Lëkurë e rreshkët-Vaso Papaj


E pashë Tiranën, nga fëmijët të pikturuar,

Nëpër klasa kopshtesh, ku qielli është zënë peng.

Ku tiranas, bërë prej ajri, me zemër diku harruar,

Shëtisin rrugëve me libra, trasta, benza, indiferentë.

Tirana është shtrirë si një faqe gazete suplement,

Ku me shumicë, falas, gjen falsitet mbi falsitetet.

Ndonëse secili nxiton, fjalor të nxjerrë nga xhepi i vet,

Humbasin së bashku kohën, të thërmojnë dialektet.

Qielli i Tiranës i ngrysur, si sy vjeshte,

Po na gostit me shi vuajtjesh, në indiferencë të plotë.

Një ditë më pak në kalendar për ne, mes kësaj heshtje,

Pluhur kozmik na quajnë, rënë pa dashje në këtë botë.

Sot në Tiranë mbijnë, kurdo e ngado, lloje qivuresh.

Dhe s’ka askund, asgjë, qoftë një qiri, për të shpresuar.

Është trishtim të rrish i vetëm brenda katër muresh.

Sigurisht, mos sot, nesër, do të fundosesh, i harruar.

Tirana duket se e njeh tashmë dëshirën që troket.

Dhe netëve kërkon të mëkatojë, të mëkatojë…

S’është idiote demodé… E bën me të vërtetë!…

Pastaj, e lodhur, e mashtruar, s’di tjetër ç’të kërkojë.

Tiranë!… Lëkura ime e rreshkët, truri, shpirti im!!

Tiranë!…E ndezur tërë kohës si një llambadar.

Nën tavanin e përjetësisë, të lutem, jepmë pak besim.

Heshtja jote është: vetëm i thelli, gjumi im i parë.

Një dhunë qorre e ka kthyer në një shtrat për lugetër

Edhe qiellin tënd, viktimë smogu, më mbyt mushkëritë.

Prej kohësh që s’harrohen, ky pullazi ynë i vjetër,

S’besoj se do të vdesë papritur, mëkateve një ditë.

Po Tirana ka kohë që ëndërron një tjetër jetë,

Se e sotmja s’është “tjetër”, veç një rendje kuturu.

Do të doja, në këtë udhë, të ish mik me veten ky qytet.

Vetëm kështu nuk do të vdiste kurrë, vetëm kështu.