Lermë me kujtesën-Vaso Papaj


Mesnatë,

Sillmë ca trokëllima trotuari!

Hëna ka humbur kujtesën, qesh si budallaqe.

Bashkoji me trokëllimat e mia

Dhe mos prit të më shohësh lot në faqe.

Rënkimet e erës i kanë përplasur ato kapicë,

Si gjethet e thara tek porta e shtëpisë së vjetër.

Dua t’i shoh, t’i shkel, mos t’i kem.

Nesër po vjen edhe një ditë tjetër.

Mesnatë,

Lermë me kujtesën!

Lermë të vetmuar nën dritën e hënës,

Të kërkoj tërë kohës ç’është lumturia?!

Lërma të jetë gjallë kujtesa!…

Çdo dritë rruge duket sikur mposht një të keqe,

Largon një të shtënë të verbër,

Më shton shpresa.

Prekmë pra, mesnatë!

Jam vetëm me kujtesën e ditëve të mia,

(qoftë me shi, qoftë me diell).

Prekmë, që të kuptoj se lumturia s’është një mit,

Por një ditë e re më shumë (edhe një tjetër ditë).