Kur të godet një rrufe
në qiell të vrënët,
ti mbase dhe e pret
të gjesh zgjidhjen…
që të mos digjesh.
Por nga qielli i kthjellët
si loti në sy…
ku ti këndellesh e ngrohesh
sa mendon se rehatohesh
papritmas të godet një rrufe
me vetëtimën që djeg
dhe shkon e bie mu aty
ku ta plagos zemrën
edhe shpirtin ta lëndon
prej të dyjave nga një copë e tyre
të Ikë, s’kthehet më se shkon.
Nuk e di se kjo dhimbje
si do të përfundojë…
si mund një shpirt i lënduar,
pa pjesën e tij dhe
zemrën e vrarë, të jetojë.
Mbase koha, ky ilaç unikal
dhe dashuria për pjesën e shpirtit në largim…
Do të jenë shtyllat mbajtëse të urës
që lidh botën tonë
me përjetësinë në amshim.
Po, ka për ta zbutur këtë dhimbje
që është duke ta plasur kupën e kresë
e s’po i pyet shpirt as zemër
përse kujtimet tani i dalin përmbi resë
duke ta përshkuar trupin me plagë të hapur
prej kokës e deri në thembër
atë trupin tënd ankthesh kapur.
© Kas Vela
