Lefter Çeko:të fillosh të pikturosh edhe me qymyr-Nga


Lefter Çeko: të fillosh të pikturosh edhe me qymyr

Nga Panajot  Boli

I pëlqen kur rrufit kafen, të humbasë shikimin në kaltërsinë e detit Jon. Dhe kafen  e pi aty në verandën e Rivierës. Jo më shumë se nja 10 metra larg ku është Galeria e Arteve, në të cilën ai është drejtor. E shikoj me vështrimin tretur  kaltërsisë  dhe nuk dua t’ia prish meditimin.’Tani –them-Lefter Çeko skicon ndonjë tablo’ Nuk bëj gabimin si dikur t’i bëj pyetjen naive ‘Cila është ngjyra jote më e dashur?’ Tani që është i përhumbur në ngjyrën e kaltër, ku tutje afër Korfuzit kalon një anije e bardhë, ai mund të më thoshte  ‘Unë i lumturohem ngjyrës së shpirtit’ Por para ca kohësh  ai më shikoi në sy dhe më tha: ‘Ngjyra varet nga mesazhi që përcjell. Ne që jetojmë këtu kemi kaluar periudha gri, periudha të gjelbërta, periudha blu e të tjera, disa të vërteta, disa të gjënjeshtra, ndryshe të ndriçuar në mëngjes, ndryshe në drekë , ndryshe në mbrëmje, si i përjetojmë, por në veprën e artit sjellin një ide, një mendim dhe regjistron  çastet e shpirtit  që krijojnë në këto tema të kohës’ Nuk dua t’i shkëput meditimin. Ndoshta duke parë anijen që i drejtohet Igumenicës, sjell ndërmend emocione të fuqishme që ndjeu kur hapi jashtë vendit të tij ekspozitën në këtë qytet. Me zemrën që i dridhej shikonte si reagonin vizitorët që nuk ishin të  paktë mes tyre edhe kolegë të tij. Ishin si ato çaste kur i thanë të mbrojë temën  për mbrojtjen e diplomës. Mbante mend kur  u kthye nga Delvina për në fshatin e tij Kostar, në të hyrë të fshatit  përshëndeti gratë e fshatit që mblidhnin ullinj. Në krye të fshatit pllaja kishte marrë një ngjyrë të florinjtë, magjepse. Ishte një peizazh pak i çuditshëm atë ditë vjeshte. Vetvetiu i shkrepi në mendje  të bënte një tablo të tillë. Po, po me këtë të mbronte  diplomën. Tani duhet ta hidhte në tablo ashtu siç e ndjeu, me magjinë që e zbuloi papritur. Dhe pa ulur çantën nga shpina, rrëmbeu penelin… Punoi ethshëm… Mundohej të mos e humbiste atë ‘shkrepje’ fantastike që i kish kapur syri  dhe shpirti. Atë e ruante akoma. Një tablo e shkëlqyer ‘Gratë e fshatit tim mbledhin ullinj’ Dhe ka nostalgji për këtë kompozim të frymëzuar nga vendlindja e tij e shtrenjtë. Pastaj rrugëtimin e ekspozitave të tij personale dhe me kolegë në Korfuz, Athinë, SHBA, Gjermani,Francë  e duke u kthyer prapë në Tiranë e në Sarandë, këtu ku filluan ethet e para të punës së tij pranë këtij deti të dashur, që shpesh  i rri pranë dhe bashkëbisedojnë’’

Nëse e pyet Lefter Çekon si arriti ai të bëhet një piktor kaq i talentuar, kur në shtëpinë e tij të varfër në Kostar  dhe  në shkollën ku shkonte, s’mund të gjeje një laps, pa le dhe  kushtet apo ndihmesën që duhej të kishte për të kultivuar atë dëshirë të madhe për të pikturuar, ai buzëqesh.  -’Po vërtet e çuditshme. Edhe unë e pyes veten ndonjëherë. Shkollën tetëvjeçare e bëra në Delvinë. Me një çantë basme që na lagej shpesh herë, bënim rrugën Kostar –Delvinë mëngjes e drekë, me diell e me shi, Mua më pëlqente të vizatoja. Doja të vizatoja gjithçka. Mësuesi im i mirë, Aristidh Loli, më zbuloi sekretin, pasionin që kisha për të vizatuar. Më ndihmoi shumë. Në klasën e shtatë dhe të tetë hapa në shkollë një ekzpozitë personale. Mësuesit, shokët, i shikonin me interes, më shikonin pak më me admirim. Kishte nga ata që më thoshnin’ Të kam shok, më bëj pak portretin tim, ti tani je piktor.’ Këtu ndjeva papritur se isha  futur në një rrugë që donte punë, pasion, dashuri, përgjegjësi. Atëhere në shtëpinë time të varfër nuk kisha  shumë mundësi dhe kushte. Pikturoja me një laps, me qymyr, dhe me shkumës… Konkurova dhe fitova për në shkollën e arteve në Tiranë. Kështu nisa udhën time  që e kisha ëndërruar kaq shumë’ 

Ne duam të dimë për tematikën e veprave të ardhshme të këtij piktori të talentuar duke i ngarë  mendimet. “Vendlindja  është baza e veprave të mia dhe do të ngelet po ajo. Edhe në të ardhmen  ekspozitat e mia do të kenë të njëjtën tematikë, brenda tyre do të jetë lëvizja e njerëzve të lirë, dmth, kur them kurbet, ajo ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë në kohë të ndryshme, në periudha të ndryshme, në kushte të ndryshme, por vepra e artit  do të shprehet  me atë mendim  që  do të jetë krijuese dhe do të vijë publiku, le të themi, pa titull,  dhe secili të vendosë titullin duke bërë vlerësimin  e duke gjetur veten e tij, ndjenjën e tij e do të thotë: ’I mrekullueshëm ky peizazh, është i vendlindjes sime , është ngjyra e lindjes  në fshatin tim të dashur”

…Lefter Çeko rrufit kafen  me vështrimin tretur në det. Ashtu si ditët e para që nisi punën , këtu në këtë  qytet me detin pranë.  Kujton, kur dilte  në dritaren e zyrës së tij në Kinoteatër dhe  shikonte nga deti… Sikur aty ishte frymëzimi  i tij, Tani u ngritën ca dallgë. E marrin në krahë dhe  e çojnë në fshatin e tij të dashur  Kostar me Shën-Mërinë në krah. Aty ku lindi dashuria për pikturën, aty ku buron frymëzimi i tij.