Letra pa adresë-Preng Maca


Letra pa adresë

kur dita e qetë

mbyll siparin e saj, e futet

në mantelin e natës,aspak të qetë

unë ulem dhe shkruaj …letra pa adresë.

edhe në kohën ,

kur ti më hutove aq shumë,

sa vendosa t’i thyeja pasqyrat

përderisa i kisha sytë e tu

kam shkruar …letra pa adresë!

dhe në gëzime,

kur dielli ka mbushur botën dhe gotën,

teksa hareja klithte gjer në kupë të qiellit

kam shkruar …letra pa adresë.

(nuk rri dot pa menduar për ju

marr fletët e bardha e shkruaj drithërimet e mia.)

ëndërroj,

sa kam dëshirë që dikur,diku,dikush

t’i marrë atë letra të shkruara

tash disa vjet,

pa emra përmbi zarfa

në letra të pafundme dhe … pa adresë!