Laureta Petoshati:Masakra dhe poshtërsia që po i bëhet Vlorës me Sheshin e Flamurit


Masakra dhe poshtërsia që po i bëhet Vlorës me Sheshin e Flamurit

Nga Laureta Petoshati

Ka kohë që Vlora ka një indinjim të brendshëm, një mosbesim dhe një pabesi si thikë mbas shpine. Ajo që i ka indinjuar të gjithë është shpërfytyrimi monstruoz i Sheshit të Flamurit, sheshit më të rëndësishëm të identitetit shqiptar. Ndërsa Kryetari i PD në Vlorë,Ing.Genc Deromemaj,që në janar të këtij viti bënte thirrje që sheshi të mos prekej, propaganda qeveritare i vinte në qetësi qytetarët vlonjatë që të prisnin se do të bëhej diçka e bukur,dhe ata prisnin që të shihnin “mrekullinë”. Ja pikat për të cilat fliste Genc Deromemaj, i cili vërtetë ka kaluar djathtas, por është nip i tre dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare:

1. Projekti është i pakonsultuar me askënd në Vlorë dhe kushdo që thotë të kundërtën, nuk është i sinqertë me veten dhe vlonjatët;

2. Nga projekti i paraqitur konstatojmë se sheshi humbet identitetin si Sheshi Kombëtar i Flamurit, e si pasojë sheshi do të humbas vlerat e tij historike. Ai nuk do të shikohet e vizitohet më si një shesh historik, si një Mekë për të gjithë shqiptarët, por si një shesh normal;

3. Përballë monumentit historik do të ndërtohet një monstër betoni, të cilën edhe ata që e prezantuan me nxitim në ditën e tretë të vitit, ishin të paqartë për të thënë se çfarë është në të vërtet;

4. Brenda vlerës së financimit të projektit janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar Shtëpinë e Pavarësisë, një kërkesë e hershme kjo e historianëve dhe qytetarëve të Vlorës;

5. Projekti nuk tregon asgjë se çfarë do të bëhet me muret e Aulonës antike, të cilat janë një dëshmi e rëndësishme historike për qytetin;

6. Në projekt konstatohet heqja e simboleve historike të qytetit, por edhe kombit shqiptar siç janë “4 Topat” që përfaqësojnë bashkimin e 4 Vilajeteve në një Shesh Historik si ky i Flamurit;

7. Nuk duhet te harrojmë se në këtë shesh është investuar dhe në vitin 2012 duke hedhur qindra miliona lekë;

Përvec këtyre pikave kishte dhe të tjera, që lidheshin me parregullsitë financiare dhe në tendera, etj.

Edhe pse është protestuar me forcë nga shumë gazetarë, studiues dhe qytetarë të Vlorës se Sheshit të Flamurit po i fshiheshin simbolet, prapëseprapë, e rrethuar me tela e mure vazhdonte puna me një arrogancë sikur të ishin në pronë të tyre. Qytetarët vlonjatë prisnin që godina monstrouze, që kishte mbetur si karakatinë që në vitin 1987 kur u prish Shtëpia e Sharrajve, të prishej dhe pronarit të saj ti ktheheshin paratë. Pikërisht këtë vendosi dhe mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës më 28 dhjetor 2020 duke theksuar se “Më shumë se 7 milion euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit, shembja e hotelit 15 katësh në qendër të Vlorës! Ndërtesa e ndodhur në qendër të Vlorës në pronësi të biznesmenit Sulo Shehi do të shembet për ti hapur rrugë projektit për “Sheshin e Flamurit”. Marrëveshja me pronarin është arritur dhe sapo të miratohet vlera e dëmshpërblimit, do të nisin procedurat për prishjen e objektit, për t’i hapur rrugë rikonstruksionit e këtij sheshi.”

