Liliana Gjika, heroina e bibliotekës së Vlorës-Nga Albert Habazaj


Jo vetëm në Vlorë, por edhe  në Fier, Durrës, Elbasan, patjetër  në Tiranë e gjektë, po u përmend emri i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës, kolegëve dhe miqve të librit, u del para syve portreti me dritë të ngrohtë njerëzore i zonjës fisnike Liliana Gjika. Fuqia e imazhit të saj është mbresëlënës dhe nuk është thjeshtë rrjedhojë e punës shumë vjeçare si specialiste shembullore dhe drejtuese model në Bibliotekën e qytetit të madh të Shqipërsië Jugperëndimore, sepse bibliotekat shqiptare kanë plot të tillë që e bëjnë punën me përgjegëjsi të lartë, humanizëm, përkushtim dhe ndershmëri profesionale. Vetëm falë virtyteve të larta njerëzore që mbart dhe aftësive teorike – praktike në fushën e Bibliotekomonisë, mund të jesh punëtor i mirë i librit (në çdo pozicion të organigramës).

Liliana Lako Gjika ka lindur në Pojan të Fierit më 19 Shtator 1950. Pas mësimeve në shkollën e mesme Pedagogjike, u emërua mësuese në fshatin Cakran. Kreu studimet e larta në Fakultetin Histori – Filologji, dega Gjuhë – Letërsi, 1971-1975, si dhe kursin dyvjeçar të Bibliotekës, 1975-1977. U emërua në Bibliotekën Publike të qytetit të Vlorës, në sektorin e Periodit Shqip dhe të Huaj, ku u mor edhe me studime albanologjike. Në vitet 1990-2000 u emërua drejtore e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë. Ka shkruar mjaft artikuj publicistikë për rolin e shtypit në jetën njerëzore dhe për autorë të njohur të letërsisë dhe artit. Ka botuar librat: “Pavarësia kombëtare dhe Ismail Qemali në shtypin e viteve 1990-1982 (1983), “Autorë të huaj për Vlorën” (1987), “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” (2006), “Njeriu me respekt te malet” (2016).

Emrin e saj e përmendin me shumë nderim e mirënjohje ish – kolegët mësues dhe ish-nxënësit e saj, jo pak nga të cilët sot janë emra të dëgjuar në fusha të ndryshme të jetës, ekonomisë, arsimit, kulturës dhe politikës shqiptare.

Emri i saj është i lidhur ngushtë si pakkush tjetër me institucionin ku ka punuar; ajo me Bibliotekën e qytetit të Vlorës. Dashamirësisht, duke marrë shkas nga dy vargje të Majakovskit, po heq një paralele: “Kur themi Liliana Gjika nënkuptojmë Bibliotekën e Vlorës, kur themi Biblioteka e Vlorës, nënkuptojmë Liliana Gjikën”.

Në qytetin e Vlorës dhe hapësirat e saj, tradita e bibliotekave është e hershme, pasuria e dokumenteve dhe dorëshkrimeve shfaqet qysh në Mesjetë me Bibliotekën e Manastririt të Kllogjrit në Kaninë, dhe Manastirin e Zvërnecit. Gjurmët e bibliotekave të Vlorës gjenden qysh në shek. XV-XVI me Bibliotekat Fetare, Bibliotekat e Himarës (shek XVI) etj. Kodikët e Vlorës janë dorëshkrime të rralla, më të vjetrat që janë ruajtur në hapësirën vlonjate, që si shkrime ungjillore dhe biblike në Shqipëri janë pjesë e historisë botërore të shkrimit; pjesë e historisë së zhvillimit progresiv të mendimit dhe të kulturës njerëzore… Historiku i Bibliotekave të Vlorës ka të regjistruar Bibliotekën e Mekatit (1672), ka Bibliotekën e Familjes Vlora, e përmendur qysh në mesin e shek. XVII, ndër më të njohurat dhe në Ballkan, po ashtu ka Bibliotekën e Odës së Tregtisë (krijuar më nëntor 1920), Bibliotekën e intelektualit Lluka Karafili (1912), Bibliotekën e Arsimtarëve (Biblioteka e vogël – 29.09.1936, ndërsa në ndërtesë më vete – më 7 Mars 1939), Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” (1994), si dhe biblitekat e fakulteteve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

