Kush janë tre kalat afër Amantias?Gëzim Llojdia

Kush janë tre kalat afër Amantias?


Gëzim Llojdia


1.
Kur Ago Agaj, i larguar nga dheu amë dhe strehuar përtej oqeanit, hidhte në letër ditarin historik të vitit 1920 vitin e përflakur të Luftës së Vlorës atdheu i tij i dashur nuk ishte më i njëjti. Historia po shkruhej me gjak, me dinjitet dhe me ëndrrën e përhershme shqiptare për liri.
Mes rrjeshtave të atij ditari, autori ndalet, pa paralajmërim, për të na marrë për dore dhe për të na kthyer pas në kohë shumë më herët se krismat e pushkëve kundër pushtuesit italian në një vend ku historia s’është vetëm gur, por frymëmarrje, kujtesë, shpirt: në Amantia.
2.
Në kodrën 560 metra mbi nivelin e detit, mes bimësisë së egër të jugut dhe heshtjes së gurëve që kanë parë shekuj e perandori të kalojnë, ngrihet madhështore qytetëria ilire e Amantias.
Aty ku sot fryn një erë që flet me gjuhën e të parëve, Ago Agaj na fton të dëgjojmë një histori tjetër më të vjetër, por jo më pak krenare.
Amantia, jo Amonica! thërret ai me pasionin e atij që e njeh dhe e do vendin e vet siç do njeriu rrënjët e gjakut. Sepse emri është më shumë se një fjalë. Është identitet. Është kujtesë. Është e vërteta që nuk duhet të tjetërsohet.
Rreth 500-600 metra më poshtë, në rrëzë të kodrës së Kudhës-Gërhotit, dora e njeriut modern ecën nëpër shtigjet e harresës. Por historia është ende aty e gdhendur në gurë.Dhe në tempuj të lashtë, në stadiume antike dhe në heshtjen që flet më shumë se fjalët.
Në këtë përplasje mes kohëve 1920 dhe antikiteti reportazhi nuk kërkon thjesht të tregojë një fakt, por të ngrejë një pyetje më të thellë: Kush jemi ne, nëse harrojmë nga vijmë?
3.
Ja si shprehet Ago Agaj, nga largësia e një kontinenti dhe thellësia e një kujtese historike.
…Edhe këtu ndodhet një kala e vogël. Në perëndim të Amonicës, vetëm dy kilometra në vijë ajrore, ndodhet fshati i Mavrovës për të cilin do të flasim sërish, kur t’i hyjmë përshkrimit të Luftës së Vlorës. Kjo kala e vogël, sundon dhe ruan Grykën e Shushicës, si dhe udhën e lashtë që nisej nga Amantia drejt skelës së saj.
Fjalët e tij, të thjeshta, por plot peshë, shpalosin përpjekjen e një njeriu për të lidhur historinë me gjeografinë, të shkuarën me të tashmen.Ai e kërkonte Amantian me pasionin që kërkon gjurmët e nënës së humbur, por për një kohë të gjatë, vendndodhja e saktë e qytetit të lashtë mbeti mister. Ai e përjashtonte Plocën si vendndodhjen e Amantias së vërtetë dhe me të drejtë ngrinte pyetjen:
-Po atëherë, ku ndodhet ky qytet?
Një pyetje që qëndroi pezull për dekada, deri sa arkeologjia shqiptare me punën e saj të palodhur mes viteve 1948-1954 zbuloi të vërtetën, të fshehur nën dheun dhe gurët e heshtur të jugut.
Gërmimet në Amantia nxorën në dritë një qytet të tërë të zhytur në histori.
-Stadiumin antik, një nga më të rrallët në trojet ilire.
-Murin rrethues, që fliste për mjeshtëri dhe forcë.
-Bazilikën, që dëshmonte praninë e hershme të krishterimit.
-Tempullin e Afërditës, si simbol i bukurisë dhe besimit të lashtë.
-Nekropolin e pasur, që ruante në heshtje jetën dhe vdekjen e banorëve të dikurshëm.
