LIDA XHAMO – LAZAJ
NJË IKONË DARDHARE E VARGUT POETIK ARTISTIK #DardhaMagicHeritage-Literature
Kur lexon krijimet e znj. Lida ajo të përfshin të futesh në kopështin e krijimtarisë të saj, në një botë fantastike ku FJALA si një shtojzovalle të magjeps me bukurinë, zhdërvjelltësinë dhe mistikën e saj.
Znj. Lida ka një stil të shkrojturi që e personalizon si shkrimtare të spikatur, një artiste e strukturimit të fjalës nëpërmjet përdorimit të gjuhës shumë të pasur figurative.
Znj. Lida e ndërton mendimin dhe rrëfimin me ndjeshmëri, elegancë dhe inteligjencë të lartë.
Me një aftësi natyrale kultivon fantazinë nëpërmjet përdorimit të elementëve të mataforës, personifikimit, ngjashmërisë, hiperbolës me qëllim për të krijuar efekte që skalitin mbresa të thella tek lexuesi.
Leksiku poetik “Alla Lida”, shpesh me një formë strukturale me përthyerje estetike
funksionale të njësive frazeologjike, sjell jetësoren, fjalën e gjallë plot vitalitet, magji, mister frymëzuar nga një memorie e pasur dhe me një obsesion intensiv që synon të ngjallë emocion.
Dardha ishte për Lidën vëndi ku u rrit në gjirin e një natyre plot me bukuri, aroma, ngjyra, tinguj të shikuara, perceptuara dhe shijuara në detajet më të imta duke krijuar një shpirt poetik, i cili do lulëzonte vite më vonë duke pasuruar gjuhën shqipe me togfjalësha unikë, një karakteristikë e spikatur e stilit të saj, falë një botkuptimi intelektual dhe artistik të njerëzores, natyrores dhe fantastikes.
Ajo u rrit me gjene të trashëguara dardhare : babai Vangjel Xhamo dhe mamaja Vanthia Velo – Xhamo (nga linja e fisit Velo unë e kam Lidën kushërirë të dytë).
Babai i Lidës jeton brenda shpirtit të saj, është një Zot që e frymëzon duke u bërë pjesë përbërëse shumë të rëndësishme të krijimtarisë të saj.
Znj. Lida ka botuar krijimtarinë e saj artistike në libra të tilla të vlerësuara nga kritika si psh:
-“Me zërin tënd”. Poezi – Haiku (frymëzuar nga zëri i babait të saj),
-“Rruga për nesër – Haiku” (frymëzuar nga Haiku një zhanër poetik i karakterizuar nga forma unike me origjinë japoneze),
-“Gisht i dheut të dhëmbshur”, (frymëzuar nga dheu i dhëmbshur i Dardhës),
-“Syri i së Dielës” (frymëzuar nga syçkat e mbesës së saj),
-“Uji që është ujë” (frymëzuar nga natyra e Dardhës dhe prindërit e saj).
Krijimtaria e përzgjedhur e znj. Lida është pasqyruar në disa Antologji Poetiko-Letrare në Shqipëri dhe jashtë saj si në Kroaci, Bosnje – Hercegovinë, Japoni etj.
Ka shkruar shpesh herë poezi, ese, tregime, artikuj në shtypin e shkruar shqiptar.
Ka marrë pjesë në shumë aktivitete e evente të poezisë e letërsisë brenda dhe jashtë vëndit psh, në Kosovë, Maqedoni e Veriut, Greqi etj. ku edhe është vlerësuar me çmime.
Është antare :
– e Klubit të Shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” Elbasan,
– e Shoqatës Shqiptare të Haikut (e cila është antare e Shoqatës Botërore të Haikut Tokio, Japoni, si dhe bashkëpunon me Shoqatat e Haikut në vëndet ballkanike dhe të Europës).
Një tjetër fushë e veçantë e krijimtarisë të znj. Lida është qëndistaria që prodhon objekte të bukura e funksionale të stilizuara me vlera artistike.
Respekte, dhe suksese znj. Lida, nderi dhe krenaria e Dardhës dhe e komunitetit letrar.
(9 gusht 2023. Përgatiti Arian Çika)