Kjo është PARATHËNIA e Profesor Mark Simoni në librin tim “AUTOPORTRET”, botuar nga Shtëpia Botuese “MUZGU”.
LETËRSIA E ÇUDITSHME
– nga Mark SIMONI

Hyra në perandorinë e errët dhe të mugtë të librit të Ligor Stafës, me ato lloj hapash të matur dhe të ngadaltë, siç futet vëzhguesi në psiqikën e njeriut, atje tek neurozat, ndërgjegja dhe koshienca, tek hipnozat që shfaq qenia njerëzore. Dhe mendoj se ndërgjegja krijuese e këtij autori ka në zanafillën e projeksionit krijues pikërisht këtë lloj materie filozofike dhe letrare, atë të nënvetëdijes dhe ezoterisë së fshehtë personale që ka qenja njerëzore. Pikërisht tek vullnetet e shtrydhura dhe të shtypura që dija i bën nënvetëdijes, duke mos e lënë të aktivizohet dhe për të na dhënë sinjalet e saj, që janë kode shumë të rëndësishme për të kuptuar njeriun dhe aksionet e tij, mentalitetet dhe energjitë e fshehta që njeriu administron.
Ky shkrim është në një farë mënyre një ese mbi parabolën e letërsive të tilla dhe destinin se ku duan të mbërrijnë këto tregime simboliste, mbushur me situata të pafundme irreale.
Unë mendoj se shkrimtari i talentuar Ligor Stafa, aq sa çështë frojdian në kërkimin e motiveve të individit, (përtej koshiencës), pra të çelësit të sjelljeve të personazhit tipik arketipal, po aq është dhe niçean, duke trajtuar në nëntekst gjeanologjinë e moralit.
Të kishim praktikën e arabëve në shfletimin e librit dhe librin e Ligor Stafës ta hapnim nga faqja e fundit që është pasqyra e lëndës, pra titujt e tregimeve që ka libri, vetëm leximi i titujve do të na e frymëzonte fantazinë, do të na e harliste mendjen dhe dëshirën për të shkuar drejt prozave të shkruara aty. Sepse titujt ekstravagantë nuk janë rrengje por vetë substanca e rrëfimeve. “Lehja”, “Në tavernen tonë të preferuar”, “Qeset ngjyrë gri”, “Rrëshqitja në akull”, “Ujqit e rinj”, “Nuhatje qeni”, “Dorëshkrimet e miut”, “Në pavionin e fantazmafobëve”, “Dylbitë”, etj.
Rrëfimet në këtë libër janë shumë simbolike, të mbushura me shenja, nëntekste, metafora, simbole alkimike, si heraldika e vjetër e stemave, atmosfera të mugëta dhe të errta, të shkruara artistikisht në perfeksion. Ata të mbushin me atë gjendje dhe klimë siç të imponohet letërsia e Kafkës dhe Buzzatit, duke luajtur me detaje, me rafinitura të estetikës, duke punuar me kujdes tek mikrodetajet, duke e mbushur çdo fjalë me shumë energji, duke i shkuar deri në skutat e fundit të subjektit me metaforën dhe filozofinë si mjete dhe të psiqikës.
Pikërisht kjo llojë shkolle, ky stil, e bën Ligor Stafën me këtë libër, si një nga tregimtarët e prozës së shkurtër më interesantë dhe të veçantë.
Në librin “Inkuizicionet”, Borgesi ndalet gjatë në personalitetet letrare të 11 shekujve, që kishin në matricën e krijimit metodologjinë letrare që përmenda më lart, dhe në të cilën Ligor Stafa ndrit me tregimet e tij. Borgesi i quan tërë ato korifej të letërsisë së këtij stili “Parakafkjanë”, duke i dhënë pikërisht Franc Kafkës atributin e kodifikimit të kësaj tendence letrare, të kësaj alternative stili.
Madje në vitin 1940, kur në faqet e shtypit italian nisën të shfaqen reportazhet e gazetarit të luftës së Italisë në Etiopi, Dino Buzzatit djalosh, kritika qe e vëmendshme. Dalloi në ato reportazhe jo thjesht një kronist, por një shkrimtar të veçantë dhe të çuditshëm. Madje e pagëzoi dhe me nofkën “Kafka i ri i Italisë”.
Prozat e veçanta të Ligor Stafës, mendoj se thërrasin në skenë një stil të caktuar leximi, një model disi ndryshe të gjykimit të tekstit, një kualitet të caktuar të lexuesit që jo vetëm njeh simbole dhe kode të caktuar, por mbi të gjitha din të gjejë çelësat për të hapur portat e letërsisë hermetike, të mbyllur, shumë filozofike dhe të kodifikuar.
Dhe tani po më kujtohet se Autori ynë ka bërë përkthime të autorëve hermetikë, ku ndjehet menjëherë admirimi i tij për poetët e mëdhenj të asaj tendence letrare.
Autori Ligor Stafa rrëfen subjektet e tij letrare me një zhdërvjelltësi, elegancë dhe finesë, të këndëshme. Ndërsa unë duke ecur në relievin nokturn të librit të këtij shkrimtari, shoh në mënyrën time të leximit, në nënshtresat e rrëfimeve kuptoj thellësitë dhe turbullimin nga instiktet bazë, ndiej gjendjet e hipnozës tek personazhet, mendoj frustrimet, ankthet dhe tutlimet që ato kanë, më frymëzon ajo që në psikologji kam lexuar të quhet “Balloni i qelqit” (pra, gracka dhe njëfarë klastrofobie). Ndjehet që personazhet e Ligor Stafës kanë gjendje depresive, apo kanë hipnozat ekolektive që i ka studiuar Jungu dhe neojungistët. Nga rrëfimet më bëhet sikur në kokat e personazheve të librit sillen retë e mirazheve, iluzioneve, vegimeve, gjendjet aluçinante, raportet e mistikës me mitin, situatat transhendentale mes tokës fizike dhe Perëndisë. Profilet karakteriale kuptohet menjëherë se janë nën pushtetin e emocioneve, hipnozave, mendjeve të trazuara, kapërthimit të konfliktit të egos dhe superegos, ëndrrave dhe leximit të tyre si simbolikë e shenjave të asaj që mund të ndodhë, “Gjuha e harruar” (Erik From), apo përceptohet disi, si edhe demonizimi dhe qeniet demoniake. Megjithëse autori nuk përmend asgjë nga këto, klima dhe atmosfera është gjithë elektricitet, që vjen nga ndjesitë dhe situatat e tregimeve të këtij shkrimtari krejt të veçantë. Pavarësisht se ky libër i sjell pak kokëçarje letërsisë drejtvizore dhe monotone të tregimeve, po aq i bën nder kësaj letërsie duke sjellë energji dhe stil krejt ndrysh në prozën tonë.