Lin Kiku :181 vjet më parë ,Rruga e kombit, që kalon nëpër Mirditë, e projektuar nga Ami Boue, si linjë hekurudhore!


Lin Kiku

Në studimin e rrjetit hekurudhor të Ballkanit, të vitit 1840, bërë nga Ami Boue, territori i Mirditës përshkruhej si pjesë e këtij rrjeti.

Ami Boue ,shkencëtar (1794-1881). Lindur më 16 mars 1794 në Hamburg. Mori gradën e mjekut në mjekësi, në vitin 1817 në Universitetin e Edinburgh. Gjatë viteve në vijim, ai përfundoi njohuritë e tij në fushën e shkencave natyrore, veçanërisht në Gjeoshkencë. Në 1830, pasi themeloi, me shkencëtarë të tjerë, Shoqërinë Gjeologjike të Francës, në të cilën Boue u bë presidenti i parë, ai la Parisin në 1835 dhe u vendos në Vjenë. Për shkak të reputacionit të tij të lartë, Boue ishte shumë shpejt në komunikim me shoqëritë shkencore të kohës. Kjo është arsyeja pse ai u bë në 1829 anëtar i jashtëm i shoqatës së famshme gjeoshkencore Geology Society of London. Në 1849, ai u bë anëtar i Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë.

Pasi kaloi Gadishullin Ballkanik në 1836, 1837 dhe 1838, ( ka kaluar në këto vite dhe në Mirditë) ai botoi La Turquie d’Europe (Turqia e Europës , Paris, 1840), e cila u shfaq në katër vëllime. Në këtë kryevepër, Boué trajtoi jo vetëm vëzhgimet dhe rezultatet e tij gjeoshkencore, por gjithashtu dha informacion të çmuar në lidhje me Gjeografinë, Historinë Natyrore, Etnografinë dhe Historinë e kësaj pjese të Europës, gati të panjohur në atë kohë. Përveç kësaj, Boué synonte të inkurajonte autoritetet austriake, të lidhnin perandorinë Austriake me Turqinë, me hekurudha, rrugët e vendndodhjes së të cilave ai i shënoi në hartat e tij. Veprat e Boue në lidhje me Ballkanin ishin themelore për gjeneratat e ardhshme të gjeoshkencëtarëve austriakë. Ka botuar në këtë studim shkencor ide,për rrugët e hekurudhat e tërë Ballkanit, dhe arteriet e tyre në vise të ndryshme të Shqipërisë. Aty parashikohej edhe kalimi i hekurudhës nëpër Mirditë në luginat e Fandit të madh, Fandit të vogël, duke u lidhur në njërën anë me Kukës, Prizren e Shkup, e në tjetrën anë me bregdet e Shkodër.

Para disa kohësh u dha nëpër media të ndryshme një lajm, për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtë, modern dhe me më pak kosto në mjedis, i cili do të përshkojë të gjithë Europën. Forumi Ekonomik i Vjenës i rekomandoi Komisionit Europian të financojnë ndërtimin e linjave hekurudhore të shpejta, njëra prej të cilave propozohet të kalojë edhe në Shqipëri. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çeki, Austri, Kroaci, Bosnjë, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro.
Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Europës me vendet e pazhvilluara të kontinentit, të tilla si Shqipëria, dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe.
Propozimi synon ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë 250-300 kilometër në orë me katër linja kryesore që lidhin të gjitha kryeqytetet e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor . Në pjesën shqiptare hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Qarkun e Shkodrës nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë, Mirditë dhe përmes Rrugës së Kombit do të përshkojë Kosovën dhe më tej të zgjatet deri në Bullgari. Pas 181 vitesh projekti i shkencëtarit të madh Ami Boue, pritet të bëhet realitet!

Referencat:
1- A. Boue –
Turqia Evropiane
2- Akademik Mark Tirta- Çfare kanë thënë të huajt për Mirditën.( Shkrim i botuar në vitin 1990).
3- Revista Monitor.
4- Fotoja poshtë – Ami Boué, Turqia e Evropës, Paris, 1840: Gjendet në bibliotekën e Shërbimit Gjeologjik të Vjenës, Austri.

About Post Author