Kushtuar Kosovës…Halil Rama


Halil RAMA

Moisiu: “Është e njohur se kur ka mosmarrëveshje dy rrugë ka për t’i zgjidhur ato: me bisedime ose me luftë. Koha e luftës ka mbaruar, tani na mbetet të merremi vesh me ta. Mirëpo këtu në mes dalin shumë vështirësi, si mentaliteti i politikanëve të ndryshëm, historia konfliktuale e së shkuarës, interest zgjedhore të klasave politike, konjukturat ndërkombëtare, etj. Nnormalisht që problematikat duhen zgjidhur në bashkërendim me aleatët tanë kryesorë, SHBA dhe BE; duhet të kemi tolerancën e duhur, por edhe qartësinë, sepse pa aleatët është e vështirë që ne tu qëndrojmë rreziqeve të palës tjetër”

Shtatëmbëdhjet vjet më parë, Presidenti shqiptar Alfred Moisiu, ndërsa e ka falenderuar Presidentin George W.Bush për vizitën historike në Shqipëri, për rolin dhe ndihmën e pakursyer ndaj popullit të Kosovës, i ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk duhet shtyrë më tej. Ish kreu më i dinjitetshëm i shtetit shqiptar e sjell në vëmendjen e opinionit publik këtë kërkesë, për faktin se çdo vonesë mund të prodhonte destabilitet, ashtu si çdo përpjekje për të ndarë Kosovën mund të nxiste një reaksion zinxhir, i cili do të ishte me pasoja shumë të rrezikshme për tërë rajonin.
Të shtunën, pas shtatëmbëdhjet vitesh, ndërsa ka ripohuar këtë të vërtetë të pamohueshme, në takimin e organizuar nga Federata e Paqes Universale Shqipëri, tashmë si President Nderi i kësaj Federate, ka falenderuar sërish Presidentin Bush për dakortësinë në atë takim kokë më kokë, me mendimin që ajo situatë statukuo-je e para 17 viteve nuk mund të tolerohej me tutje, duke deklaruar se “Koha për pavarësinë e Kosovës është tani”. Kështu, – vijoi ish-Presienti Moisiu, në vitin 2008 u krijuan kushtet e plota ndërkombëtare dhe nga Parlamenti i Kosovës u shpall pavarësia e shtetit të ri të shqiptarëve në Kosovë, kur një nga promotorët e kësaj ngjarje tepër të rëndësishme do të ishte Presidenti i atëherëshëm i Kosovës, shkëlqesia e tij Fatmir Sejdiu.
I ftuar nderi në veprimtarinë e së shtunës të Këshillit të Paqes Tiranë, Presidenti Sejdiu, ndërsa evidentoi përpjekjet shekullore të shqiptarëve për ta detyruar Serbinë të dështoje në qëllimin e saj kryesor për zhbërjen e shtetit shqiptar, e konsideoi të suksesshëm rrugëtimin e Kosovës drejt farkëtimit të Paqes. E pas tij edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi deklaroi se Kosova e do paqen, Kosova punon për paqen…
Në të njejtën linjë, edhe Prof. dr. akademik Pëllumb Xhufi, ndërsa evidentoi dukshëm rolin e dy presidentëve Moisiu e Sejdiu si ndërtues urash të komunikimit për paqen midis popujve, solli në vëmendjen e më shumë se 200 pjesëmarrësve elitarë në këtë takim, ambasadorë të paqes nga Shqipëria e Kosova, deklaratën e bërë para 110 vitesh në Bari të Italisë nga i pari kryetar i shtetit shqiptar Ismail Qemali, se pa i dhënë Shqipërisë Kosovë e Çamëri, Ballkani nuk do të ketë paqe. Dhe ndërsa argumentoi se si edhe pas 110 vjetësh kur Kosova shtet demokratik i pavarur është realitet i pakthyeshëm, akademiku i mirënjohur Xhufi tha se është politika serbe faktori që rrezikon paqen në Ballkan. Në këtë kontekst edhe ish Presidenti Moisiu u shpreh se problemet që janë ende ekzistente midis dy palëve duhet të zgjidhen, pavarësisht nga vështirësitë që ende janë midis tyre, sepse kjo është e vetmja rrugë. “Është e njohur se kur ka mosmarrëveshje dy rrugë ka për t’i zgjidhur ato: me bisedime ose me luftë. Koha e luftës ka mbaruar, tani na mbetet të merremi vesh me ta. Mirëpo këtu në mes dalin shumë vështirësi, si mentaliteti i politikanëve të ndryshëm, historia konfliktuale e së shkuarës, interest zgjedhore të klasave politike, konjukturat ndërkombëtare, etj,”- tha ndër të tjera ish – Presidenti Moisiu. Më tej ai vijoi se normalisht që problematikat duhen zgjidhur në bashkërendim me aleatët tanë kryesorë, SHBA dhe BE; duhet të kemi tolerancën e duhur, por edhe qartësinë, sepse pa aleatët është e vështirë që ne tu qëndrojmë rreziqeve të palës tjetër.
