Laudamus-Nga Timo Mërkuri


Nga Timo Mërkuri

LAUDAMUS

Sinqerisht më befasoi poezia “Ti, psalmi im i shenjtë” i Luan Ramës me thellësinë dhe stilin e vargut të tij, sa që u ndala në rilexim, më shumë për të medituar mbi poezinë, çka solli më pas këto shënime momenti mbi ‘të.

Qysh në nisje poeti është tronditës me vargjet : “Kishe kaq kohë që kërkoje një kishë/një kambanore për të lajmëruar dashurinë” ku, kujtdo që i drejtohet autori i sjell para kujtesës faktin se ai kërkonte “një kishë, një vend ku të falej, të kërkonte falje për veten e tij, sigurisht nga Zoti, për mëkatet që ndoshta kishte bërë. Të shkosh në kishë dhe të kërkosh falje është normale për njerëzit e gjallë, por në këtë rast shkon si një mëkatar që ke bërë një mëkat diku, dikur dhe mqse të bren në ndërgjegje, kërkon falje.Të gjitha besimet fetare e pranojnë lutjen për falje mëkatesh, kështu që termi “kishë” nuk përcakton detyrimisht vetëm të krishterët.

Të krishterët kanë një shkallë më të lartë në shërbesat kishtare, kanë Psalmet, (Lavdet, Laudamus) të cilat nuk pëshpëriten më vete por këndohen në kishë, madje këndohen në grup dhe teksti i tyre është një lavdërim për Zotin dhe jo një kërkesë nqë besimtari ja drejton Zotit për falje apo “dhuratë”. Të kënduarit e një Psalmi i afron besimtarët më shumë me njeri tjetrin në qëllimin e të lavdëruarit të Zotit, duke i afruar gjithashtu ata më shumë te Ai. Këtë tipar të Psalmit e kanë shfrytëzuar më së miri Etërit e kishës si Buzuku, Budi, Pali prej Hasi etj të cilët jo vetëm që kanë përkthyer Psalme nga latinishtja por edhe kanë krijuar Psalme tipike shqiptare, si Buzuku te Meshari.

Këtu qëndron ndryshimi i poetit Rama me personin që i drejtohet në fillim, i cili kërkonte një kishë për tu falur e një këmbanore që ta dëgjonte Zoti “se ai u fal”, ndërsa: “ unë kërkoja një psalm të vetëm/kënduar në kantikat e vjetra të Solomonit të vdekur”.

Të kuptojmë diçka: Kantikat e Vjetra të Solomonit janë një koleksion i poezive ose këngëve që nënkuptohet se i ka shkruar mbreti Solomon i Izraelit, i cili u ndodh në pushtet në mesin e shekullit të 10-të para Krishtit. Këto këngë janë pjesë e librit biblik të Këngëve të Shenjta, dhe janë një nga pjesët më të njohura të librit të Këngëve të Shenjta dhe kanë qenë një burim i rëndësishëm i inspirimit për shumë poetë dhe artistë nëpër shekuj. Shumë prej tyre janë këngë dashurie, ndërsa disa janë këngë lirike që lëvdojnë bukuritë e natyrës dhe vlerat morale. Në vargun e poezisë së Luan Ramës “Ti, psalmi im i shenjtë”, Solomonit i referohet si një figurë kryesore e këtyre kantikave dhe psalmeve të vjetra, që nënkupton se poeti po kërkon një psalm të tillë të kënduar në kantikat e Solomonit të vdekur.

Poeti shkruan: “Atëherë kërkova psalmën time/të përhumburën, të përunjurën, të hirtën/psalmin e buzëve që zgjojnë të vdekurit dhe agun/që mbushin krahërorët e vegjël të zogjve dhe shtëpive /psalmin me hapin e lehtë të barit/me sytë e të gjelbërtës”, o miq, poeti kërkon Psalmin e dashurisë, pse dashuria është forca që të ringjall së vdekuri: “psalmin për një kishë të ngritur në natyrë/ku veç një altar guri ka/a muranë kulti të harruar/ku murgjit kanë lënë një milionë fjalë e lutje/aty nën kubenë qiellore/me zotër e hyjni të dashuruar”.

Autori nuk thotë në mënyrë prozaike që sot është dita e të dashuruarve, por sot është dita e Lavdërimit të dashurisë : “sot është dita e lëvduar/plot harqe të Mozart/oboe dhe violinçelë/që e ngrejnë lart botën dhe trupat tanë/lëvduar, psalmi im i shenjtë”!

Lëvduar dhe ti poet i dashurisë së shenjtë që ke gjetur Psalmin e “purpurtë

Dhe sa bukur e ke shkruar, metafora yte: “një kishë, një kambanore për të lajmëruar dashurinë” përshkruan kishën si një vend ku shpirti mund të ndjehet i afërt me dashurinë, pavarësisht se kjo “kishë” është e ngritur në natyrë dhe vetëm një altar guri ka, ndoshta të shënjtëruar nga gdhëndia e dy emrave mbi ‘të.

Personifikimi: “psalmin me hapin e lehtë të barit” përshkruan psalmin si një entitet që vjen me një hap të lehtë (si dashuria), duke sugjeruar se ai është i butë dhe i qetë ( a nuk është kështu dashuria?)..

Simbol: “altar guri” paraqet një kthim në origjinën e kishës, duke treguar se ai kërkon një qasje të pastër dhe të thjeshtë ndaj besimit.

Lëvdata: “Laudamus shpirtit që ka nderur duart” përmend shpirtin si një entitet që është i lavdishëm dhe që duhet të nderohet, lëvdatë e denjë për dashurinë dhe për Zotin që na dha dashurinë në tokë . Kjo lëvdatë nënkupton “Ne lëvdojmë shpirtin që ka nderuar duart”. Në këtë varg, poeti Luan Rama po paraqet një ide për nderin dhe lavdërimin e një shpirti, i cili ka bërë diçka të mirë me duart e tij. Ky varg mund të interpretohet si një lloj poezi e lavdishme për vlerat morale dhe për të cilët janë të aftë të kryejnë vepra të mira.

Ky është një koment i imi që mund të mbyllet vetëm me vargun e perigfrazuar: “Laudamus Luan Ramës që ka nderur duart” e ka krijuar këtë poezi.