KUR TË GJITHË TË QESHIN, UNË TË QAJ
Nuk është lehtë ta jetosh jetën në dashuri.
Lehtë është ta pohosh, por ta jetosh si në fillim, si në mbarim nuk është njëjtë, pra është vështirë ta kuptosh.
Prandaj mos më pyetni për dashurinë!
Nuk mund t’u them gjë.
E kam vështirë t’i përgjigjem një pyetjeje të tillë.
Nuk e kam atë ndjenjë madje se jam gjallë, se ekzistoj!
Edhe atë që e shoh përballë në pasqyrë nuk e njoh!
E kam vështirë ta zbuloj.
Disa herë jam i gëzuar, disa herë i pikëlluar, por assesi i qetë, i qetësuar.
Vërtet, është vështirë të qetësohem mes emrash dhe mes emrit tim.
E kam vështirë t’i veçoj emrat. Më duken të njëjtë.
Koha nuk ekziston, as që ka ekzistuar, vetëm ora u shpik, pastaj dita, java muaji dhe viti, dhe kjo u bë kohë për ta numëruar jetën, për ta treguar moshën, për t’i treguar gëzimet dhe vuajtjet, po edhe kohën sa kalojmë në dashuri, prandaj e kam vështirë ta besoj këtë kohë, ndoshta nuk është njësia e vërtetë për jetën.
Dashuria nuk ekziston, vetëm ekziston ndenja për të dashuruar dhe novoja për të.
Dikujt i mjafton, dikujt s’i mjafton, prandaj e kam vështirë këtë ta kuptoj.
Dua të bërtas pikërisht kur çdo gjë është në qetësi.
Të tregoj se jam gjallë, të gjithë le të trishtohen, sepse trishtima e tyre do të dëshmojë ekzistencën time.
Dua të marrë frymë thellë kur të tjerët frymojnë lehtë.
Të tregoj se jam mes tyre pak më ndryshe se ata.
Të më kuptojnë se e kam vështirë ta them para tyre atë që e di e që për ta është e panjohur.
Druaj, që të mos më shpallin të çmendur, prandaj e kam vështirë t’i kuptoj moskuptimet dhe keqkuptimet!
Kur të gjithë të qeshin, unë të qaj!
T’u tregoj se unë nuk i kuptoj qeshjet e tyre.
Dhe se kur ata të gjithë të qajnë, unë të qeshem!
T’u tregoj se nuk i kuptoj dhe se vështirë e kam t’i kuptoj, sepse jemi të ndryshëm, kuptohemi ndryshe ose keqkuptohemi ndryshe.
Po edhe këtë lloj moskuptimi apo keqkuptimi e kam vështirë ta kuptoj.
