Petrit Ruka
.. — S’kam buri t’i bie fortë e pa ndalim për ca çaste , si Ti që ngulje këmbë kur mbërrije në afërsi të Tepelenës që të dëgjonte nga varri poeti QAZIM SHEME..— po më mori malli për analizat e tua poetike ; ja si kjo që bëre TI për timen , kur as më njihje e as kishe idenë kush isha unë , mbesë e Tepelenës tënde e bijë e Nuros sime………( Një fragment…)

Liliana shkruan për gjërat e saj dhe larg pozave steriotipe të poezive gjoja të mëdha, patriotike, moraleve të përsëritura, bërtitjeve.
Sepse për të kjo lloj udhe, këto “stola”, ku ulen dhe pushojnë të gjithë, ajo nuk i pëlqen dhe, siç e thotë diku, kjo lloj toke nuk e josh fare. Ose e thënë krejt poetikisht:
“ S’është lulishte për nuhatjen time.”
Më shumë se sa realiteti që shihet me sy të lirë, poezia e saj është një poezi që vështron së brendshmi, më shumë prej ëndërrimit dhe meditimit se sa jetës së gjallë, rutinës së përditshme. Ashtu siç ngjan gjithmonë me poezinë e vërtetë, që vjen më shumë prej zemrës se sa prej mendjes. Aty lindin sythat e poezisë së saj:
“Kjo frymëmarrje, kjo liri gëzimi
më ngatërron në sythet brenda vetes.
Po sythet duhen përkëdhelur,
E unë s’kam rreth meje tokë për t’i mbjellë.”
Dhe për më shumë me të drejtën që kjo poezi vjen nga zemra e një gruaje, ku dihet, siç thotë ajo:
“Krihen fantazitë në mistere ëndrrash,
të ngopura me shtime mungesash”
Sepse me poezinë e saj, Liliana, kërkon të vërtetën e mistershme brenda, thellë shpirtit, aty ku dikur në rini:
“ Puthjet ishin e kuqja në peizazhin tim rinor.”
E më vonë si grua vijnë peizazhe të tjera shpirtërore:
“Lënda e parë e anktheve të mia,
është shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara.”
Derisa një ditë e ndjen, se si nënë, tashmë gruaja brenda saj është bërë një istitucion, por një institucion drithërues, që nuk ze dot vend njëherë e mirë në tokën e paqes deri sa të vdes;
“Kështu u formua institucioni grua
Me frikë të brishtë e intuitë të bluar.”
Rrallëherë në poezi mund të gjesh të vërteta kaq të bukura, rrallë herë gjen që një poezi të jetë e tëra prej gruaje dhe ku stinët femërore të të vijnë kaq mrekullisht të vizatuara; në rini me “peizazhe krejt të kuqe puthjesh”, si grua “shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara” e si nënë “me frikë të brishtë e intuitë të bluar.”