4.
Por Ago Agaj nuk mund ta dinte këtë. Ai shkruante në emigrim, në një kohë kur këto fakte nuk ishin ende zbuluar, e aq më pak, publikuar.
Dëshmia e tij vjen e pastër, nga dija dhe intuita, nga një lidhje shpirtërore me tokën dhe gurët që e kishin rritur.
Ndaj, kur lexojmë fjalët e tij sot, nuk i lexojmë thjesht si përshkrime gjeografike por si thirrje të një kujtese që nuk duhet të humbasë.
Prandaj, me një ndjeshmëri të hollë e me bindjen e një njeriu që dëgjon më shumë nga sa sheh, autori i “Luftës së Vlorës” shkruan:Këtë pyetje na e zgjidh, paditur e padashur, vetë populli, i cili rrëzën e fushës së Brusnjës edhe sot e quan :”Rrëza e qytetit”.
Një emërtim i thjeshtë, thuajse i pavetëdijshëm, por me një peshë që shekuj të tërë nuk kanë mundur ta fshijnë.
Fjala “qytet”, në kohën e sundimit osman, ishte tretur nga përdorimi dhe ishte zëvendësuar nga fjala turke “kasaba” një fjalë e thatë, administrative, që nuk bartte dashurinë e rrënjës.
E megjithatë, në gojën e fshatarëve të Brusnjës, ajo fjalë “qytet” kishte mbijetuar.
Autori sjell një varg popullor që e mbështet këtë zhvendosje gjuhësore dhe mendësie:
“Qaj kasaba në gropë,
Q’të rri Kanina mi kokë.”
Një varg që i kushtohet sigurisht Vlorës, e cila shtrihet në gropë, ndërsa Kanina, madhështore dhe krenare, ngrihet sipër saj si një rojë e lashtësisë.
Por, pavarësisht fjalës së përdorur dhe vendit ku shqiptohet, populli kurrë nuk e di saktësisht se çfarë trashëgon. As sot, as atëherë, askush prej banorëve rreth fushës së Brusnjës kur përmendin “rrëzën e qytetit” nuk e mendonin se mund të jenë duke qëndruar mbi rrënojat e një qyteti të lashtë, një metropol të dikurshëm të amantëve ilirë.Por që ishte zgjatim i terriotrit.
Dhe megjithatë, gurët, varret dhe artefaktet, që janë zbuluar jo vetëm në fushën e Brusnjës, por deri në Armen, Lapardha, Kotë, Lubonjë e më gjerë dëshmojnë të kundërtën.
Këto nuk janë thjesht fshatra të zakonshëm. Është territori i amantasve.Që shtrihej nga Matohasnaj deri në portin e tij Orik dhe nga Armeni deri në Mesaplik.
Janë faqe të mbuluara me pluhur të një qytetërimi të harruar, që një ditë do të kërkojnë të lexohen sërish.
Aty, në heshtje, shtrihet territori i amantëve një popull i lashtë, krenar, që la pas gjurmë të pashlyeshme, të cilat koha i përpiu, por goja e popullit i ruajti, pa i kuptuar ndoshta, por pa i harruar kurrë.
5.
Kush janë tri kalatë e lashta në këtë copës territori pra shumë afër Amantias?
Në rrëfimin e tij të mbështetur në kujtesë, vrojtim dhe dashuri për vendin, autori i “Luftës së Vlorës” na përball me një pyetje intriguese:
Kush janë tri kalatë e lashta që ruanin qytetin e humbur të Amantias?Sipas tij, janë:Kala e Plocës, Kala e Amonicës dhe Kala e Mavrovës.
Së bashku, ato krijojnë një zinxhir mbrojtës, një trekëndësh strategjik, që përqendrohet rreth Fushës së Brusnjës.Vendi që autori e quan me bindje “qyteti” dhe që ai e beson si vendndodhjen e Amantias së vjetër.Mirëpo, këtu nis të lindë përplasja mes besimit të kohës dhe dritës së dijes shkencore që do të vinte më vonë.
