Mirdita etnologjike dhe shtrirja e saj, popullsia.
Hyrje në histori!
Mirdita shtrihet në pjesën veriore të Krahinës Malore Qëndrore, me një sipërfaqe aktuale prej 867 km². Historia e Mirditës fillon që me vendbanimet e hershme të saj, dhe këtë e dëshmon më së miri siti prehistorik me Art Rupestër i Guvës së Rubikut, që mendohet të jetë krijuar në periudhën e neolitit rreth 5500 vite më parë. Gjatë periudhës Ilire, Mirdita do të ishte pjesë e fisit të Pirustëve, një popull që merrej kryesisht me përpunimin e bakrit, argjendit dhe arit. Me ndarjen e perandorisë Romake në dy pjesë në vitin 395, vija ndarëse që do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme historike kalonte dhe në territorin e Mirditës, dhe kufiri ndarës do të ndante në të ardhmen Kishën Ortodokse nga ajo Katolike dhe qytetërimin e lindjes nga ai i perëndimit. Kroatët, Sllovenët, si dhe një numër Boshnjakësh dhe Shqiptarësh, dhe këtu bën pjesë dhe Mirdita u vunë kryesisht nën ndikimin e perëndimit dhe kishës Katolike.
Gjuha e kishës ishte latinishtja, alfabeti ishte latin. Ndërtimet e tyre u karakterizuan nga stilet e arkitekturës perëndimore fillimisht romanesk e më pas ai gotik. Gjatë periudhës së mesjetës pushtimet bënë që begatia e madhe në kohën e pushtimit të Romës të merrte fund. Veçanërisht dyndja sllave në trojet shqiptare la gjurmë të thella. Megjithatë popullsia ilire e kësaj zone nuk u sllavizua. Meqë jetonin në male dhe ishin të organizuar në grupe fisnore, banorët ruajtën gjuhën dhe ekzistencën e tyre të pavarur dhe e tillë ishte dhe zona e Mirditës. Në këtë periudhë të hershme vendasit e quanin veten Arbër dhe vendi Arbëri. Në truallin historik të Mirditës së sotme ka qenë krijuar një bërthamë shtetërore që në vitin 1166, e cila na jep Principatën e Arbërit me një vazhdimësi deri në vitin 1216, këtë e vërteton mbishkrimi i famshëm i Gëziqit, që sot është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Me krijimin e principatave, Mirdita ishte pjesë e principatës së Gjon Kastriotit.
Gjatë pushtimit dhe sundimit të gjatë osman, Mirdita ka qenë krahine autonome dhe e panënshtruar nga ky sundim, si dhe përfituese e traktateve dhe marrëveshjeve të bëra nga fuqitë e mëdha europiane të kohës, me perandorinë osmane, siç kanë qenë: Marrëveshja e vitit 1453 midis Papës së asaj periudhe dhe sulltan Mehmetit, Traktati i Karlovicit i arritur më 1699, si dhe Kongresi i Berlinit më 1878, ku në këtë kongres është njohur autonomia e Mirditës. Akademiku britanik Henry Tozer, në përshkrimin e reportazhit të tij bërë në vitin 1865, nga traditat e mirditorëve veçon nga zakonet e shumta të kësaj krahine, pastërtinë e racës së tyre duke e argumentuar me faktin se: “Mirditorët nuk martohen kurrë me gratë e zonës së tyre, por kur ndonjë prej tyre, nga më i larti në më të ultën, dëshiron një grua, ai mbart një grua myslimane nga një prej fiseve fqinje, e pagëzon atë dhe martohet me të. Mirditorët janë njerëzit e vetëm në Evropë, me sa kam mësuar, midis të cilëve ekziston kjo praktikë”. Ky rrëfim dëshmon dhe vërteton origjinën e pastër Iliro- Arbërore – Shqiptare të Mirditorëve.
Ndarja etnologjike, popullsia dhe numri i saj!
Gjatë periudhës osmane, Mirdita ka qenë e ndarë sipas ndarjeve administrative të asaj periudhe nën termin flamuj ose bajrakë – turqisht. Fillimisht Mirdita ka qenë e përbërë sipas kësaj ndarjeje nga 3 bajrakë, Oroshi, Spaçi dhe Kuzhneni. Tre bajrakët qenë gjithnjë të panënshtruar nga pushteti turk, gëzuan liri të veçanta kundrejt rrethit dhe nuk patën asnjë detyrim. Bajrakët e tjerë, që përfitojshin edhe ata nga privilegjet e Mirditës shkuan duke ju mbështetur asaj dhe duke e quajtur edhe ata veten mirditas. Më parë ju mbështetën Mirditës bajraku i Fandit dhe i Dibrrit, duke u bërë 5 bajrakë të Mirditës. Më vonë u bashkuan edhe tre bajrakët e Ohrit, duke u bërë Mirdita me 8 bajrakë. Në fund u bashkuan me Mirditën edhe 4 bajrakët e malësisë së Lezhës, duke e bërë Mirditën me 12 bajrakë. Ky bashkim ndodhi rreth vitit 1830. Bashkëjetesa në një krahinë të përbashkët të kësaj popullsie solli edhe unifikimin në traditat kulturale. Pesë bajrakët e parë, që kanë historikisht një bashkëjetesë më të gjatë, arritën në një unitet më të plotë traditash, bajrakët e Ohrit ruajtën disa veçori të tyre, kurse ata të Lezhës edhe më tepër.