Biblioteka e Vlorës, që më vonë mori emrin Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë u themelua më 22 gusht 1946. Me fondin e librave të “Bibliotekës së Arsimtarëve” rreth 5156 libra, si dhe atë të familjes së Eqerem bej Vlorës, u krijua ky institucion kulturor, i cili më pas u pasurua edhe me dhurimin e librave dhe revistave nga intelektualët e shquar të qytetit: Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Musa Jonuzi, Dr. Ali Mihali, Jani Minga etj. Deri në vitin 1974, biblioteka e kryente verpimtarinë e saj në godinën e Eqerem bej Vlorës. Po këtë vit, ajo u vendos në godinën e familjes hebreje Matathia. Në vitin 1993, u vendos në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, por me kërkesën e intelektualëve të qytetit, u bë e mundur vendosja në mjediset e godinës së ish- Bankës Agrare, ku gjendet sot. Eh, moj bibliotekë e Vlorës! Ku s’të hodhën e ku s’të degdisën!…Pavarësisht nga kushtet, njerëzit, që i shërbyen e  bënë një filigran të artë shkronjor për qytetarët

Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë zhvillon një veprimtari të gjerë  në shërbimin ndaj lexuesit për dhënien e një informacioni të gjerë kulturor, artistik e shkencor. Drejtimi kryesor i veprimtarisë së saj ka qenë pasurimi i fondeve, përpunimi tekniko-shkencor, diskutimi dhe promovimi i librave të autorëve të letërsisë shqipe e asaj të huaj. Deri në vitin 1995 në fondin e kësaj biblioteke gjendeshin 120.000 ekzemplarë (kopje/ copë). Në vitin e mprapshtë 1997, biblioteka e Vlorës u dëmtua rëndë nga trazirat e atiij viti të zi, jo vetëm për Vlorën, por për gjithë Shqipërinë. Me vendosjen e Bibliotekës në mjediset e reja, sipas vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u bë rikonstruksioni i saj me financimin dhe ndihmën e fondacionit Soros. Mjediset e reja të Bibliotekës janë të një standardi bashkëkohor, për të shfrytëzuar të gjitha pasuritë e fondeve që gjenden aty. Brenda kësaj hapësire ndodhet edhe mjedisi për fëmijët, i cili është mjaft i këndshëm për të vetëvepruar në sallën e vetë. Biblioteka i shërben një popullsie mbi 180 mijë banorë. Ajo ka lidhje e bashkëpunim me shkolla, shoqata, personalitete të shquara, me Universitetin “Ismail Qemali” etj., duke zhvilluar një sërë veprimtarish kulturore e shkencore. Ajo afron shërbime me fonde të hapura në të gjithë sektorët e saj. Kohët e fundit janë bërë përpjekje për të afruar shërbime audiovizuale, internet etj.

Në gjerdanin e bukur të bibliotekave të qytetit, vlen të nderojmë të gjithë punonjësit dhe stafet që kanë punuar në sektorët përkatës të të librit dhe periodikut, të materialeve libra dhe jolibra, domosdosmërisht drejtorët e bibliotekave të Vlorës në vite: nga fillimet 1936-’44 e mbas Çlirimit: Rauf Zaimi, Ibrahim Kushta, Musa Muho e Mihal Peço; nga vitet ’45-’47 Afërdita Thanasi; ’47-’48 Jakup Gallanxhi; ’48-’50 Valdete Gorishti; ’50-’54 Tana Nesho; ’54-‘57  Fotini Jupi; ‘57-’64 Timo Vojniku; ’64-’65 Irfan Bregu; ’65-’68 Agron Grabova; ‘68-’91 Nezahet Braka; nga vitet 1991-2009 Liliana Gjika. Drejtues të bibliotekës së qytetit në vijim kanë qenë: shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja Elma Rama dhe aktualisht ish – pedagogia e italishtes Iltana Koleka.

Liliana Gjika feks

Të gjitha ato zonja apo zotërinj që punojnë me librin, për mendimin tim, janë më të mirët, më të përkushtuarit, më të ndershmit, që me dashuri profesionale dhe buzëqeshje prilli, bëjnë miq të librit qytetarët e gjithë grupmoshave dhe niveleve të ndryshme arsimore, sepse libri është diell dhe specialistët dhe drejtuesit e bibliotekave i duan rrezet e diellit për qytetarët e tyre. Lajtmotivi ynë është: Bibliotekat ndërtojnë komunitetin. Komuniteti ushqen familjet. Familjet pasurojnë jetën. Jeta kërkon lirinë. Liria respekton dijen. Dija ushqen të kuptuarit. Të kuptuarit prodhon ide. Idetë mbëstesin komunitetet. Komunitetet kanë nevojë për bibliotekat. Bibliotekat ndërtojnë komunitetin. [ALA =Shoqata Amerikane e Bibliotekave, 1999].