Në këtë event kushtuar Kosovës në 16 vjetorin e pavarësisë së saj, të ideuar dhe moderuar mjeshtërisht nga ikona e skenës dhe ekranit Defrim Methasani, artisti shqiptar me famë botërore Ilir Shaqir, i ftuar, jo vetëm për t’u lauruar me titullin “Ambasador i paqes”, por edhe për të performuar para këtij publiku ndër më të zgjedhurit, e flakëroi sallën moderne të FPU, kur zëri i tij vetëtimë ushtoi me vargjet: “…Në Prekaz flakëron liria” e “Shqipëri o Nënë e Madhe/ Më e shtrenjta dashuri/ Kuqezi djemtë e atdheut/ Përjetësisht me ty shqipëri”.
Kjo këngë, këto vargje të interpretuara aq mjeshtërisht nga një zë kumbues si i Ilir Shaqirit ndez në zemrat e çdo shqiptari ndjenjën e madhe të shqiptarizmës. Kështu ndodhi edhe me Liri Rashën, e dekoruar jo vetëm me titullin “Mjeshtër i Madh”, por edhe “Kalorës i Urdhërit të Skëndebeut”, teksa interpretoi këngën e bashkimit, vargjet së cilës: “Ndal shkja me m’shkel në prag/ Ti je serb e unë jam arb”, janë sintezë e qëndresës shumëshekullore të shqiptarëve në luftrat legjendare ndaj pushtuesve serbë. Parë nga ky këndvështrim veprimtaria e titulluar “Kosova e pavarur – Model suksesi për paqen”, organizuar nga Këshilli Paqes Tiranë në bashkëpunim me FPU Shqipëri, qe e një dimensioni mbarëkombëtar. Sepse nga podiumi i këtij takimi, ndërsa kujtoi se në vitin 1936 dhe 1937 në shkollat fillore këndonin këngën “Për Kosovë e Çamëri, ja vdekje ja liri”, ish presidenti Moisiu do të deklaronte se “Pavarësisht se Shqipëria është anëtare e NATO-s, në rast se Kosova rrezikohet, të gjithë sëbashku duhet t’i dalim zot”. Në koherencë të plotë dhe përputhshmëri me temëm e këtij takimi me logon “Kosova e pavarur – model suksesi për paqen, Mosiu tha se ndërsa Serbia e tanishme udhëhiqet edhe nga strategjia e Rusisë, për të realizuar me force qëllimete tyre, Perëndimi, përfshi edhe ne që jemi pjesë e NATO-s, por edhe Kosova jemi të interesuar që këto probleme të marrin rrugë nëpërmjet marrëveshjeve paqësore.
Si ideator dhe moderator i këtij takimi emocionues dhe vlerësues, Defrim Methasani nuk hezitoi të shprehej se ndjehej i lumtur për pjesmarrjen e shumë personaliteteve, nga Kosova dhe Shqipëria, ku nuk munguan edhe ish – Presidentët Alfred Moisiu dhe Fatmir Sejdiu, si dhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë Z. Skënder Durmishi. Veprimtaria kulmoi me vlerësimet që nderuan njerëz dhe vlera në dy vendet, duke nisur me çmimin “Njeriu i Vitit”, që Këshilli Paqes Tiranë e aplikoi për herë të parë dhe ia dedikoi mjekut stomatolog dhe njeriut humanist Sali Kurti, Mjeshtër i Madh dhe Qytetar Nderi i Matit. Më pas u emëruan me titullin Ambasador për Paqen 11 protagonistë të fushave të ndryshme, si Ismet Krasniqi, Kryetar i KOK Kosovë, Ilir Shaqiri, artist i madh dhe Nderi i Republikës së Kosovës, Bieta Sulo, gazetare dhe moderatore e njohur në Top Chanel, me emisionin “Ftesë në 5”, Dr. Hekuran Braho, otorinolog prej 40 vitesh në spitalin ushtarak, Enver Cakiqi, kampion ndërkombëtar në karate dhe President Nderi i kësaj federate në Shqipëri, Nadire Karadaku – bashkshortja e shkrimtarit të shquar Shefki karadaku, juriste e njohur, notere dhe veprimtare e Shoqërisë Civile, Edmond Thaçi, President i Shoqatës së gazetarëve sportiv në Kosovë, Suzana Drenica, koreografe në Prishtinë, Albana Shehu Qiriako, gazetare dhe drejtore e RTSH 3, kanali i diasporës, Shkelzen Rexha, fotoreporter dhe fitues i shumë çmimeve nga Gjakova, si dhe Dr Endri Abazi, Kardio-kirurg në spitalin e njohur në Buh në Berlin. Modertaori Methasani, ndërsa shprehu Mirënjohje për referuesit dhe fjalët përshëndetëse nga Presidentët Moisiu e Sejdiu, Ambasadori Durmishi dhe historiani Prof. Xhufi, falenderoj edhe artistët e shquar Ilir Shaqiri dhe Liri Rasha që performuan kaq bukur me këngët e tyre. Po ashtu, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për secilin që ishte i pranishëm, veçmas për kryetarët e federatave të paqes në Shqipëri dhe Kosovë, Eva Çipi dhe Flora Brovina, zv. kryetarin e FPU Astrit Q. Memia,  zotin Gaqo Apostoli kordinator për diasporën i FPU, kryesinë e federatës së paqes Kosovë etj, moderatori Methasani – Mjeshtër i Madh, njëherësh Kryetar i Këshillit të Paqes për Tiranën, një dedikim të veçantë i kushtoi stafit të Ambasadës së Paqes dhe Federatës së Paqes, veçmas sekretarit të përgjithshëm, Gani Rroshi, me të cilin, kur janë bashkë, bëjnë gjëra të mira, siç qe dhe kjo veprimtari e dimensionit dhe përmasave mbarëkombëtare.