Sot, nga këto tri kala, vetëm dy njihen dhe pranohen gjerësisht nga studimet historike dhe arkeologjike.
Amantia, me gjurmët e saj të dukshme në kodrën në formë koni të përmbysur,
Olympia- Mavrova një tjetër qendër ilire me rëndësi.
Ndërsa Amonica, që për autorin përfaqëson një kala më vete, sipas gërmimeve të mëvonshme është vetëm një shtesë periferike, një tepricë, një fund i shtrirjes urbane të vetë Amantias.
Ajo nuk qëndron si kala më vete, por si një segment mbrojtës brenda territorit të zgjeruar të qytetit.
Megjithatë, autori në mungesë të të dhënave shkencore të kohës beson se:
“Këto tri kala, të Plocës, të Amonicës dhe të Mavrovës, përbëjnë një zinxhir mbrojtës të ‘qytetit’ në Fushën e Brusnjës, e cila ndodhet në mes dhe e ruajtur mirë nga çdo anë.”
Ky është një mendim që lind jo nga imagjinata, por nga vëzhgimi në terren dhe intuicioni historik. Dhe duhet pranuar. shumë shpesh, intuita e njerëzve të lidhur ngushtë me tokën dhe historinë është më afër të vërtetës sesa duket në fillim.
Sot e dimë se Fusha e Brusnjës përshkohet nga përroi i Brusnjës, që zbret nga liqeni i artificial iHarvalasë ndërtuar në kohën e socializmit .Që sot një peizazh i qetë, por që dikur ka qenë arenë e gjallë e qytetërimit ilir.

6.
Olympia ose Kalaja e Rrethunit. Thesaret e nëndheshme të një qytetërimi të harruarPasi përshkroi Fushën e Brusnjës dhe tri kalatë mbrojtëse, autori i “Luftës së Vlorës” e zhvendos vëmendjen përballë saj në zonën e Mavrovës, një truall ku çdo pëllëmbë dheu është i ngopur me histori.Aty, në rrëzë të kodrave, janë zbuluar herë pas here varre të lashta, të ndërtuara me një mjeshtëri që tregon se nuk kemi të bëjmë me banorë të zakonshëm. Por me një qytetërim të organizuar dhe të zhvilluar. Në secilin varr ndodhej një arkë guri, e përbërë prej gjashtë pllakash të gdhendura, që puthiteshin me njëra-tjetrën për të formuar një kuti të mbyllur, si një sarkofag modest, por solemn.
Brenda këtyre arkave, krahas skeletit, ndodheshin objekte që flasin për jetën, për besimet dhe për artin e tyre.
-Pogë e shtëmba elegante, të punuara me kujdes dhe me figura të gdhendura,
-Kandila prej bronzi, që ndoshta digjeshin në ritualet për të vdekurit,
-Armë, vegla pune, brisqe, hurorë dëshmi të një jete të gjallë, plot mjeshtëri.
Këto nuk janë thjesht sende, por fjalët e fundit që një qytetërim na ka lënë për të kuptuar jetën e tij.
Autori kujton gjithashtu se, për vite me radhë, fshatarët që punonin arat në Fushën e Brusnjës, nxirrnin nga toka sende të çuditshme.Dhe të vjetra, antike dhe me vlerë, që për ta ishin thjesht kuriozitete, por për studiuesit e së ardhmes do të ishin copëza të historisë së madhe ilire.
Në vijim, ai përmend edhe një tjetër pikë me rëndësi strategjike e arkeologjike.
Kodra e Qytezës Hadëraj. E vendosur në veri dhe gati paralel me fortesat e përmendura më parë Ploca, Amonica dhe Mavrova kjo kodër mbart mbi shpinë të saj gërmadha, gurë, dhe legjenda, që presin të deshifrohen.Kalaja e Hadëraj.
Ai shton:
“Në veri ndodhen edhe dy kala të tjera: njëra në Gorrisht dhe tjetra në Treblovë.
