Larg Orbitës-Myrteza Mara


Dimrat u tërhoqën zvarrë,

Vera erdhi e plagosur;

Shpresa si një zog i vrarë,

Etja për jetë e pasosur.

Dhëmbët përtypin mallkim,

Hidhërimi vjell veç natë;

Erërat si ortek të shkrirë

Zemrat s’kanë vend për plagë.

Nuk u nginjën këta vampirë,

Mbjellin tokë me kufoma;

Rrethuar globi me zinxhir,

Verbuar qielli, verbuar koha.

Pishat që dolën nga shpellat,

Ishin dielli që kërkonim;

Në humnerë kupat e vrerit

Vetëm dritë, tjetër nuk donim.

Rendëm çmendur pas pishtarëve,

Tym i pishës verboi retë;

Zjarri nuk kurseu as trarët,

Flakë dhe dallgët nëpër det.

Të verbër si Diogjeni,

Oh, ç’na bënë flakt’e pishës!

Ditët po errësojnë diellin,

Jemi ende larg orbitës.