Në bibliotekën e qytetit të Vlorës, për një kohë 35 vjeçare (1974-2009) ka punuar dhe për gati 20 vjet (1991-2009) ka drejtuar me kulturë dhe dashamirësi zonja Liliana Lako Gjika, sa që i dha kësaj Mëmëzonje të rëndë e fisnike rreth 90 vjeçare – Bibliotekës së nderuar të qytetit tonë fytyrën e saj me dritë, imazhin e saj me dashuri për librin dhe ëmbëlsi për njeriun, duke u shndërruar në ikonë të bibliotekave tona, si drejtoresha historike e bibliotekës së Vlorës. E përkushtuara Lilianë – e bukur në shpirt, në mendim, në veprim, sa e thjeshtë aq e ndritshme, është një model për t’u ndjekur jo vetëm në Vlorë, por, me siguri e them, edhe sot e kësaj dite, është një shembull për t’u ndjekur nga Biblioteka shqiptare dhe nga shkenca e Bibliotekonomisë. Ajo më jep shembëlltyrën e Uratës së Perëndisë së Librit në tokë. Ajo u fal buzëqeshje zogjve në pemë, jo më njerëzve në tokë që i përmirëson çdo çast e më tepër me shembullin dhe imazhin e saj. E ndritshmja Liliana Lako Gjika është pagëzuar me emrin qytetar Amazona e Bibliotekës së Vlorës. Për qytetarët tanë, ajo është Mikeshë me Vlera të Larta Njerëzore. Zonja Liliana Gjika nderohet dhe vlerësohet shumë nga qytetarët si drejtoresha historike e Bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, e veçantë në mirësitë e saj dhe vizionin e qartë. Ajo ka dhe dy emra të bukur: Amazona e Bibliotekës së Vlorës – Heroina e librit. Kështu i flasin miqtë e saj, që i ka po aq të mirë sa vetja. Kam mendimin se  dy janë faktorët që ndikojnë në këtë largpamësi humane; së pari është gjeneza fisnike, së dyti drita e Bibliotekës që na dha dhe i dhamë.

Liliana Lako Gjika është regjistruar në kujtesën sociale si sinonim i Bibliotekës së Vlorës, kur Vlora dhe Durrësi ishin model në Shqipëri në fushën e Bibliotekonomisë dhe shërbestarisë humane ndaj komunitetit qytetar. Vlera e vërtetë ka folur në heshtje. Dhe nëpërmjet punës flet. Floririn mund ta mbulojnë edhe me hi, por floriri përsëri ngelet flori. Kur drejtonte veprimtaritë Liliana, dilte ylli e shkëlqente çdo imtësi e çdo sekondë të kohës së asaj veprimtarie… Po ku ka njerëz, që sapo takohesh, t’i qeshë fytyra e t’i ndriçojë aq hijshëm tërë nur?! Është Liliana e Bibliotekës. Kështu thonë dhe sot e kësaj dite.

Emri i saj është përfshirë në enciklopedinë e qytetit “Vlora – fjalor enciklopedik”, Tiranë, Maluka, 2023, f. 555-556, përgatitur nga prof.dr. Bardhosh Gaçe.

Heroina e librit më ’97 – ën

Ka ca realitete njeriu, që kur i kujton, thotë me vete: “Vërtet unë kam qenë, që kam mbajtur këtë qëndrim, që kam bërë këtë veprim? Vërtet…?”

Në rastin e këtij shkrimi të thjeshtë nderimtarie për Klloçkën e shkrimtarëve, poetëve, artistëve dhe libërdashësve të shumtë vlonjatë, jemi në krahët epikë të pabesueshmërisë së trimërisë së përditësuar qytetare: Liliana Gjika është ajo kapetane shqiptare, që në mes të ’97- ës, mori Bibliotekën e qytetit dhe, duke e parë plumbin drejt e në ballë, eci nëpër rrugët e Vlorës, të mbushura me plumba e gëzhoja dhe shpëtoi Bibliotekën hallemadhe të Vlorës sonë.