Një rrjet i tërë fortesash dhe qytetëzash, që përshkon të gjithë territorin, na jep idenë e një organizimi të fuqishëm urban dhe ushtarak, një qytetërim që kishte ndërtuar jo vetëm qytete, por edhe kujtesë.
Autori citon gjithashtu një burim të panjohur, i cili përshkruan pasurinë arkeologjike të zonës që shtrihet nga:
-Maja e Madhe,
-Shargane,
-Sazanet,
-Shkëmbi i Karakollit,
-deri te udha e kalldrëmtë Qytezë-Amantia, buzë lumit Vjosë.

…Në këtë rrjet të gjerë, duken shenjat e qytetëzave të lashta, rrënojat e mbetura nga një jetë e lulëzuar që sot është mbuluar nga heshtja, por jo nga harresa.
Udha Vjosë-Bylys, mbetjet arkeologjike te bregu i varreve,deri te gurët e kalasë në majën e qytetit kodra mbi fshatin Hadëraj ,që tregojnë historinë dhe ende janë të pazhbirueshme prej shek 4-5 pes
Në majat dhe kodrat mbi fshatin Hadëraj, ku ende ruhen gurët e kalasë së vjetër, historia vazhdon të jetojë nën tokë, në gurë të paçmontuar e të palëvizur, që datojnë që nga shekujt IV-V para erës sonë.
Kjo zonë e pasur nga Olympia , Ploça, tek Mavrova, Hadëraj, Gorrisht, Treblovë e deri te Bylisi formon një hapësirë të gjerë arkeologjike që ende nuk është eksploruar plotësisht. Aty, historia ende rri zgjuar nën dhe, gati të flasë, për këdo që është gati ta dëgjojë.
7.
Ëfarë thotë autori që kemi cituar në fillim të shkrimit:”Prej kësaj të fundit ka mbetur vetëm emri “kala”, por asnjë shenjë nuk gjendet sipër tokës.

…Të dyja këto fortësa janë vendosur përgjatë rrugës, që del prej Vlorës, futet në grykë të Vllahinës, del në Gorrisht, zbret në anë të Vjosës dhe vazhdon në anën e mëngjër të këtij lumi gjer në Tepelenë, ku ndahet më dysh: njëra degë shkon për në Gjirokastër e Janinë dhe tjetra kthehet po anës së Vjoses e shkon në Përmet, Leskovik, Kolonjë e Maqedoni.
8.
Kjo është rruga e krijuar prej natyrës dhe e përdorur prej banorëve “që kur është zënë dynjaja”, si i themi ne, lebërit, por më vonë u bë pjesë e rrugës së madhe romake, që niste në Fiume, shkonte nëpër Dalmaci, Mal të Zi, Shkodër, Durrës, Pojan (Apolonia afër Fierit) dhe vazhdonte për në Greqi.
Ndodhja e dy fortesave të tjera ,në mes të atyre të Gorrishtit dhe asaj të Tepelenes ,në një breg të vogël në fushë të Shkozës pranë Vjosës dhe tjetra në Matohasanaj të Lopsit e pak më tej fshati Martaloz, që domethënë karakoll ose roje, lë të kuptohet se kjo rrugë ka qenë jo vetëm me shumë rëndësi, por edhe shumë e kërcënuar, përndryshe nuk do të ishte ndërtuar në çdo 10 a 20 kilometra, një kala.
9.
Nuk është çudi që ato të Gorrishtit dhe Treblovës të jenë ngrehur për të ruajtur rrugën e Bylisit për në Pllakë, skelën e tij në gjirin e Vlorës.
Në kohën e Amancisë, të Bylisit dhe të Orikonit duhet të ketë qenë kultura shumë e lartë në Labërinë e Vlorës dhe popullsia shumë e dendur sipas shenjave, që duken edhe sot.
