Lefter Shomo:Më vodhën njerëzoren



Lefter Shomo

Më vodhën njerëzoren

Sërish dola e vrapova
për shlyerje llogarish..
Nëpër shërbimet publike,
zyra, banka, sportele
Mjerisht u lodha
mes shtigjesh të burokracisë
Që dhe durimet iovike
radhët ti bëjnë fërtele.

Sa keq! Sot mua më munguan
të njohurit , miqtë
Me ta s’ këmbeva një mendim,
një fjalë të ngrohtë
Për dreq, lulet s’ më uruan,
mbesën s’ ma panë sytë..
Miq, e zhgënjeva ditën
sepse i vura vargonjtë.

Dita m’ u përmbys
Me të madhe rrokopujë..
M’u zvordhën ato rregulla
e ligje shtetërore..
Puna u katandis
një vrimë e madhe në ujë
sepse më vodhën lezetin,
tokësoren, njerëzoren.

P.s Iovi= figurë mitologjike e mishërimit të durimit të pafund.


About Post Author