Të gjithë qytetarët vlonjatë të ngujuar nga pandemia gëzuan dhe menduan se më në fund do të hapej ai shesh madhështor ku Monumenti i Pavarësisë gjendej ballë për ballë me Varrezat e Dëshmorëve dhe në mes ishte shatërvani me Katër Topat që simbolizonin katër vilajetet shqiptare, prej të cilëve morrën pjesë delegatë në Kuvendin Historik të Vlorës. Qytarët vlonjatë panë shëmtinë që i bënë piedestalit të Monumentit të Pavarësisë, podiumit ku vlonjatët e shqiptarët këndonin dhe vallëzonin. Ky monument madhështor u tkurr e ata burra në rreth duken si ata policët e trafikut kur bëhen bashkë në ndonjë udhëkryq. Mendja e kujt ishte kjo poshtërsi? Ja cfarë thotë Fjalori Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985, për këtë Monument:

“Monument skulpturor (bronz 17 m) në Sheshin e Flamurit në Vlorë, përuruar më 1972 me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, vepër e Skulptorëve të Popullit Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Muntaz Dhrami (Çmimi i Republikës i kl. I). Është një nga arritjet më të shquara të skulpturës monumentale, kushtuar luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare. I ngritur mbi një platformë të gjerë, përbëhet në bazë nga një grup që përfaqëson figura të luftëtarëve të lirisë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, të hedhur përpara me figurën e vendosur të Ismail Qemalit në krye, nga një shtyllë në formë të çrregullt shkëmbore dhe nga figura e vrullshme e flamurtarit në majë. M. i P. ka një kompozim origjinal e dinamik dhe trupëzon idenë e fitores historike. Thellimi në skalitjen e tipave të figurave, ndërtimi plastik përmes masave të mëdha i ka dhënë madhështi monumentale.”

Por nuk mjaftoi heqja e podiumit, heqja e Katër Topave, mosprishja e hotelit. Një përbindësh betoni u duk përpara sheshit dhe pa pikë turpi sikur nuk do të kishte vend tjetër thuhet se do të ndërtohet terminal. Të gjithë pyesin se i kujt është ky hotel? Kush e bleu: Kastrati, Pacolli apo Oktapodhi? Asnjë nuk e thotë emrin e oktapodhit. Sidomos mbas aferës së inceneratorëve, ku dënohen “këmbët që lëshon oktapodhi” që të mos kapet vetë, kjo është nofkë. Lufta e gjatë midis Kryetarit Leli dhe Kryeministrit Rama ka bërë që qytetarët ta perceprojnë mirë se kush është. Gjithsesi vlonjatët nuk do të heshtin më. Qyteti i tyre është qytet hero dhe nuk mund të poshtërohet në këtë farë feje. Për më tepër që tani nga zhgënjimi u duket vetja si indianët që u dhanë pasqyra dhe u morrën tokën. Menduan se duke e varur portretin e Ismail Qemal Bej Vlorës në zyra do të nderoheshin me atë që meritonte strategu i pavarësisë. Dua të theksoj këtu faktin se në vitin 2010 Komuniteti Europian, në bashkëpunim me qeverinë e asaj kohe kishte dërguar një inxhinier projektues me origjinë italiane, i cili e shpalosi projektin e rivitalizimit të Vlorës si planimetri në Universitetin Pavarësia. Në këtë projekt ishte dhe pjesa e Vlorës së vjetër, ku shumë arkitektë vlonjatë si Pirro Stefa dhe Arben Meksi, etj., hodhën idenë e rindërtimit të Shtëpisë ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Madje u sugjerua që dhe në vend të hotelit të Sulo Shehut të rindërtohej shtëpia karakteristike e Sharrajve, ide e hedhur nga studiuesja Nermin Vlora Falaschi që në prill të vitit 1993 kur u prit nga Kryetari i Bashkisë së asaj kohe Elham Sharra. Në atë shtëpi, sipas kujtimeve të pjesëmarësve në Shpalljen e Pavarësisë, ishin gjashtë ministri, por më vonë u vendos dhe Komisioni Ndërkombëtar i Caktimit të Kufijve. Me pak fjalë ideja e historianëve dhe intelektualëve vlonjatë si Fatos Arapi, Bardhosh Gaçe, Zeko Braho, Bujar Leskaj, Miliano Stefa, Gëzim Tushi, Bujar Asqeriu, Luan Toto, Gëzim Llojdia, Vilheme Vranari, Mustafa Dedenika, Idajet Jahaj, Albert Habazaj, Ergys Alushi, Anila Toto, Alma Ferruni, Enerieta Sina, Drita Aga, Vilson Haxhiraj, Eqerem Canaj, Lejla Gorishti, etj, ishte ringritja e Vlorës së Vjetër ashtu siç u bë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit. Po kush i pyeti?! Gjithsesi reagimet kanë filluar herët, që me publicistin dhe shkrimtarin Ergys Alushi, i cili që në fillim u shpreh se “Ka ndryshuar bazamenti, monumentit madhështor të Pavarësisë, i është prishur bazamenti, i cili u ndërtua për ta lartësuar monumentin, për ta veçuar nga ngjarjet e tjera historike të Shqipërisë”.