Numërimi i parë i saktë dhe zyrtar i popullsisë në vendin tonë, u bë në vitin 1918, nga austriakët. Mirdita në këtë numërim prezantohet me emrin e Oroshit, dhe në vitin 1918, ka këto të dhëna: Popullsia, 17679 – banorë. Hapësira në km² – 1072. Shpeshtësia e popullsisë për 1 km² – 16. Numri i banimeve – 2491. Numri i familjeve – 2518. Numri i meshkujve – 9085. Numri i femrave – 8594. Ohëri i Vogël, që përfshin Selitën, Kthellën dhe Bushkashin, ka këto të dhëna: Popullsia, 7965 – banorë. Hapësira në km² 380. Shpeshtësia e popullsisë për 1 km² – 21. Numri i banimeve – 1107. Numri i familjeve – 1691. Numri i meshkujve – 4140. Numri i femrave – 3826.
Bulgri, Manatia, Kryezezi dhe Vela, në atë vit janë shënuar në të dhënat e Lezhës me emërtesën Malësia e Lezhës, dhe për këtë arsye kemi numrin e popullsisë që ka qenë – 3208 banorë, numrin e banesave – 553 dhe numri i fshatrave – 24, Hapësira në km² – 263. Mirdita etnografike në këtë periudhë ka një popullsi prej 28852 – banorësh, një sipërfaqe prej 1715 km², dhe kufizohet me 7 rrethe: Pukë, Kukës, Dibër, Mat, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër. Kufiri kalon në Vaun e Dejës, vargmalet Shite-Kreshtë-Velë-Molung-Rrodhe, zallin e Karricës ku derdhet lumi i Urakës në lumin Mat, zallin e Gjoçajve dhe livadhin e Pelave, majën e Kunorës së Selitës, Blac, Majën e Zezë, qafë të Mërkurthit, Frash-Guri i Kuq, përfshin katundin Lajthizë, në majë të Zepës, Qafë të Kumbullës, Qafë të Malit, luginën e sipërme të Fanit të Madh deri në Lum-Shtyllë, Sukën e zezë, majën e Thatë mbi livadh Kabash, len Tërbunin e Pukës dhe pak pa arritur në fushën e Qershisë del në Ndërmjetës, nëpër Gomsiqen e Vogël e të Poshtme dhe në Katundin Mëdhue e pastaj zbret në lumin Drin.
Në vitin 1922 e në vazhdim, me ndarjen administrative të vendit tonë që u bë në atë vit, Mirdita si nënprefekturë më vete përbëhej nga zona e Fanit, Spaçit, Oroshit, Dibrit dhe Kuzhnenit, me qendër që u caktua në fillim të atij viti në Vaun e Dejës, në nëntor 1922 qendra shpërngulet në Ungrej, në prill 1926 shpërngulet në Shpal , ndërsa Selita, Kthella dhe Bushkashi (Rranza) kalojnë me nënprefekturën e Matit, dhe Bulgri, Manatia, Kryezezi dhe Vela kalojnë me nënprefekturën e Lezhës. Mbas vitit 1944, me ardhjen e sistemit komunist në pushtet, Mirdita ka pasur disa ndarje administrativo – territoriale, duke lënë jashtë saj territore që ju kaluan rretheve fqinje, e duke mbetur me sipërfaqen dhe zonat që ka dhe sot.
Në vitin 1946, Mirdita si nënprefekturë kalon me qendër që u caktua në Gjegjan, më vonë në vitin 1949, Mirdita njihet si rreth më vete, e ku i bashkohen mbas 27 vitesh Rubiku, Selita dhe Kthella, dhe caktohet si qendër Rrësheni, e që vazhdon deri më sot. Në fund të vitit 1990, Mirdita përbëhej nga 4 qytete, Rrësheni, Rubiku, Kurbneshi dhe Repsi, dhe 55 fshatra me një popullsi prej 51 mijë banorësh. Në vitin 1992 me ndërrimin e sistemit komunist, Mirdita kalon si Nënprefekturë në varësi të Prefekturës së Lezhës, dhe ka 2 Bashki: Rrëshen, Rubik, dhe 5 Komuna: Orosh, Fan, Kaçinar, Kthellë, dhe Selitë. Në vitin 2014, me ndarjen e re administrative, Mirdita kalon si bashki më vete, ku funksionon e tillë aktualisht.
Literatura:
Ferdinant Shevill -“Ballkani historia dhe qytetërimi”.
Barbara Jelavich -“Histori e ballkanit shekulli tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë”.
Georges Kastellan -“Histori e ballkanit”.
Atë Donat Kurti -“Doke e zakone Shqiptare”.
Dom Ndoc Nika -“Histori e Shqypnis”.
Arben Puto -“Lëvizja Shqiptare”.
Luixh Martini -“Preng Bib Doda Princi pa fron i Mirditës”.
Dhimitër Shuteriqi – “Mirdita dhe Shteti i Arbërit”
Teki Selenica – “Shqipëria më 1927”.
Hylli i Dritës, (dhjetor – 1922, janar – 1923) – “Numrim i parë i popullsis në Shypni”.
Shpend Bengu -“Këndvështrime të reja mbi artin e guvave në Shqipëri”.
Muzeu historik – Mirditë
Pal Nikolli& Luan Arapi – “Shtrirja territoriale e krahinës së Mirditës dhe organizimi administrativ i saj”.
Lin Kiku
