhin fisnik se , humanizmin mund ta zbulosh dhe në gjërat më të vogla dhe në më të zakonshmet , kur zemra dhe shpirti i dedikohen pasionit dhe objektivit , që jeta të dikton. Më solli ndërmend F.Gojën , të cilit një patologji misterioze i morri dëgjimin por i dha madhështinë e suksesit , apo B.Bragg , Brooklinezin e famshëm , me profilin artistik ku bashkoheshin artisti , shkrimtari dhe producenti. Sepse dhe Lamja eshte një profil multidimensional , artistik e kulturor, që dhe në momente kritike , e drejtoi nga e pamundura në të mundurën admiruese. Në ato caste të vështira kur cënohej balanci i funksioneve vitale me impakt psikomental , ai nuk ju nënshtrua konseguencave. Por me vullnet dhe insistim gjeti inpirimin dhe rrugëdaljen, të shprehte impresionet e eksperiencave të tij, sic citonte Lamartine “ eksperienca eshte profecia e vetme e njerëzve të mëncur “.Unë nuk mund të heshtja , megjithëse vonë u informova . Mësova për librin e tij të fundit , të cilin nuk pata mundësinë ta lexoj , por jam i bindur në nivelin e tij dhe emocionet që transmeton, për atë dimër që me penelin e tij i dha ngjyrat e pranverës , duke sfiduar dhe handikapin që jeta i ofroi , të cilin e konvertoi në leksion kulture dhe intelektualiteti. E përshëndes me urimin të ketë ditë plot me jetë dhe jo vetëm jetë me shumë ditë…