Ja disa prej reagimeve të qytetarëve dhe intelektualëve vlonjatë për këtë që po ndodh në Shesh të Flamurit:

Drita Prendi, mjeke : “Kisha dëgjuar që hoteli i Sulos do prishej dhe Sheshi i Flamurit do kthehej si më parë. Ai shesh që na ka munguar ne vlonjatëve. Por realiteti qenka keshtu: terminal i autobuzëve në qendër të qytetit. Dini gjë, kush ka qenë ai i”zgjuar” që ka dhënë këtë ide? Terminal i autobuzëve përballë Ismail Qemalit!!!! Kjo nuk është vetëm masakër, por edhe një poshtërsi që i bëhet Vlorës tonë. Turp e faqja e zezë.”

Idajet Jahaj, publicist, shkrimtar: Ja pse ndërtimi fantazmë në Shesh të Flamurit është antikombëtar:

Së pari: Shkel Sheshin e shenjtë të Flamurit. Territori që ky ndërtim ka zënë është pjesë e kuadratit të Sheshit të Kombit, pra, të Vlorës historike.

Së dyti: Ka zënë e ka shkelur rrugën historike prej nga ku erdhi Isa Boletini me kosovarët në Vlorë, ditën e Flamurit.

Së treti: Ka eklipsuar kodrën e Dëshmorëve sipër (kodrën e Budakut), e cila është po aq e shenjtë sa edhe flamuri Kombëtar. (Ka një tendencë për t’i harruar dëshmorët, nga parti e individë). Ky akt ndërtimi është shprehja më flagrante e këtij qëndrimi.

Së katërti: Sheshi është betonizuar, duke i zënë kështu frymën qytetit të Vlorës dhe historisë së tij të lavdishme.

Së pesti: Shkulën katër topat, që ishin simbole të katër vilajeteve shqiptare.

Kristaq Moçka, publicist: “Kam shkruar disa herë për cënimin e identitetit të Sheshit të Flamurit. Duke e parë dy tri herë në ditë kantierin, që më shumë po prish se po ndërton, po shfaq edhe një herë dëshpërimin tim për këtë Shesh që e kam vlerësuar si Monument Kulture. Kompozimi i këtij Sheshi duhej bërë nëpërmjet një trasparence për të arritur më të mirën, më të mrekullushmen, si në aspektin urban e arkitektonik, por dhe në plotëshmërinë e relikeve të ndryshme historike. Vepra monumentale e Pavarësisë, e zbritur nga piedestali, duket si e mënjanuar dhe e çvlerësuar, përball grykësisë së ndërtimit që është duke u bërë.”

Alma Sinan Ferruni shkrimtare: “Po ta dinte Ismaili se Vlora do katandisej kështu do mendohej…të paktën të mund ta ngrinte flamurin në një vend ku të mos prekej nga askush…të shpresojmë për më të mirën.”

Aulon Naçi, kompozitor: “Ndoshta mund të jetë dhe diçka interesante në vetvete, por për aq kohë sa pa arsye fshin një pjesë shumë të rëndësishme të memories dhe historisë, më vjen keq, por s’më pëlqen. Ka vende të tjera ku mund të sillen arkitektura vizionare, por jo në ato pak sheshe historike me identitet të fortë kombëtar.”

