Lëndina e lotëve-Nexhat Nallbati


VËNDI I DHIMBJES SHPIRTËRORE

( Pak histori )

Kur del nga qyteti i Korçës,në anën e djathtë të rrugës që të çon në qytetin e Bilishtit-Kapështicë dhe deri në shtetin fqinj Greqi, ndodhet një vënd që ka një histori tepër të rrallë dhe të veçantë që mban një emër simbolik :

“LËNDINA E LOTËVE”

Kjo lëndinë ka shërbyer si një pikë takimi midis emigrantëve kryesisht burra të qytetit të Korçës dhe rrethinave të saj, që ktheheshin në shtëpitë e tyre nga emigracioni i gjatë në vënde të ndryshme të botës, kryesisht Amerikë, Australi, Argjentinë,Bullgari,Rumani, Greqi me familjarët e tyre që i prisnin me ankth dhe mall të madh dhe si vënd grumbullimi për të gjithë ata emigrantë të tjerë, që mes dhimbjes dhe lotëve ndaheshin nga familjarët e tyre duke marrë rrugën për të shkuar në kurbet kryesisht në Greqi sidomos në qytetet Follorinë, Kostur, Selanik, Janinë etj) dhe që andej shkonin në shtete të ndryshme të botës.

Emigracioni i Korçarëve ka filluar qysh herët ,nga fundi i shekullit të 19 -të dhe fillimi i shek të 20-të.

Grupi i parë i kurbetllinjlve Korçarë, Kolonjarë dhe rrethinave të tyre i përbërë nga rreth 100 emigrantë është nisur në vitin 1894.

Kurbetllinjtë pasi shkonin në vëndet ku gjenin mundësinë,fillonin organizimin e tyre, për të filluar punë duke pranuar punët nga më të vështirat, me qëllimin e vetëm për të siguruar të ardhura e për të ndihmuar sado pak familjet e tyre ekonomikisht. Vala e parë e kurbetllinjve ishte kryesisht për burrat.

Emigracioni në fillim kishte karakter ekonomik dhe më vonë ai morri dhe karakter politik.

Në lëndinën e lotëve,njerzit shikonin me hidhërim llandonet apo karocat, qeraxhinjtë me kafshët e tyre,karvanet e kurbetit,siç quheshin atëhere,që rrëmbenin nga gjiri i vatrave familjare të qytetit dhe fshatrave të rrethit Korçë,qindra dhe mijëra djem të rinj dhe burra të porsa martuar,për t’i larguar nga familjet e tyre,nga Korça dhe Shqipëria,për të shitur krahun e punës jashtë Atdheut.

Korça është qyteti i vetëm, që ka një vënd të tillë,simbol të kurbetit dhe lotëve të derdhur.

Si i dedikohet zanafillës së mërgimit dhe jo pa qëllim ka marrë emrin drithërues dhe shumë

Kuptimplotë:

” Lëndina e lotëve”

Kurbeti( mërgimi) do të mbante gjallë jo vetëm ekonominë e qytetit,por ai do të ndikonte shumë edhe në zhvillimin kulturor të vëndit,duke sjellë në qytet atë që sot quhet me të drejtë trashëgimi nga e shkuara.

Kësaj lëndine,këtij vëndi simbolik, populli ynë për të përjetësuar dhimbjen dhe lotët e derdhur gjatë kurbetit të zgjatur dhe shumë problematik i ka thurur këngë të veçanta.

Dy prej tyre janë:

Qeraxhiu i Grebenesë dhe Mora rrugën për Janinë.

QERAXHIU I GREBENESË

Që është kënduar me mjeshtëri artistike nga këngëtarja e mirënjohur Korçare ELI FARA.

Ja disa vargje të kësaj kënge:

QERAXHI o i grebenesë dhe more ah qeraxhi,

Paske qënë i pabesë dhe more ah qeraxhi,

Qeraxhi o të kam vëlla dhe more ah qeraxhi,

Sillma burrin epo pa para dhe more ah qeraxhi

Epo në qofshin burrat tanë dhe more ah qeraxhi,

E sihariqe do të jap gjerdanë e more ah qeraxhi

E në qofshin burrat e botës dhe more ah qeraxhi,

Epo mur më mur do t’i bije kokës dhe more ah qeraxhi…….

Qeraxhi o të plastë kali dhe more ah qeraxhi,

Që ndave nusen nga djali dhe more ah qeraxhi,etj…..

Kur dëgjon këtë këngë të mrekullueshme,që i përket historisë së dhimbshme të popullit tonë,nuk qajnë vetëm sytë dhe as të dhemb vetëm shpirti por të VAJTON çdo qelizë e trupit. Kjo këngë të krijon një ndjesi të çuditëshme…..të duket sikur ndjen zëra të lashtë të historisë së popullit tënd të shumëvuajtur.Ato pëshpërisin në veshin tim dhe gjaku fillon e gurgullon në të gjithë qënien time.

Kjo këngë është simbol i vuajtjes dhe sakrificave në jetën e njeriut,por edhe i forcës,guximit dhe vazhdimësisë. Ajo është një perlë e bukur e të pa zëvëndësueshme,fantastike që të rrënqeth trupin.

Më shumë se çdo popull në botë këtë këngë e kuptojnë më mirë shqiptarët kudo që janë.

Mesazhi i kësaj këngë është tepër i qartë:

E kaluara nuk duhet shtuar kurrë.Po harove të kaluarën,nuk sheh mirë të tashmen dhe nuk orientohesh si duhet drejt të ardhmes.

JETA VAZHDON

Edhe pse kanë kaluar qindra vite,kjo këngë ka forcë të madhe dhe arin të shpojë zemrat e të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo ku janë,jetojnë dhe punojnë por mëndjen dhe shpirtin më Shqipëri e kanë.Atë kurrë nuk e harojnë.

Emigracioni masiv ,kjo plagë e madhe dhe rëndë shqiptare,ishte ,është dhe vazhdon të mbetet një”sëmundje” ende e pashërueshme.

“Lëndina e lotëve” ky vënd që edhe sot mban të njëjtin emër,ku dikur vetëm qahej dhe derdhej lot, SOT ajo është kthyer në një hapësirë relaksuese për qytetarët Korçarë ,kalimtarët e ndryshëm dhe vizitorët e shumtë vëndas dhe të huaj.

Mendoj se ka ardhur koha e ngritjes së një memoriali madhështor kushtuar këtij vëndi dhe kësaj ngjarje të dhimbshme të historisë shqiptare.