Gjithsecili nga këto qytete duhet të ketë qenë shumë më i populluar nga ç’është Vlora e sotme, ndryshe nuk mund të zhvillohej një art e një zanat aq i përsosur sa të habit edhe sot. Kush ka pasur rast të shohë me sytë e tij vepra arti të krijuara në këto qytete, si dhe sasinë e mahnitshme të tyre, do ta vërtetojë këtë mendim-thotë autori.
10.
Autori vazhdon:Qytete kaq të populluara dhe të kulturuara kanë pasur natyrisht dhe rrethe të gjera të populluara dhe këto shume dendet, të perparuara dhe prandaj kanë qenë dhe ato të detyruara të bënin një punim tokësor intensiv e me mjeshtëri dhe shenjat e kësaj pune bujqësore duken edhe sot në shumë vende.
Shohim në fshatrat e Shullerit. Fshatrat Vajzë, Velçë, Ramicë, Matogjin e Bashaj, me këtë emër quhen dhe këto tri të fundit, që origjinalisht quheshin Hasko-Gjin, Mato-Gjin e Memo-Gjin e sot thirren me emrin sllavë: “Smokthinë” që domethënë:” vend fiqsh ose fiqishte. Të cilat i rreh dielli më shumë, ku janë ndryshuar brinjët e pjerreta e shumë herë fare të pjerreta në sheshe të dobishëm, tarraca), e prodhimtarë me anën e ledheve, që nisin në Lumë të Smokthines dhe mbarojnë sipër, përmbi Bashaj e Matogjin.
Sasia e arave të krijuara në këtë mënyrë është e panumërueshme dhe ndryshimi i lartësisë së arës pranë Lumit me ato pranë fshatrave është mbase më tepër se pesëqind metra. Këtyre arave, të ngjitura njëra me tjetrën, u kanë sjellë dhe ujin e duhur për t’i ujitur me anë,vijash që dridhen e përdridhen sipas trajtës e lartësisë së tokës.
11.
Në Velçë nisin ledhet në Përrua të Thellë, për nënfshat dhe arrijnë gjer sipër te shtepitë e para të fshatit. Në anën tjetër nisin në Perrua të Trubullit dhe ngjiten përpjetë njeri mbi tjetrin në një simetri e harmoni të habitshme dhe arrijnë në Rrezë të Shkembit.
Fshati Ramicë, dikur Hasko-Gjin, është i rrethuar prej ledheve të tilla, por më të përsosurat ledhe në formë, të ndërtuara në vendet më të thyera, që nuk ta merr mendja se me sa mjeshtëri e mundim janë bërë, janë ato të fshatit Vajzë në rrugën Vlorë-Gjirokastër e pothuaj përballë Ploçës e Amonicës dhe të ndara prej këtyre nga një ose dy përrenj të thellë.
Të gjitha këto ledhe ndër të gjitha fshatrat quhen sot “Vreshta”, por vreshta nuk duken gjëkundi, veçse ndonjë lartje (pjergulle) e vjetër dhe e lënë pas dore.
12.

Duke përfunduar …
Veç emrit “Vreshtë” asnjë fjalë, asnjë gojedhënë nuk të kujton prodhim rrushi, vere, rakie ose rehanie vetëm në Mavrovë kam dëgjuar nga Hazbi Canua (Dautaj) i ati i Kadri Hazbiut, këtë tregim.
… Dikur lashtë, shumë lashtë, Mavrova, qe rrethuar prej armikut, i qe prerë uji dhe etja i mundonte shumë të rrethuarit. Në këtë gjëndje të dëshpëruar mavronjotët hapen vozat e verës, pinë verë,u dhanë kuajvet të etur të pijnë dhe ata sa deshën vetë.U hypnë kuajve dhe sulmuan armikun. Sulmi ngjan të ketë qenë i fortë si edhe vera, sepse as kuaj ,as kalorës nuk u ndaluan, pasi e hodhën armikun, jo vetëm përtej lumit, po edhe përtej malit dhe e ndaluan sulmin në qafë të Mazharit (Qafa e Malit përmbi Tragjas)…