Ardita Bufaj, pianiste: “Përse nuk ngrihen qytetarët e Vlorës në protestë??!!! Unë jam e para që vij nga Tirana për të protestuar për këtë masakër që i kanë bërë qytetit të Vlorës. Mos të mbushin sheshet dhe të brohorasin për fushata, por, të ngrenë zërin për dinjitetin e tyre dhe të brezave që do të vijnë në të ardhmen!!!”

Sejmen Gjokoli, poet: “Ore, mos kanë ngatërruar projektin ata të zbatimit se nuk ka mundësi…?! Vërtet do parë, ka bërë vaki.”

Arbi Tepelena : “Nuk ka turp më të madh. 30 vjet kam jetuar në atë lagje, jemi rritur me 4 topat, me sheshin dhe tani shikojmë këtë tmerr në mes të Vlorës. Mirë e ke thënë, stacioni i flamurit.”

Osmen Jaze, ing. Kimist : “Sheshi Flamurit është Sheshi Simbol i Kombit, Shqipërisë, Shqiptarëve, i Vlorës, i fisit Vlorajve, i Ismail Qemalit, i çdo Vlonjati e pse jo edhe joni , që jemi rritur aty ! Filloi shkatërrimi herët, me prishjen e Shtëpisë së Vlorajve, Lulishtes së Madhe, shtëpisë së Sharrajve, heqja e 4 Topave! Përveç Monumentit të Pavarësisë çdo ndërtim tjetër e shpërfytyroi këtë SIMBOL!”

Anila Toto, poete: “Shpresoj që një ditë të gjenden edhe fajtorët e copëtimit dhe shkatërrimit të Sheshit të Flamurit dhe Qeveria të distancohet dhe të rikthejë historinë dhe identitetin e qytetit të Vlorës.”

Lela Qejvani, poete: “Shumë komente që flasin për humbjen e identitetit të Vlorës dhe kombit por askush nuk bën thirrje të mblidhen tek” Sheshi i Flamurit ” dhe të bllokojnë punimet se terminali që ndërtohet përballë bustit të pavarësisë është turpi më i madh që njeh historia! Kush po shkatërron Vlorën ?! Ku janë vlonjatët që mbahen për trima?! TURP!”

Anila Peçi, gazetare: “Kalova dje; sidomos ajo shumështyllëshja që ka zëvendësuar 4 topat është një perlë e vërtetë. Jam e bindur se kur të përfundojë do të hyjë vërtetë në histori. Një shëmti që të lë pa fjalë…”

Lejla Gorishti, studiuese: Me të vërtetë masakër është. Duhet ngritur zëri. Në Tiranë terminali është në Kombinat, në Berat në hyrje të qytetit. Vlora ka shumë vende të favorshme në periferi në shumë drejtime. Kjo duket sikur është e qëllimshme të shkëmbehet historia e qytetit me lëvizjet pa drejtime…” Lista është shumë gjatë. Reagimet janë shumë të forta, madje duke përmendur dhe tritolin. Zhgënjimi më i madh është i atyre që dëgjuan disa deputetë socialistë, të cilët u thonin të bënin durim se do të bëhej diçka e mirë.

Dhe këtë gjë, Eduart Frakulla, poet e shpreh me fjalën se: “ Heshtja polli vdekje”.

Ndërsa mua, tek më vijnë lloj –lloj mesazhesh nga njerëzit e heshtur për të reaguar, m’u kujtua një proverb i huaj që ma thoshte im atë: “Ki kujdes nga njerëzit që nuk flasin dhe nga qentë që nuk lehin.” E kam për ata që mendojnë se Vlora po hesht. Heshtja e saj është si ajo para stuhisë.

Vetëm fëmijët flasin ato që dëgjojnë nga më të mëdhenjtë. Një grup fëmijësh kishin transformuar këngën e filmit “Tomka dhe shokët e tij” nga: “O more gjermanë, ju jeni hajdutë,/ Sheshin ku ne loznim juve na e zutë”, në “ O qeveritarë, ju jeni hajdutë,/ Sheshin e Flamurit juve na e zutë.”

Ndoshta dhe ata presin se çdo të bëjnë më të rriturit, për të cilët kanë lexuar nëpër libra se kanë qenë trima dhe me histori.

About Post Author