Në kohë lufte ata që ranë për liri u shpallën Dëshmorë të Atdheut. Ata që udhëhoqën me trimëri, atdhetarizëm dhe mençuri dhe u shquan për bëma të rralla u shpallën heronj të popullit. Liliana Gjika jetoi dhe punoi me devotshmëri, ndershmëri dhe profesionalizëm në kohë paqeje. Në fakt, qe një segment kohor fatal, i zi, më keq se në kohë lufte. Ajo, për dritën e mendimit dhe veprimt qytetar, është e vërteta Heroinë e Popullit (e gjallë). Është Kryezonja e Librit në qytetin e Pavarësisë Kombëtare. Kapedane bashkë me familjen e saj të mrekullueshme, me fëmijët, që i bëri pjesë të skuadrës së Shpëtimit të Librit, ku në ballë të zjarrit ishte bashkëshorti i saj shembullor, Viron Shamet Gjika, që për librat i qante zemra si për njerëzit më të afërm. Kemi përjetuar një realitet tej çdo lloj imagjinate njerëzore, si në një ëndërr të zezë llahtarie. Vërtet një histori e pazakontë e një gruaje epike në kohë moderne, kohë që u infektuan aq keq e u hidhëruan aq shumë. Detashmenti i familjes Gjika, i murosën librat për t’i shpëtuar nga vandalizmat barbare të ca palo bashkëkohësve tanë të egër. Edhe pse kanë kaluar 27 vjet, nuk rrëfehet pa drithërimë e pa lot në sy “Odiseja” e ’97-ës, ajo ngjarje sa e rrezikshme aq e bukur, ajo histori aq  frymëzuese e një mësuesje, e një shqiponje të librit, kur, në një kohë shumë të trazuar për shqiptarët, Liliana bër përpjekjet më heroike të mundshme për të shpëtuar librat; kreu atë akt të lartë, që mund të shkonte deri në sakrificën sublime të saj dhe familjes, që vuri në dispozicion të shpëtimit të kulturës shkrimore.

Shtypi shqiptar i ka bërë jehonë të gjerë veprës së saj të vyer. Për “Destinacionin” tonë mund të përmendim shkrimet nderuese që janë botuar në gazetat “Panorama”, “Koha jonë”, “Ballkan”, “Labëria”, “Nacional”, “Kushtrim brezash” etj., apo emisionet televizive në mediet e vendit apo edhe të huaja për Lilianën dhe famijen e saj, që, sikur t’i kishte në organikë, i vuri në shërbim të jetës dhe shëndetit të librit dhe bibliotekës së qytetit. Dhe ia arriti. I shpëtoi. Fatkeqësisht pati dhe shumë libra të lënduar, madje dhe të vrarë nga banditët e patru e të pashpirt.

Modeli Lilianë. Shembull për njerëzit në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë. Unë, ne, bibliotekat e Vlorës qytetarët tanë të mirë, Atë e kanë në zemër, në shpirt, në sy, në mendje, sepse është NDERI I VLORËS… Qytetarët e njohin shumë mirë dhe e vlerësojnë shumë. Udhëtimi i saj në bibliotekë është Rrugëtimi i Ndritur që ka bërë me Nder e Dinjitet. Dhe, në thjeshtësinë e saj bujare, në thelb, është ajo që shfaqet dhe ndihet krenare për atë që është. Për punën e saj, shkëlqimin e punës së specializuar e profesionale që ka bërë për 35 vjet në atë Bibliotekë, e cila ishte ndër bibliotekat më të mira në vend, ku janë kryer edhe shumë seminare nga rajoni etj., Liliana Lako Gjika është vlerësuar për ndihmesën e  shquar në edukimin e brezave, si intelektuale ee shquar e qytetit të Vlorës, e cila ka dhënë një ndihmesë të veçantë për zhvilimin e kulturës dhe traditave kombëtare. Ajo është se e meriton “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, titull që i është dhënë më 22.11.2012. Ajo është se e meriton “Mirënjohje e Qytetit”. Edhe “Mirënjohje e Labërisë”. Ajo është nderuar edhe me çmime e tituj të tjerë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë, ku mund të përmend shumë çmime të tjera nga Ministria e Kulturës, 2 herë nga  Ambasada Amerikane etj. Ajo është vlerësuar edhe me çmimin e lartë ndërkombëtar “Best Prektis”, 2006. Ajo nuk kërkon, por meriton më shumë, se i bën dritë librit, i fal mirësi të bukur qytetarisë.