Kur të vijë pranvera me një frymë…Leonard Pipa


Kur të vijë pranvera me një frymë,

Në dritaren tënde të avitet ketri,

Mbi lulet e verdha pakëz brymë,

Buzëkuqi yt s’është më i vjetri.

Me të në xham do të shkruash “eja,

E shumëpritura mbërriti, mos u vono,

Tani përqafimet janë të reja,

Dhe puthjet s’do jenë më ato!

Për një çast veç kthehu të prek,

Fytyrën,mjekrën e pa rruar,

Ndarja, ah ndarja si prushi më djeg,

Të mbaj veç pak kokën në duar!”

Kur vjen pranvera unë dua të vi,

Pas dritares të kanë mbuluar lulet,

Të pres atë çastin e pashlyeshëm në avlli,

Kur gjithë qënia jote për përqafim më sulet!