Libri “portrete shkrimtarësh” – një enciklopedi e mirëfilltë e botës shqiptare


Studiuesi, publicisti, eseisti, dramaturgu, romancieri dhe teologu Zekerija Idrizi në veprën e tij të thukët e mjaft vëllimore “Portrete shkrimtarësh” ka përfshirë një numër të madh krijuesesh e krijuesish nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Kalabria, Sicilia dhe nga mbarë diaspora shqiptare kudo në botë.

Filozofi Zekerija Idrizi është si bleta punëtore që shkon lule më lule për të marrë nektarin. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme të qëmtojë me kujdesin më të madh vlerat kombëtare shqiptare, veçanërisht ato nga fusha e letërsisë. Një për një i ka qëmtuar në mënyrë studimore jetëshkrimet dhe veprat e shumë autoreve e autorëve shqiptarë, madje edhe të disa poetëve e shkrimtarëve të huaj.

Këtë fakt e thekson edhe vetë Zekerijau në hyrje të këtij libri, teksa pohon:

“… Para se të jem një krijues librash, unë, parasëgjithash, dhe në kontinuitet, jam një lexues i tërëjetshëm dhe një vjelës vlerash studimore filozofike, teologjike e letrare nga bota e letrave, e librave – e letërsisë. Ka kohë e kohë, madje edhe vite e dekada, veçanërisht muajt e fundit, që lexoj e stërlexoj biografitë bashkë me opuset studimore, shkencore, filozofike, letrare e kulturo-artistike të qindra krijuesve e studiuesve shqiptarë dhe të nacioneve të tjerë në vend dhe në botë. Jam ndeshur, dhe përballem akoma edhe sot, me një pasuri të madhe veprash nga fusha e shkencës, filozofisë, artit e letërsisë. Kam takuar e njohtuar, njohtoj akoma edhe sot e kësaj dite, shumë pishtarë e korifenj të poetikës, shkrimtarisë, mësuesisë e artit në përgjithësi …”

Madje autori ka edhe një edukatë solide kombëtare, për arsye se, sikundër theksova në fillim, brenda librit ka përfshirë krijuese e krijues nga gjitha trevat etnike shqiptare, si dhe nga e mbarë mërgata jonë në të katër anët e globit.

Në veprën studimore “Portrete shkrimtarësh” një vend të rëndësishëm zënë femrat krijuese shqiptare e që krijimet e tyre jo vetëm që janë të barabarta me krijimet e burrave por herë – herë kanë vlera më të larta letrare artistike dhe estetike.

Nga leximi dhe studimi që i kam bërë zhvillimit të mendimit botëror, në përgjithësi, dhe të atij shqiptar, në veçanti, kam hasur në faktin që çdo revolucion shoqëror, shkencor e kulturo-qytetërues ka enciklopeditë e veta me anë të të cilave vendos piketat e rrugëtimit të tij drejt shtigjeve të progresit të gjithëmbarshëm. Ky rrugëtim veçanërisht është nisur në epokën e revolucionit francez, kur Didero dhe shumë kolegë të tij nxorën një enciklopedi që pati ndikim të madh, si në Francë, ashtu edhe në Evropë. Më pas ky ndikim u shtri në të gjithë botën. Një revolucion të tillë në botën shqiptare e filloi edhe rilindasi famëmadh Sami Frashëri, duke botuar enciklopedinë e tij gjashtë vëllimore me titull “Kamus-ul-alam”.

Në këtë rrugëtim kaq sublim ka udhëtuar edhe z. Idrizi përmes shkrimit dhe përgatitjes tashmë për botim të kësaj vepre me vlerë dhe peshë studimore, publicistike e letrare.

Thënë me një fjalë, libri “Portrete shkrimtarësh” është një enciklopedi e mirëfilltë që botës shqiptare i ka munguar.

Me konsideratë të thellë e përgëzoj për këtë vepër madhore autorin erudit Zekirija Idrizi!