Ligor Stafa:Dorëshkrimet e miut




Ndiej një fëshfëritje miu kur nis të shkruaj. Sytë e mi janë shtrydhur mbi monitorin e computer-it dhe frymën po e mbaj të prangosur. Si këtunë e gjysmëkërrusjes sime. I paralizuar nga gërricjet dërrmuese, nga gërricjet miushe të pamëpakësueshme. Fytyra ime? Një fytyrë nervoze përreth ngërdheshjes së një njeriu të ngjyer në të bardhë. Një pjesë e imja duket nëpërmes mobiljeve të shqetësuara nga ecejaket e miut. Sytë bredhin mbi tituj. Kërkojnë ndonjë esé për brejtësit e përhimëqulltë, ose ndonjë roman të shkruar prej tyre. Ja dhe miu, që më del shpesh në ëndërr. Një kopertinë e keqe. Një siluetë jotërheqëse.
I ulur mbi karrike, mbështetur mbi tryezë, rrethuar nga një slalom letrash. Si një prestidigjitator ai shkruan e shkruan parreshtur. Kur lodhet merr librat. Për t’i lexuar? Për t’i brejtur me pakngapakje. Në pastajkënaqje ai nis të shkruajë. Me ngadalje. Më i menduar.
I veshur me aversion shkoj të vesh pandoflat. Të mos e ndesh me këmbë. Dorën e djathtë e ze me një shkop.
Mundohem t’i shpëtoj vështrimit hedhasysh të tij. Ndalem. Në kryqëzimkrahë. Përpiqem ta shoh si një të panjohur. Zoofobia ime përngjan me gërmimet e papushimta për të zbuluar një thesar. Dështoj e dështoj në afrimin tim. S’ka gjë. Shtirem diskret. E provoj prapë. Në vjedhuraziafrim. Dështoj sërish. Dështoj më keq. Nuk mendoj më ta godas. Për këtë kam çarkun në cep të dhomës. Nuk më pëlqen të luaj heroin. Kërkoj farepakun. Planin e kam të gatshëm. Ta përze nga aty. Qëndroj palëvizur, në një lëvizje të shtyrë për më vonë. Të shoh dorëshkrimet e tij. Në atë ç’ka ka mbetur prej hieroglifekatranosjeve të tij.
Jam tejet i lodhur. Si të jetë raundi i fundit. Në postlargimin e tij fillon e më zbjerret kureshtja. Në kalkun e gjërave prekatare je si në një çast pa tinguj. Kjo të bën të vraposh nëpër dhomë vetëm me të mbathura. Ngërdheshja ime brof duke dihatur. Para dorëshkrimkakërdhisë së një miu. Në morinë e fiksacioneve pres të shndërrohem në një makinë grirëse mishi, që bluan me nofullat e saj minj. Duke shpresuar t’u jap fund dëmeve.
Ç’të bëj bërja ime?
Të ndez një zjarr në mes të dhomës e t’i djeg dorëshkrimet e tij? Piromania nuk më shkakton ndonjë ndjesi, por truri im është nxehur shumë. Shumë.

About Post Author